Draft-Statuti i Asociacionit nga FES dhe EIP apo “Kali i Trojës” për Kosovën
Përderisa presioni për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk ka qenë asnjëherë më i madh ndaj Republikës së Kosovës, drafti i propozuar nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe Instituti Evropian i Paqes, përmban elemente të cilat jo vetëm që janë në kundërshtim me rendin kushtetues, por në fakt e zhbëjnë esencën e shtetësisë unitare të Kosovës.
Shkruan: Durim Berisha
Nuk është befasi që nëpër të gjitha proceset që ka kaluar Kosova, pasojat e “këshillave”, “ndihmës” apo “orientimit” të shteteve që në esencë e kanë përkrahur rrugëtimin tonë për shkëputje nga Serbia, janë vërejtur vetëm pas disa viteve. Nuk është i paktë numri i konstitucionalistëve që pak vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e kanë kualifikuar Kosovën si shtet të dështuar. Pa paragjykuar as dy organizatat e përfshira në përgatitjen e draftit (pasi emrat e autorëve/ekspertëve nuk ishin bërë publik) shikova elementet kryesore të atij propozimi. Ajo që buron nga ky tekst, i cili për fatin tonë tani-për-tani nuk ka karakter juridik, për secilin studiues të së drejtës kushtetuese duhet konsideruar i rrezikshëm dhe i papranueshëm.
Bishtnimi i bazës ligjore
Sipas drafti të propozuar, Statuti i Asociacionit do të bazohej në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dihet se vet emërtimi i këtij ligji që ka karakter procedural dhe jo përmbajtësor, nuk përputhet me marrëveshjen e Brukselit, sepse ajo marrëveshje është nënshkruar nga Prishtina dhe Beogradi. Shkenca juridike konsiderohet edhe shkencë e fjalëve, prandaj përdorimi i emërtimeve të gabuara shkakton pavlefshmëri të një akti juridik. Për më tepër, është fakt notor se Parlamenti i Serbisë nuk e ka ratifikuar asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, si të tilla ato nuk kanë hyrë asnjëherë në fuqi dhe për shkak të kalimit të afateve, konsiderohen juridikisht nule. Injoranca e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe “amicus curia” kur kishin trajtuar kërkesën e Presidentes Jahjaga në vitin 2015, kulmoi me konstatimin se tanimë Kosova ka lidhur një marrëveshje ndërkombëtare dhe kësisoj ka obligim që ta themelojë asociacionin.
Mirëpo për autorët e draftit si duket është i njohur fakti se marrëveshja e Brukselit nuk ka karakter juridik, sepse dihet parimi juridik se një tekst konsiderohet si normë juridike vetëm atëherë kur ajo hyn në fuqi. E në rastin tonë marrëveshja ka ngelur në statusin e një teksti që në të vërtetë nuk krijon pasoja juridike.
Për këtë arsye si bazë ligjore propozohet të shërbejë Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013, i cili përpos që nuk mund të shërbejë si bazë ligjore për faktin se nuk përcakton përmbajtësisht asgjë më shumë sesa konstatimin se Kuvendi e ka ratifikuar marrëveshjen, pra është thjeshtë një akt parlamentar që konstaton se Kosova ka përmbushur pjesën e saj të procedurës, por jo edhe se marrëveshja ka hyrë në fuqi, sepse ajo është akt i dyanshëm dhe si i tillë hyn në fuqi kur edhe pala tjetër përmbush procedurën kushtetuese dhe ligjore (që dihet se nuk e ka bërë).
“Entitet ligjor” jashtë rendit juridik të Kosovës
Ndonëse në disa pjesë të draftit përmendet se Asociacioni do të respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, një pikë tjetër jokushetuese (gjithmonë në frymën e këtij drafti) është përcaktimi i asociacionit si “entitet ligjor” që vihet në jetë nga Qeveria përmes një akti juridik të saj. Për më tepër, Statuti miratohet nga Kuvendi Kushtetues (termi “constituent assembly” në gjuhën angleze në të drejtën kushtetuese nënkupton një organ kushtetutëdhënës dhe jo një organ themelues. Njohja e karakterit kushtetues këtij organi do të shërbente si bazë në të ardhmen për të ndryshuar natyrën dhe karakterin juridik, e besa edhe statusin e vet territorit brenda të cilit gëzon pushtet ky asociacion.
Ndonëse Statuti pas miratimit duhet të aprovohet nga Qeveria dhe të vihet në jetë edhe akti themelues, edhe vet asociacioni, ajo nuk gëzon më asnjë kompetencë për të kontrolluar apo shpërbërë këtë “entitet ligjor”, të cilit i bartën kompetenca kushtetutëdhënëse. Propozohet që një vit pas hyrjes në fuqi t’i njihet e drejta Qeverisë që të delegojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e implementimit të Statutit dhe funksionimin e asociacionit. Marrë parasysh se sipas këtij drafti, Kuvendi është lënë jashtë loje, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese madje as kjo nuk do të ndodhte.
Propozimi që ky asociacion të mund të shpërbëhet vetëm nga kuvendi i vet, i njeh faktikisht statusin e njësisë autonome brenda Republikës së Kosovës.
