Goditje me çmime për popullin: Buka më shtrenjtë se kurrë në historinë tonë - NACIONALE

Goditje me çmime për popullin: Buka më shtrenjtë se kurrë në historinë tonë

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13.0% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021.

Ngritjen e madhe e çmimeve të konsumit është vërejtur tek yndyra ushqimore (52.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (48.6%); bukë dhe drithëra (32.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (32.0%).

Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve në Kosovë ka prekur në masë të madhe edhe bukën.

Një bukë në qytetet e tjera kushton 50 centë, por që nga java e kaluar, banorët e komunës së Fushë Kosovës dhe disa qyteteve tjera kanë parë që çmimi i një buke të arrijë deri në 60 centë.

Për këtë ngritje të çmimit foli edhe një qytetar nga Fushë Kosova i cili u ankua rreth çmimeve të reja.

“Sot isha në furrë, nuk kishte mbetur pothuajse asgjë më pak se 50 centë, buka kishte arritur në 60 centë, bureku 1 euro e 20 centë. Shumë e shtrenjtë, veç mantiat nga 15 centë.” – tha K.D nga qyteti i Fushë Kosovës.

Kjo është hera e dytë brenda një viti që çmimi i bukës rritet në Kosovë.

Edhe në vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian, kostoja e mishit, perimeve dhe bukës është rritur.

Produktet thelbësore si buka, vajrat dhe yndyrnat e gatimit kanë parë një rritje dramatike të çmimit.

Kjo është pjesërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka shkaktuar përçarje të mëdha në tregjet botërore, sepse Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit kryesorë të drithërave, grurit, misrit, farave vajore (veçanërisht lulediellit) dhe plehrave.

Në gusht 2022, çmimi i bukës në BE ishte mesatarisht 18% më i lartë se në gusht 2021. Kjo është një rritje e madhe krahasuar me gushtin 2021.

Këto të dhënat për indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK), janë publikuar së fundmi nga Eurostat.

Inflacioni i bukës në BE | Eurostat

Disa vende ishin shumë më të prekura se të tjerat. Norma mesatare më e lartë e ndryshimit të çmimeve të bukës u regjistrua në Hungari (+66% në gusht 2022), e ndjekur nga Lituania (+33%), Estonia dhe Sllovakia (të dyja +32%).

Inflacioni i bukës në BE, Gusht 2022 | Eurostat

Publikime të fundit të raporteve mbi ekonominë tregojnë se sa thellë dhe gjerësisht ka ndikuar lufta në Ukrainë në ekonomitë evropiane. Edhe pse Kosova nuk ka lidhje të rëndësishme me Ukrainën apo Rusinë, përsëri nuk ka arritur të jetë imune ndaj krizës.

Sipas përditësimit të Bankës Botërore për sigurinë ushqimore “Food Security”, nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni i lartë në produkte ushqimore vazhdon në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Lajme të ngjashme