Ish-këshilltari i Kurtit më 2015: Çlirimi nga Serbia tragjedi, pavarësia farsë – s’janë mjaftueshëm emancipuese - NACIONALE

Ish-këshilltari i Kurtit më 2015: Çlirimi nga Serbia tragjedi, pavarësia farsë – s’janë mjaftueshëm emancipuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agon Hamza është një nga të majtit më të njohur në Kosovë. Por, jo shumë për filozofi e ideologji, sa për afërsinë që ka me z.Albin Kurtin, njeriun padiskutueshëm më të fuqishëm politik aktualisht në Kosovë.

Ndonëse ka shkruar shumë artikuj, të botuara kryesisht në revistat e majta, Hamza në opinionin publik kosovar njihet si ish-këshilltar i Kurtit. Por, një pjesëz e shkurtër e një kapitulli libri, i botuar në vitin 2015, meriton reflektorët mediatik të Nacionales.

Z.Hamza, që ideologjikisht, së paku në deklarimet publike, është i afërt me z.Slavoj Zhizhekun, fiolozofin që vetëquhet marksist i komplikuar, ka një interpretim kontravers në lidhje me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Arsyeja pse interpretimi i Hamzës meriton cilësorin “kontravers” qëndron në faktin se ai, duke e shfrytëzuar një parim hegeliano-marksist të përsëritjes së dyfishtë të historisë, e quan çlirimin e Kosovës si tragjedi, ndërsa pavarësinë si farsë, shkruan Nacionale.com.

Në kapitullin e titulluar “Kosova: Dita e shumëpritur e Pavarësisë”, që është pjesë e librit me titull “Mirësevini në shkretëtirën e post-socializmit: Politikat radikale pas Jugosllavisë”, Hamza thekson se pavarësia e Kosovës solli më shumë kufizime imperialiste.

Pasojat e shpalljes së pavarësisë nuk bënë gjë tjetër, veçse përforcuan dëshpërimin dhe zhgënjimin. Nëse asgjë, pavarësia ka sjellë më shumë kufizime imperialiste, limite të mëtejshme të hapësirës politike dhe rënie ekonomike. Në këtë kuptim, ia vlen të kujtojmë fillimin librit të Marksit “Eighteenth Brumaire of Louis Bonaparte”: e përkthyer në kontekstin e Kosovës, çlirimi i vendit nga sundimi serb në vitin 1999 doli të ishte një tragjedi (administrim humanitar, prezantimi i ekonomisë së tregut, privatizim etj.), ndërsa pavarësia e vitit 2008 ishte thjesht një farsë.”, shkruante z.Hamza në librin e publikuar në vitin 2015.

Sipas Hamzës, ky interpretim i tij nuk duhet të kuptohet si “përqeshje” ndaj luftës dhe pavarësisë.

Kjo kurrsesi nuk duhet të lexohet si një përpjekje për të përqeshur luftën për liri të fundviteve 90-ta, apo rezistencën kundër regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviqit, që u zbatua gjatë asaj dekade. Kjo tezë që dua ta mbrojë këtu është se as rezistenca, e as deklarata e pavarësisë nuk ishin radikale apo emancipuese mjaftueshëm”, shkruante z.Hamza.

Në kapitullin në fjalë, z.Hamza flet edhe për ritkhimin e sovranitetit për Kosovën, e cila duhet të jetë një luftë në dy rrafshë: kundër intervenimeve neo-imperialiste “perëndimore” dhe kundër aspiratave të shtetit serb mbi Kosovën.

Si rezultat i këtij konstelacioni të sfidave, çështja e sovranitetit duhet të ngritet së pari kundër intervenimeve neo-imperaliste “perëndimore” dhe, së dyti, kundër aspiratave hegjemonike të shtetit të Serbisë, posaçërisht në lidhje me veriun e Kosovës”, thekson filozofi Hamza.

Natyrisht, Hamza thekson se shtypja gjatë viteve 90-ta e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, mund të cilësohet si periudhë e apartheidit. Në këtë kontekst, z.Hamza e kritikon edhe të majtën ndërkombëtare, e cila sipas tij nuk arriti të rrok kontekstin e luftës në Kosovë.

Pavarësia është emri për emancipimin, barazinë dhe çlirimin. Kjo është ajo që e majta perëndimore e kuptoi gabimisht. Ishte në modë dhe shumë e lehtë të kritikoje bombardimet e NATO-së”, shkroi tutje z.Hamza.

E dikah kah mesi i shkrimit, z.Hamza e fton në argument edhe Zhizhekun, dishepull i të cilit mëton të jetë ish-këshilltari i Kurtit. Në termet e Zhizhekut, që cilësohet si filozofi më i rrezikshëm në Perëndim, pavarësia e Kosovës metaforikisht mund të cilësohet si e “dekafizuar”. Pra kafe pa përbërjen e kafesë.

Hamza përmend edhe kundërshtimin që i bëri LVV procesit të negociatave për statusin e Kosovës.

Në anën tjetër, pikërisht gjatë kësaj kohe, atëbotë lëvizje politike Lëvizja Vetëvendosje! Lansoi slloganin e saj: ‘Jo Negociata – Vetëvendosje!’, duke kundërshtuar negociatat për statusin politik të Kosovës.”, shkruan Hamza, duke kritikuar se pasi u rekomandua pavarësia, sllogani nuk ishte më operativ.

E pas kësaj analize provokative, Hamza konkludon se pavarësia e Kosovës në këtë formë, nuk është një zgjidhje afagjate.

Në se jemi të sinqertë, rrallë do të gjenim dikë që beson se pavarësia e Kosovës, në formën e saj aktuale, është zgjidhja afatgjate. Shumë propozime janë bërë mbi të ardhmen e vendit: nga bashkimi me Shqipërinë, tek kthimi në Serbi, ose një federatë apo bashkim rajonal. Është e denjë të kujtojmë idenë e Tucoviqit për Federatën e Shteteve të Ballkanit si një zgjidhje e mundshme për regjionin”, shkruan tutje z.Hamza.

Hamza ka qenë këshilltar i Kurtit në qeverinë e parë të liderit të LVV-së. Për mosprezencën e z.Hamzës në kabinetin e Kurtit nuk ka pasur asnjëherë ndonjë shpjegim publik apo zyrtar.

Lajme të ngjashme