Rritja e çmimit të rrymës për 14%: Cilat ishin komentet e Zyres së Presidentes? - NACIONALE

Rritja e çmimit të rrymës për 14%: Cilat ishin komentet e Zyres së Presidentes?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike në Kosovë mund të jetë çështje javësh. Rritja pritet të jetë 14 për qind. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka thënë se trafiat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2023. Deri më tani, partitë opozitare e qytetarët e kanë kundërshtuar, përveç tyre edhe Zyra e Presidentes ka kërkuar të mos ketë rritje.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar rritje të tarifave të energjisë elektrike. Por deri në vendimin final, ZRrE ka publikuar për konsultim publik raportet dhe është në pritet të komenteve nga institucionet.

Dhe siç kanë bërë të ditur nga ZRrE për Nacionalen, deri më tani komente kanë dërguar KOSTT, KEDS, KESCO, KEK, Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi me 01 prill 2023. Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar komentet nga : KOSTT, KEDS, KESCO, KEK, Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit. ZRRE është ne proces te vlerësimit te komenteve te pranuara nga palët e interesuara, dhe pas analizimit te tyre do te publikoje raportin përfundimtar me përgjigje ndaj palëve.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Komentet e Presidentës

Për të kuptuar se cilat ishin komentet, Nacionale pyeti Zyrën e Presidentes që udhëheqet nga presidentja, Vjosa Osmani. Kemi pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit, mirëpo deri më tani kjo Zyrë nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Në komentet e Zyrës së Presidentës të cilat i ka pranuar Nacionale, kundërshtohet rritja e tarifave prej 14 për qind dhe shprehin shqetësimin e tyre se një vendim i tillë do t’i shkaktonte barrë qytetarëve.

Zyra e Presidentes, duke refuzuar rritjen e tarifave të reja, ka përmendur normën e lartë të inflacionit dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazike.

Një situatë e tillë bëhet ende më shqetësuese për faktin se në bazë të raportit të ASK-së për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, norma vjetore e inflacionit në dhjetor ishte 12.1 për qind. Gjersa, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9%, gjë që ka ndikuar në rritjen e kostos së përgjithshme të jetesës dhe varfërim të shportës së konsumatorit.” – thuhet në komentet e ZPRK-së.

Më tej, Zyra e Presidentes, ka rekomanduar që të shmanget shqyrtimi i tarifave dhe për këtë ka inkurajuar komunikim ndërinstitucional që të sigurohet subvencionimi.

Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lartë, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar.

Në këtë drejtim do të mund të kontribuonte edhe pakoja e Mbështetjes për Energji e BE-së për Kosovën përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro për të ndihmuar me përballjen me krizën energjetike. Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti.” – thuhet në komentet e ZPRK-së dërguar ZRrE-së.

Andaj, ZPRK-ja, rekomandon që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e subvencionimit, duke shmangur nevojën për një vendim të ri të ZRRE-së, i cili do të rezultonte me rritje të sërishme të tarifave në vendin tonë.” – thuhet tutje.

Tutje, ZPRK-ja ka thënë se asnjëherë nuk është bërë vlerësim pasues pas rritjes së tarifave.

Në veçanti, potencojmë rëndësinë e shmangies së një vendimi të tillë nga ZRRE-ja, duke qenë se bazuar në praktikat nga e kaluara, pas vendimeve të marra në procese për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave nuk është bërë asnjëherë një rivlerësim pasues, i cili eventualisht do të ndikonte në rikthimin e tarifave origjinale të vlefshme para rritjes në rast të rehabilitimit të faktorëve të cilët fillimisht kanë shkaktuar nevojën për shqyrtim të jashtëzakonshëm.” – thuhet në komentet.

E papërballueshme

Në anën tjetër për qytetarët rritja e faturave për 14 për qind është e papërballueshme.

Në grupin e Nacionales në Viber, qytetarët janë pyetur se a e konsiderojnë të përballueshëm shtrenjtimin e faturave.

Deri më tani në anketën e hapur kanë votuar gati 600 persona.

532 nga ta apo 93 për qind kanë thënë se shtrenjtimi i çmimit të energjisë do të ishte i papërballueshëm për ta teksa për 39 persona apo 6 për qind nuk do të ishte fare problem nëse shtrenjtohet energjia elektrike.

Aktualisht në Kosovë, deri në 800 kW, tarifa e shtrenjtë është 6,75 cent dhe tarifa e ulët është 2,89 cent për kilovat. Nëse kaloni 800 kW, tarifa e shtrenjtë ndryshon në 12,52 cent dhe tarifa e ulët ndryshon në 5,90 cent për kilovat.

Ndërkaq, nëse shpenzoni më shumë se 1000 kW në muaj, ju do të paguani 19,44 euro + 8,32 euro për 800 kW të para dhe 12,52 euro + 5,90 euro për 200 kW të fundit mbi 800 kW, që përbën një total prej 46,18 euro.

Tani me traifat me rritje për 14 për qind, atëherë tarifa e shtrenjtë do të jetë 7,69 cent për kilovat deri në 800 kW dhe 14,27 cent për kilovat mbi 800 kW. Tarifa e ulët do të jetë 3,29 cent për kilovat deri në 800 kW dhe 6,72 cent për kilovat mbi 800 kW.

Lajme të ngjashme