Kaos në “Kadri Zeka”: Dekanja Fatmire Krasniqi dha dorëheqje por vazhdon punën – rektori Artan Dërmaku s’përgjigjet
Fatmire Krasniqi, dekane në Fakultetin Juridik në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kishte dhënë dorëheqje, e pastaj si duket i kishte rënë “pishman” dhe e kishte revokuar dorëheqjen. Ani pse revokimi i dorëheqjes nuk njihet nga Ligji për Zyrtarët Publik, krejt këto veprime, dekanja Krasniqi i kishte ndërmarrë me dijeninë dhe lejen e rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Artan Dërmaku.
Parregullsitë dhe veprimet e kundërligjshme si duket janë bërë normale në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Para disa javësh, Gazeta Nacionale ka raportuar për një rast tjetër në të njëjtin universitet, ndërsa tash në kundërshtim me Ligjin ka vepruar Fatmire Krasniqi, dekane në Fakultetin Juridik në Universitetin “Kadri Zeka”.
Më 20 Shkurt të këtij viti, Krasniqi kishte njoftuar rektorin e universitetit, Artan Dërmaku, për dorëheqje nga pozita e saj.
Në njoftimin e saj për rektoritn Dërmaku, dekanja Krasniqi kishte rënditur arsyet për dorëheqjen e saj, duke përmendur këtu ngarkesën e rënduar në punë, mungesën e dëgjimin dhe vlerësimit të kontributit të saj, sjelljet e padrejta, përfshirë edhe fyerjet, kanosjet e deri tek kallëzimet e rreme penale ndaj saj, e që e bënin njoftimin për dorëheqje edhe më bindës. Por, ani pse kanë kaluar mbi 30 ditë nga njoftimi për dorëheqje, dekanja Krasniqi ka vazhduar punën në pozitën e dekanes (në kundërshtim me atë çka parasheh Ligji për Zyrtarët Publik). Krejt këto veprime, Krasniqi i ka ndërmarrë nën vëzhgimin dhe me lejen e rektorit të universitetit, Artan Dërmaku, i cili është dashur të ndiqte procedurat ligjore që ia përcakton Ligji.
Gazeta Nacionale ka telefonuar dekanen Krasniqi, të cilën e ka pyetur pse është duke ushtruar ende detyrën pasi që ka dhënë dorëheqje dhe sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, 30 ditë nga njoftimi për dorëheqje, krijohet pasoja juridike dhe rrjedhimisht e njëjta ishte dashur ta lironte pozitën, por e njëjta ka thënë se është e zënë dhe se përgjigjet do t’i kthejë më shkrim.
Por, edhe në përgjigjen e saj me shkrim, Krasniqi nuk tha shumë.
“Duke ju falenderuar juve dhe portalin tuaj për interesimin në lidhje me çështjen të cilën e keni adresuar, dëshiroj t’ju sqaroj se mandatin e Dekanes së Fakultetit Juridik vazhdoj ta ushtroj në respektim të plotë të kornizës ligjore”, ka deklaruar Krasniqi për Gazetën Nacionale, ndërsa sa i përket aryseve që kishte përmendur në njoftimin e dorëheqjes që ia kishte dërguar rektorit Artan Dërmaku, Krasniqi ka deklaruar se këto çështje janë kompetencë e organeve përkatëse të drejtësisë, të cilat tashmë janë duke i trajtuar ato.
Gazeta Nacionale i ka dërguar pyetje edhe rektorit të universitetit, Artan Dërmaku, të cilin e ka pyetur edhe për rastin e dekanes Krasniqi, pasi që i njëjti edhe 30 ditë pas njoftimit që kishte pranuar për dorëheqje nga Krasniqi, nuk kishte hapur konkurs për pozitën e së njëjtës, rrjedhimisht duke e miratuar vazhdimin e punës së Fatmire Krasniqit në pozitën e dekanes.
Pasi që Krasniqi ka deklaruar se pozitën e dekanes vazhdon ta ushtrojë në respektim të plotë të “kornizës ligjore”, Gazeta Nacionale ka pyetur edhe njohësin e çështjeve juridike, njëkohësisht hulumtues në IKD, Ehat Miftaraj, i cili ka theksuar se “dorëheqja” nuk është akt i revokueshëm bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik.
“Largimi i zyrtarit publik, si nga shërbimi civil ashtu edhe nga shërbimi publik, rregullohet me nenin 75 të Ligjit NR. 08/L-197 për Zyrtarët Publik. Sipas këtij Ligji, dorëheqja është një prej mënyra përmes të cilave zyrtari publik në mënyrë të njëanshme ndërprenë funksionin e tij nga pozita e zyrtarit publik. Për nga natyra e saj, dorëheqja është akt i njëanshëm dhe ky akt, nuk kërkon miratim nga ana e institucionit publik. Institucioni publik e shqyrton dhe aprovon dorëheqjen kryesisht për çështje administrative, por jo sipas vlerësimit meritor. Kjo për shkak se nuk mund të vlerësohet në meritat e tij një akt i vullnetshëm dhe i njëanshëm. Sikur të kishte mundësi të bënte vlerësim edhe në merita, atëherë i bie se do kishte mundësi edhe të refuzonte dorëheqjen, çfarë kuptohet se nuk është e mundur. Ligji për Zyrtarët Publik përcakton momentin kur krijohen pasojat juridike të dorëheqjes, e që është 30 ditë nga data e parashtrimit të dorëheqjes. Përtej kësaj, mundësia e vetme që jep neni 75 i Ligjit për Zyrtarët Publik është shkurtimi i kësaj periudhe kohore dhe jo mundësi të tjera. Për këto arsye, nisur nga fakti se dorëheqja është akt i njëanshëm, që në meritat e saj nuk kërkon vlerësim dhe miratim, si dhe dhënies së mundësisë shprehimore me ligj për dorëheqje, por jo dhe revokim të saj, i bie se ligjërisht, dorëheqja nuk është akt i revokueshëm. Kuptohet, është situatë tjetër nëse vlerësohet se akti i dorëheqjes është bërë nën rrethana të cilat paraqesin dyshime se ka ndërhyrje në vullnetin e zyrtarit publik për dorëheqje”, ka deklaruar Miftaraj.
Në rastin e dekanes Fatmire Krasniqi, e cila ka njoftuar rektorin Artan Dërmaku më 20 shkurt të këtij viti për dorëheqjen e saj nga pozita e dekanes, e njëjta është dashur ta lironte këtë pozitë brenda 30 ditëve, ose pas kësaj periudhe, rektori Dërmaku ishte dashur të hapte konkurs në universitet për këtë pozitë.
Pse dekanja e Fakultetit Juridik, Fatmire Krasniqi, ka vendosur të veprojë kundërligjshëm duke vazhduar punën në pozitën e njëjtë edhe pas dorëheqjes dhe pse kjo i është lejuar gjithashtu kundërligjshëm nga rektori i universitetit “Kadri Zeka”, Artan Dërmaku, kjo nuk dihet dhe asnjëri prej të lartcekurve nuk ka dhënë detaje shtesë për këtë rast. Krasniqi ka deklaruar se këtë e ka bërë në përputhje me “kornizën ligjore”, ndërsa Dërmaku ka vendosur të mos kthejë fare përgjigje për Gazetën Nacionale.