Java e rezolutës së Shqipërisë dhe shqetësimit të Amerikës për Specialen
Javën që po lëmë pas, kryesisht debati dhe lajmet ishin më shumë nga Shqipëria. Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, miratimi i rezolutës kundër pretendimeve të Dick Martyt nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe raportimi ekskluziv i Nacionale se politika amerikane është e brengosur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, ishin kryetemat të cilat mund t’i lexoni më poshtë.
Rezoluta kundër Dick Maryt
Shumë debate, fyerje, e gati përplasje fizike u panë në Kuvendin e Shqipërisë. E gjitha rrëmuja me deklarata të forta, u shkaktua për një raport. Ish-senatori zvicëran, Dick Marty, e çështja e Gjykatës Speciale, përplasi si rrallëherë deputetët e pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Në fund, unanimisht u votua rezoluta kundër Raportit të Martyt, që akuzon, ndër të tjerash, Kosovën për trafikim të organeve.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka votuar projektrezolutën mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.
Kjo rezulutë kaloi me 125 vota pro.
Thikat pas shpinës ndaj Hashim Thaçit. Nafta për Serbinë e Millosheviqit në vitin 1999. Buzëqeshjet me Vuçiqin. Këto ishin vetëm disa nga akuzat që u përdorën në Kuvendin e Shqipërisë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.
“Dërgoi tash naftë Millosheviqit atje. E bëje Hashim Thaçin terrorist atje. Dil nga ana e tjetër. Futu andej e ktheje Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia përpara e thotë prit more vëlla, o bajraktar. Çfarë krenarie keni për luftën nëse s’keni kurajo ta respektoni komandantin e UÇK-së. Në rrethin e 9 të ferrit po të jetë Thaci, duhet të ngriheni në këmbë kur i përmendet emri”, tha Edi Rama.
Pas kësaj, pa radhë, fjalën e mori kryetari i PD-së, Sali Berisha. E ai, e akuzoi Ramën që e ka dërguar Thaçin në Hagë. Madje, e përmendi edhe emrin e Baton Haxhiut.
“Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në proces të arrestimit të Thaçit qëlloi një trinom, Kremlin, Beograd dhe Tiranë. Ky e mori dhe e futi Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan” – ka thënë Berisha.
Amerika e brengosur
Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë shprehur të shqetësuar me mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale po gjykon ish-krerët e UÇK-së.
Mënyra se si ky Tribunal është duke operuar ka filluar të irritojë shumë njerëz në Kosovë.
Nacionale ka kuptuar që stërzgjatja e procesit, trajtimi i pashembullt i të paraburgosurëve, duke i mbajtur në burg pa justifikim bindës, ka filluar t’i shqetësojë disa figura të rëndësishme në politikën amerikane.
Nuk ka kuptim që ky Tribunal të mos e lë asnjë rrugë çelë për t’u mbrojtur në liri personat që gjenden aty,”- ka thënë një burim i mirëinformuar.
Sipas këtij burimi, figura të rëndësishme të politikës amerikane kanë filluar të bëjnë pyetje të rëndësishme për këtë proces.
“Tribunali është i pavarur, por nuk është i shkëputur nga çdo gjë. Si duket operimi i tij në Hagë ka krijuar përshtypje të gabueshme të njerëzit që punojnë aty,” - tha ky burim.
Ndërkohë, ish-krerët e UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Hapja e negociatave
Shqipëria edhe zyrtarisht ka filluar procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar të gjithë që ishin pjesë e rrugëtimit drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë duhet të ndërtohet një Shqipëri evropiane, të fortë dhe një Ballkan të Hapur dhe demokratik.
Në Kosovë hapja e negociatave u mirëprit dhe u kërkua nga BE-ja që të liberalizojë vizat për kosovarët të cilët janë të vetimi të izoluarit.
Përveç ngjarjeve të thëna më lartë, në Kosovë pati debat edhe për skemën e Qeverisë Kurti “Qeveria për familjet” që parasheh një anëtar të punësuar për familje. Sipas ekonomistëve, kjo skemë nuk e zvogëlon papunësinë teksa partitë opozitare e kundërshtuan.
Gjithashtu, të shtunën gjatë ditë, një person u vra në Skenderaj, teksa dy të tjerë mbetën të lënduar.
Ndërsa një rrahje deri në alivanosje në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës, ka tronditur opinionin. Cak i sulmit ishte një hoxhë (60-vjeç), i cili u rrah nga xhemati i tij. Tre vëllezër, të cilët dyshohen për bindje ekstreme, përdorën shufra metalike për t’i qëruar hesapet rreth organizimit të xhamisë.
Po ashtu, Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane ka filluar aktivitetet në Prishtinë me një program artistik 100 ditor me performanca, evente dhe punëtori me qëllim të fuqizimit të qytetarëve për t'ua rikthyer hapësirën publike.



