Ish-këshilltari i Kurtit e demanton ambasadorin Ajeti: Avokatët kosovarë s’njihen si të barabartë nga Gjermania
Dje Faruk Ajeti, ambasador i Kosovës në Gjermani, shkroi një status, në të cilin njoftoi se “avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania”. Këtë lajm, ai e quajti të mrekullueshëm e arritje të jashtëzakonshme, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë Kurti e shpërndau postimin e ambasadorit.
Por e vërteta duket të jetë pak më ndryshe nga ajo që shkoi ambasadori. Sipas njohësve të ligjit gjerman, Gjermania nuk e ka njohur të drejtën e avokatëve nga Kosova për të ushtruar profesionin në Gjermani në nivel të barabrtë me avokatët gjermanë. Çka ndodhi?
Anatomia e statusit…
Të fillojmë nga shkrimi i ambasadorit Ajeti. Që në hyrje, jepet një lajm “i mrekullueshëm”. Sipas ambasadorit, Gjermania i ka njohur zyrtarisht avokatët nga Kosova, duke shtuar se të njëjtit mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Gjermani.
“Çfarë lajmi i mrekullueshëm - avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania
Tani e tutje, avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare.” – shkroi Ajeti.
Në këtë fjali, Ajeti le të kuptohet se avokatët kosovarë tash e tutje do të arrijnë të ushtrojnë profesionin e avokatit në Gjermani në nivel të barabartë me avokatët gjermanë.
E pak më poshtë, ndryshon përmbajtja dhe ekziston një kundërthënie me fjalitë e cituara më lartë. Tash, sipas Ajetit, avokatët kosovarë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare. Pra jo të ushtrojnë profesionin e avokatit në Gjermani, por të përfshihen në raste ndërkombëtare.
“Të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike.” – shkroi ambasadori.
Në këtë kontekst, Ajeti e ndryshoi kuptimin e statusit, nga “ushtrimi i funskionit” të avokatit në Gjermani, në “përfshirje më të lehtë në raste ndërkombëtare”.
Ndërsa Jorn Rohde, ambasador i Kosovës në Gjermani, shkroi në Twitter se avokatët kosovarë tash mund të regjistrohen në Odën e Avokatëve në Gjermani. Ambasadori Rohde nuk e sqaroi saktësisht se çfarë do të thotë mundësia për të praktikuar avokatinë direkt në Gjermani.
Exciting development! Kosovar🇽🇰 lawyers can now register with German🇩🇪 bar associations, enabling them to practice directly in Germany. This step promises to enhance economic cooperation and streamline cross-border🇩🇪🇽🇰 project execution. A significant stride forward! 👨⚖️🤝⚖️ https://t.co/yryD80TtFW
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 11, 2023
Kritikat ndaj ambasadorit…
Durim Berisha, jurist në Gjermani dhe ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit, i tha gazetës Nacionale se ambasadori Ajeti, përmes shkrimit të tij, po krijon një përceptim të gabuar.
“Ambasadori i Kosovës në Berlin po krijon perceptim të gabuar në lidhje me ndryshimin e Rregullorës për regjistrimin e avokatëve te huaj në Odat e Avokatëve në Gjermani.
Me ndryshimin e këtij akti nënligjor është formalizuar një fakt që ka qenë i mundshëm edhe më herët. Fitimi i të drejtës për të ofruar konsulencë për të drejten kosovare apo ndërkombëtare.” – deklaroi Berisha për Nacionalen.
Madje, Berisha e qartëson se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohje apo barazvlerësim i licencës së avokatit të Kosovës me atë të Gjermanisë. Tutje, sipas Berishës, për të ushtruar profesionin e avokatit në Gjermani, avokatët nga Kosova duhet të përsërisin studimet në Gjermani dhe t’i nënshtrohen dy provimeve shtetërore të jurisprudencës.
“Mirëpo në asnjë mënyrë kjo nuk nënkupton njohje apo barazvlerësim të licencës së avokatit të Kosovës me atë gjermane. Ky regjistrim nuk lejon ushtrimin e profesionit te avokatit dhe ofrimin e sherbimeve juridike për te drejtën gjermane. Njohja e kualifikimeve profesionale për më tepër është kompetencë e landeve, pra jo e nivelit federal. Prandaj të gjitha ligjet e landeve përcaktojnë se si profesione të "reglementuara", profesionet juridike kanë parakusht përfundimin e suksesshëm të provimeve shtetërore të jurisprudencës. Juristët kosovarë duhet të përsërisin studimet në Gjermani dhe t'i nënshtrohen dy provimeve shtetërore te jurisprudencës, në mënyrë që të kenë te drejten e ushtrimit të profesioneve juridike dhe ofrimin e shërbimeve juridike për të drejtën gjermane. Ligjet e landeve parashohin se në rast të përsëritjes së studimeve në Gjermani, universitetet mund t'i njohin një kandidati deri në pesë semestra te studimeve, nga nëntë sa janë në Gjermani.” – shtoi ai.
Në fakt, edhe disa komentues në postimin e ambasadorit Ajeti e theksuan të njëjtën gjë, duke hedhur poshtë mundësinë e ushtrimit të profesionit të avokatit në Gjermani pas kësaj marrëveshjeje. P.sh. Valon Baraliu, qytetar, ia shpjegoi ambasadorit gjërë e gjatë marrëveshjen.
Ndërsa një qytetar tjetër, me emrin Enis Ajvazi, shkroi në statusin e ambasadorit, se "avokatët nga Kosova nuk lejohen të punojnë në Gjermani si avokatë të licencuar".
