“Jo” rritjes së shtesave të rrezikshmërisë, Kurti insiston se “do t’ua zvogëlojmë rrezikun” NjSI-së – A ka kuptim refuzimi i ngurtë i tij? - NACIONALE

“Jo” rritjes së shtesave të rrezikshmërisë, Kurti insiston se “do t’ua zvogëlojmë rrezikun” NjSI-së – A ka kuptim refuzimi i ngurtë i tij?

9 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Me një gjuhë trupore me supet lartë për të përçuar mesazh që përkthehet si “nuk kemi ç’të bëjmë”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “jemi në Kosovë” kur u pyet se çfarë do të bëjë në raport me kërkesat e NjSI-së për shtesat e rrezikshmërisë. Kjo “jemi në Kosovë” për të shënuar kufizimet buxhetore dhe financiare të vendit.

Zgjidhja duhet të jetë racionale”, tha Kurti teksa nënkuptonte që kërkesat e NjSI-së nuk janë të tilla, dhe u kujdes të shtonte sërish “në Kosovë” për të treguar që kaq janë mundësitë e vendit; ndonëse në çdo ngjarje e vend tjetër kujdeset të proklamojë “rritjen e paprecedentë ekonomike” e madje edhe “historike” të vendit. Por, sigurisht, e tëra kjo selektive dhe në funksion PR-it.

NjSI që protestoi para Qeverisë së Kosovës, kërkoi thjesht që “të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listë të eskpertëve; si dhe shtesat e rrezikshmërisë të caktohen në 50% të pagës bazë”.

Por, s’i dëgjoi kush; e as njeriu i cili qe 2 vite e gjysme e ka ndërtuar suksesin në marrëdhënie me publikun saktësisht me njësistet speciale kosovare me aksione në veri të vendit; e ku s’përton të deklarohet si “kampion” në sundim të ligjit.

E madje për ta bërë edhe me kundërshtuese, Kurti tha që nuk do t’i shtojë shtesat e rrezikshmërisë për ta, por “do t’ua ulim rrezikshmërinë në punë përmes pajisjeve”; dhe kjo pas fjalisë edhe më kontraverze të tij që NjSI “kanë pajisje mbi 10 euro” që ngjalli reagime të ashpra në vend si fyese ndaj njësiteve elitare.

Ulje rrezikshmërisë me pajisjeve? Mbase kryeministri mund të ketë pasur ndërmend që shteti t’i pajisë njësitet speciale me kostume të hekurta të Iron Man...

Unë kam dhënë një qëndrim shumë të qartë i cili është racional sa i përket shtesave të rrezikshmërisë. Shtatë kategori me shtesa prej 45 euro në 150 euro në mua. Njësia Speciale Intervenuese do t’i ketë 150 euro në muaj dhe mendoj që kjo nuk është pak”, tha Kurti në ATV ditë më parë.

Kjo 150 euro është shtesë e rrezikshmërisë, por ne rrezikshmërinë do ta zvogëlojmë jo thjesht me ftesa por me pajisje e gjithnjë e më moderne për NjSI-në, të cilëve u jam shumë mirënjohës për kontributin që japin. Zgjidhja duhet të jetë racionale...në Kosovë. Nëse e shihni bruto produktin për kokë banori është mbi vendet e Evropës Perëndimore”.

Një ditë më pas u takua me disa përfaqësues të NjSI-së në një takim që zgjati më shumë se tri orë e pa rezultat. Kurti s’do t’ua vinte veshin, e madje u raportua nga media vendore përmes burimeve të tyre se “kishte edhe ngritje tonesh” brenda takimit të vështirë.

Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një bisedë me Nacionalen thotë se “këto qëndrimet e ngurta të Kurtit janë të gabuara” teksa edhe kritikon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës që shkoi në takim pa përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Qalaj, në pyetjen se e sheh deklarimin e Kurtit se “do të ul rrezikshmërinë përmes pajisjeve” e jo rritjen e shteave të rrezkishmërisë, thotë se “kjo nuk ka lidhje”.

Sado që investon në infrastrukturë apo pajisje, rrezikshmëria s’ka të bëjë me ato çështje”, thotë Qalaj, teksa shpjegon se “rrezikshmëria e tyre është që nga dalja prej shtëpie e deri te kthimi në shtëpi...ata hasin në rreziqe të ndryshme”.

Prandaj, thotë ai prerazi, “kjo nuk ka të bëjë me infrastrukturë”.

Qalaj, megjithatë, vëren se në qoftë se përnjëmend nuk paska mundësi buxhetore që të rriten shtesat e rrezikshmërisë, “atëherë ato duhet të jenë siç kanë qenë më parë” para se t’ua ndalte Qeveria e Kosovës.

Sepse rrezikshmëria apo shtesat e rrezikshmërisë kanë të bëjnë me vendin e tyre të punës, me kundërpërgjigjen e tyre ndaj individëve dhe krimit në të gjitha nivelet”.

Qalaj thotë se ndjehet keq që edhe deputetë e analistë “po shkojnë në këtë frymë dhe rrymë” të të menduarit.

Lajme të ngjashme