Java e Rrahman Jasharajt dhe pretendimeve për fitore nga Qeveria Kurti - NACIONALE

Java e Rrahman Jasharajt dhe pretendimeve për fitore nga Qeveria Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas më shumë se një muaji grevë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka vendosur që pezullojë grevën dhe mësimi të fillojë të hënën. Rizgjedhja Albin Kurti në krye të VV-së, premtime për viza dhe përplasja në PDK, janë disa nga ngjarjet e javës që po lëmë pas.

Pezullimi i grevës

SBAShK ka njoftuar se greva e filluar me 25 gusht do të pezullohet deri më janar 2023.

Kështu ka vendosur anëtarësia e kësaj sindikate, e cila më shumicë të votave, vendosi që greva të pezullohet.

Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar nga qeveria që gjatë kësaj kohe të shfrytëzohet dialogu me ta.

Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë prapë greva si kjo e tanishme”, ka thënë ai në konferencë për media.

Grevistët vazhdojnë të kërkojnë shtesë prej 100 eurove, deri sa të hyjë në fuqi ligji i ri i pagave.

Në anën tjetër, Qeveria Kurti ka ofruar vetëm 50 euro duke refuzuar ofertën e SBAShK-ut.

Pas vendimit që të ndalet greva, vartës të pushtetit u krenuan dhe u pa si fitore e Qeverisë Kurti ndaj sindikatave. Bile, deputeti Dimal Basha, tha se Kurti 't'i palon'.

Ndërsa, nga SBAShK pati mësimdhënës të pakënaqur që të ndalet greva.

Mbetet të shihet nëse Qeveria dhe SBAShK-u do të gjejnë zgjidhje që të mos ketë grevë përsëri në janar 2023.

A L B I N K U R T I

Lëvizja Vetëvendosje të dilën mbajti procesin e brendshëm zgjedhor, me ç'rast votoi për kryetarin e ri të partisë, që rastisi të jetë po ai i vjetri – Albin Kurti.

Albin Kurti fitoi me 98.60 për qind të votave, kundrejt 1.4 për qind që nuk votuan për të.

Veç kryetarit, anëtarët e Lëvizjes sipas rregullores: një anëtar, një votë, zgjodhën Albulena Haxhiun si të parën e Forumit të Gruas dhe Behar Jasharin si kryetar të Rinisë.

Zgjedhjet në VV, u karakterizuan edhe me kritika dhe dallavare nga aktivistë të tyre.

Shumë nga ta u ankuan që u përjashtuan nga lista e votuesve, ndërsa disa nga ta edhe u eliminuan nga gara për kryetar të ndonjë dege të VV-së.

Pas zgjedhjeve, Kurti si kryetar takoi të enjtën strukturat e reja.

Kurti u shpreh se sfidat dhe nevojat e qytetarëve duhet të jenë edhe detyrat për programin e Vetëvendosjes, për progresin e gjithmbarshëm shoqëror, shtetëror e kombëtar, ndonëse sipas tij, Vetëvendosje nuk pretendon t’i mbivendoset popullit.

(Mos) liberalizimi i vizave

Më 13 tetor, në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, do të diskutohet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këtë e kanë konfirmuar burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë

Para diskutimit në BE, për vizitë në Kosovë ishte ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.

Kryediplomati çek premtoi ndihmë në liberalizimin e vizave teksa shtoi se ka biseduar edhe me shtetet që janë kundër liberalizimit të vizave.

Mbetet të shihet më 13 tetor nëse kosovarët do të barazohen me shtetet tjera për vizat.

Përveç këtyre ngjarjeve, Konventën Programore të Gruas Demokratike së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nxiti përplasje mes nënkryetares Vlora Çitaku me bashkëpartiaken e saj, Ganimete Musliut.

Musliu nuk mori pjesë dhe pretendoi se në këtë konventë ka pasur gra e persona që nuk janë as PDK dhe se po instalohet fryma e mungesës së transparencës.

E për këtë i reagoi Çitaku e cila ka thënë se PDK është e hapur për të gjithë.

Nuk kemi me u ndalë. Hapje. Reformim. Jo tjetërsim. Ska rrugë tjetër", kishte thënë Çitaku.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, kërkoi nga qytetarët që të bëhen gati për dimër duke izoluar shtëpitë.

Deklarata e saj u komentua gjerë e gjatë në rrjetet sociale, duke e talluar e akuzuar ministren.

Ministrja si duket nuk kishte haber që çmimi i izolimit të shtëpive kap vlerën e afro 5 mijë eurove.

Lajme të ngjashme