Konflikti kushtetues me një entitet ligjor apo njohja faktike e elementit shtet-formues
Ndonëse Asociacioni nuk duhet të rrezikojë qenësinë e shtetësisë së Republikës së Kosovës, në momentin që mendohet t’i njihet subjektiviteti i palës në procedurë kushtetuese, i ngjashëm me konfliktin mes organeve qendrore dhe regjionale (jo lokale/komunale) në shtetet federale, atëherë zhbëhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës. As Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar këtë aspekt fare në vendimin e vitit 2015, ndonëse ky është aspekti kryesor që do duhej gjykuar. Republika e Kosovës është shtet unitar në të cilin elementi etnik nuk është element shtet-formues. Republika e Kosovës nuk është shtet-komb, por në fakt paraqet fundin e konceptit të shtetit-komb. Nuk është as demokraci konsensuale si theksohet gabimisht, pasi nuk përmbush asnjë kriter të përcaktuar nga vet Arend Lijphart, mirëpo është shtet që formohet nga shtetasit e saj, pra nga të gjithë ata që e pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe që Kosovën e shohin si shtetin e tyre. Republika e Kosovës ka karakterin e shoqërisë shumetnike, pra njeh dhe respekton të drejtat e komuniteteve pakicë në raport me shumicën shqiptare.
Zingjiri i “legjitimitetit kushtetues” përmes zgjedhjes së anëtarvë të asamblesë nga Kuvendet Komunale
Edhe në shtetet me karakter federal është paraparë që organi që përfaqëson dhe mbron interesat e njësive federale, nuk duhet të përbëhet nga të deleguarit e organeve legjislative apo të zgjidhen nga populli. Kjo me qëllim që të pamundësohet krijimi i të ashtuquajturit zingjir i legjitimitetit kushtetues që në instancë të fundit mund të shërbejë si bazë për përligjje të një vendimi për shkëputje apo edhe ndryshim të statusit apo subjektivitetit ligjor. Në çfarëdo varianti, nëse ndonjëherë do të formohej një bashkësi e komunave, anëtarët e saj duhet të jenë përfaqësuesit e organeve ekzekutive komunale dhe ajo nuk guxon të këtë një kuvend (hiq se hiq kushtetues). Ajo do të funksiononte si bashkësi e komunave që në asnjë mënyrë nuk mund të konceptohet si njësi me elemente konstituive të shtetit. Me fjalë tjera, si një union i bashkëpunimit të kryetarëve të atyre komunave që koordinojnë veprimtari të caktuar.
Flamuri dhe stema – njohje e elementit konstituiv
Cilado shoqatë ka logon e saj. Kështu parashihet edhe me ligjet respektive në Republikën e Kosovës. Mirëpo ato nuk kanë flamuj dhe stema. Flamujt dhe stemat janë mënyra sesi identifikohet dhe përfaqësohen njësitë territoriale me karakter shtetëror apo autonom. Besoj se nuk ka nevojë për një arsyetim të mëtutjeshëm apo përsëritje të argumenteve të mësipërme.
Përgjegjësia ekonomike dhe financimi nga Serbia
Një ndër karakteristikat kryesore të “personave juridikë të së drejtës publike” është bartja e autorizimeve publike (pushtetit shtetëror), ngjashëm si është propozuar më draftin në fjalë. Mirëpo një formacion që nuk paraqet një njësi shtet-formuese, nuk gëzon një fushëveprim aq të gjerë në aspektin ekonomik. Po ashtu, personave juridikë të së drejtës publike u ndalohet të pranojnë drejtpërdrejtë financime nga organizata te huaja apo nga shtetet tjera. Personat juridikë të së drejtës publike financohet përmes institucioneve shtetërore dhe i nënshtrohet auditimit dhe kontrollit të plotë nga to, e jo sikurse në rastin konkret ku është propozuar një kompetencë e pakontrollueshme në sferën e ekonomisë në territorin që mbulon asociacioni. Po ashtu, drafti përcakton shprehimisht financimin nga Serbia.
Duke marrë parasysh se struktura e asociacionit është i një rëndësie dytësore në krahasim me aspektet e trajtuara, nuk e kam vlerësuar të nevojshëm trajtimin e mëtutjeshëm të propozimit në lidhje me strukturën dhe organet e propozuara.
Pavarësisht që dy organizatat që qëndrojnë prapa këtij drafti e patën gojën plotë “përputhshmëri” me kushtetutën dhe pavarësisht që në disa dispozita të propozuara përmendet epërsia e kushtetutës dhe ligjeve, esenca e këtij drafti e gërryen ngadalë rendin kushtetues, ndërsa në disa aspekte u theksua se qartazi e zhbën sistemin kushtetues të Kosovës. Një asociacion sipas këtij drafti do të ishte më i rrezikshëm për Kosovën, sesa që ishte Kali i Trojës për trojanët.
Autori është jurist kushtetues dhe në të kaluarën ka shërbyer si këshilltar për çështje kushtetuese pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Avokatit të Popullit dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti (2020). Qëndrimet e shprehura në këtë opinion janë personale dhe nuk pasqyrojnë asnjë nga institucionet ku ka punuar apo me të cilat aktualisht bashkëpunon.
