Hotel Grand me 27 yje - për 100 ditë do të jetë hoteli më i pasur në botë - NACIONALE

Hotel Grand me 27 yje - për 100 ditë do të jetë hoteli më i pasur në botë

3 javë më parë

nga Vullnet Krasniqi

Për shumë vjet, Hotel Grandi në Prishtinë ishte një nga hotelet më të mira në ish-Jugosllavi. I vendosur në qendër të Prishtinës, hoteli humbi shkëlqimin e tij pas viteve 2000. Nga hotel me 5 yje, ai i humbi të gjithë në vitin 2014, pasi hoteli ishte - dhe ende është - në gjendje që nuk mund të quhet as hotel.

Por, për 100 ditët e ardhshme, Hotel Grand do të ketë plot 27 yje. Më saktësisht, nga 22 korriku në mbrëmje e deri në tetor, së paku për nga jashtë, Hotel Grand do të duket sikur një hotel që nuk është askund në botë. Përpos që do t’i ketë më së shumti yje në botë, për këto 100 ditë, edhe 6 katët e hotelit do të jenë të mbushura me art. Një hotel i tillë nuk ekziston askund.

Artisti kosovar Petrit Halilaj, një ndër më të njohurit edhe në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, ka sjellë intervenimin e tij në kuadër të Bienales Manifesta, duke ia hequr shkronjat e Hotel Grand, dhe duke vendosur fjalinë “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”. Fjalinë e mori nga një hartim që u gjet si pjesë e kërkimeve të Manifestës në objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sylejmani, që tash është si qendër e praktikave të të rrëfyerit.

Nacionale zhvilloi një bisedë me artistin Petrit Halilaj bash në terrasën e katit të 13-të të Hotel Grand. Dëgjojeni podcast-bisedën me Halilajn, që është zhvilluar në ambiente të jashtme, duke përshkruar ecjen nga hapësira para Grandit, liftit dhe hapësirave të jashtme.

Pjesa e dytë e podcastit është një muhabet mbi platonë e hotelit. Aty Petrit Halilaj rrëfen procesin e realizimiz të këtij intervenimi dhe se çka pritet të ndodhë pas 100 ditëve të Manifestës. A do të vendosen shkronjat e Hotel Grand sërish? Ku do të dërgohen shkronjat e tanishme? Cili është reagimi i artistit për fotot montazhë që kanë bërë qytetarët pasi kanë parë shkronjat e reja?

Lajme të ngjashme