Konjufca skeptik, nuk pret marrëveshje të shpejtë me Serbinë - NACIONALE

Konjufca skeptik, nuk pret marrëveshje të shpejtë me Serbinë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca nuk pret marrëveshje të shpejtë me Serbinë.

Këto deklarime ai i bëri në konferencën me temën “Gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës” të organizuar nga Kolegji Universum, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Forumi Ballkanik (BF).

Siç transmeton Ekonomia Online, Konjufca e ka pranuar se nuk është optimist për një marrëveshje të tillë.

“Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës. Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”, tha fillimisht shefi kosovar i legjislativit.

Veç kësaj, ai deklaroi se Serbia nuk e ka ndërmend të kthehet kah Perëndimi, bazuar në atë se çka veprojnë aktualisht, siç është rasti më i fundit, rikthimi në politikë të jashme i Ivica Daçiq.

“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë. Vulin si shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiq që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiqi tashmë. Ata kanë treguar tashmë se çfarë rruge do ta ndjekin”, tha Konjufca.

Fillimi i fundit

Një zhvillim i hovshëm rreth fundit të dialogut është parë këto ditë, në veçanti javën që lamë pas.

Kujtojmë, emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me krerët më të lartë shtetërorë e opozitarë, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Madje, ai kërkoi sa më shpejt themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Kanal10 se për këtë çështje ka biseduar edhe me presidenten Osmani, duke parë mundësitë se si mund të krijohet një i tillë me të dyja palët fituese, pra edhe Kosovën edhe komunat veriore.

"Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën", tha ndër të tjerash Gabriel.

Afati

Nuk ka ndonjë të dhënë konkrete deri më tani, pasi diplomatët nuk preferojnë të flasin me afate kohore.

Megjithatë, thirrur në zëra që qarkullojnë vazhdimisht, fundi i nëntorit, ose përfundimisht shkurti është afati kur palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, ndryshe do të ketë pasoja.

Këtë e pat përmendur edhe gazetari Berat Buzhala, në emisionin ku vet është autor, Ditari i Buzhalës.

Mes tjerash, ai pohoi se gjithçka mund të mbyllet shumë shpejtë, derisa kritikoi edhe kryeministrin Kurti për qasjen joserioze, këtu duke marrë shembull edhe një përgjigje epike të numrit një në botë për shah, Magnus Carlsen.

Lajme të ngjashme