Intervistë | Murati: Nëse Qeveria vazhdon me të njëjtën logjikë, raportet me SHBA-në e Trumpit do të pësojnë rënie të mëtejme - NACIONALE

Intervistë | Murati: Nëse Qeveria vazhdon me të njëjtën logjikë, raportet me SHBA-në e Trumpit do të pësojnë rënie të mëtejme

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Më pesë nëntor, Donald Trump u votua me shumicë për të drejtuar edhe për katër vite fuqinë më të madhe globale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për Nacionalen, Valon Murati, profesor në kolegjin “Universum” dhe kryetar i Lëvizjes për Bashkim, komenton ndikimet e fitores së Trumpit për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkë me fitoren e Trumpit, është diskutuar në publik edhe mundësia e rikthimit të Richard Grenellit, një emër i njohur për kosovarët për shkak të marrëdhënieve të lëkundura me Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës. Murati beson se “shtyllat e politikës së jashtme amerikane” nuk do të “lëkunden në masë aq të madhe vetëm për shkak të natyrave njerëzore.

Lexojeni të plotë intervistën e plotë:

1. Tashme Donald Trump është zyrtarisht president i zgjedhur i SHBA-së. Si duhet lexuar fitorja e Trumpit prej një perspektive nga Prishtina?

Valon Murati: Para se të trajtohet mundësia e ndryshimeve në politikën e jashtme amerikane me ardhjen e Trampit në krye, ne do të duhej të shohim veten në pasqyrë në raport me atë se çfarë ne po duam, cilat janë objektivat tona, si e shohim veten në rajon, në Evropë dhe në raport me SHBA-në. Po ashtu ne do të duhej të brengoseshim se cilat janë marrëdhëniet tona me qeverinë aktuale amerikane, marrëdhënie të cilat janë në pikën më të ultë që ndonjë qeveri jona ka pas me ndonjë administratë amerikane. Nëse qeveria jonë, kjo e tanishmja dhe ajo e ardhmja, vazhdojnë me të njëjtën logjikë, marrëdhëniet mund të pësojnë rënie të mëtejme. Me Trampin në krye, kjo rënie mund të merr karakter edhe të ndonjë përplasjeje publike më dramatike, edhe për shkak të stilit të tij të lidershipit. Sigurisht nëse ne e dimë se çfarë po duam, sidomos në raport me Serbinë, dhe punojmë afër me administratën e re amerikane, ky stil i lidershipit mund të na përshtatet të mbarojmë punë me Serbinë dhe të ngrisim nivelin e marrëdhënieve me SHBA-të.

2. Bashke me fitoren e Trumpit, tanimë në ekuacion është përfshirë edhe mundësia e rikthimit të Richard Grenellit në administraten amerikane. Grenelli ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Albin Kurtin gjatë mandatit të parë dhe shumë analistë vendorë e ndërkombëtarë kanë theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të shqetësohet. Duke pasur parasysh këtë kontekst historik të marrëdhënieve mes Kurtit e Grenellit, a ka vend për shqetësim?

Murati: Sado të rëndësishëm që të jenë natyrat e personaliteteve udhëheqëse kudo në botë, dhe në këtë rast edhe në SHBA, e sidomos në kontekstin e fitores së një presidenti jo tipik si Tramp, megjithatë nuk besoj se shtyllat e politikës së jashtme amerikane do të lëkunden në masë aq të madhe vetëm për shkak të natyrave njerëzore. Mund të ketë prioritete të tjera, mund të ketë stil të ndryshëm të realizimit të objektivave të njëjta, por jo lëvizje të mëdha nga kornizat e politikës së jashtme amerikane. P.sh. ajo që po vërehet tani e një kohë të gjatë, politika ndaj Kinës mbetet prioritet strategjik i politikës bipartizane amerikane. Apo nëse e marrim edhe qëndrimin e fortë publik, me tone edhe kërcënuese ndonjëherë të administratës Tramp 1 për pagesën e 2% të Bruto Prodhimit të Brendshëm (DGP) për shpenzimet e mbrojtjes nga anëtaret e tjera të NATO-s, është një proces i filluar që nga administrata Bush në vitin 2006 e për të vazhduar me atë Obama në vitin 2014 kur u morën obligimet nga të gjitha shtetet se në vitin 2024 duhet të realizohen këto obligime. E njëjta vlen për Grenellin dhe raportin me qeverinë aktuale, përfshirë kryeministrin Kurti. Nëse gjendet gjuha e duhur e komunikimit, e kombinuar me objektiva të qarta dhe sinqeritet në veprime, nuk shoh ndonjë rrezik. Por nëse vazhdohet me kleçka në raport me amerikanët, kushdo që do të jetë pjesë e administratës e që do të merret me rajonin dhe me ne, do të jetë shumë më i drejtpërdrejtë dhe i prerë. Por mund të ndodhë edhe tërheqja nga marrja aktive me ne, për aq sa nuk rrezikohet siguria rajonale. Kjo do të ishte “parajsë” për politikanët populistë si këta që kemi e sidomos kryeministri aktual, por do të ishte “ferr” për qytetarët sepse do të mbesnin në rrethin vicioz të problemeve të pazgjidhura me Serbinë dhe gjithë pasojat që vijnë pas saj.

3. Në këtë mjedis politikisht të trazuar ndërkombëtar, përfshirë rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e raportet e luhatura të Qeverisë Kurti me aleatët, cili eshte pozicioni i Kosovës sot në rendin ndërkombëtar? A jemi në pozitë të mirë politike apo u duhet rënë këmbanave për gjendjen e pafavorshme?

Murati: Në mjedisin e trazuar ndërkombëtar roli ynë është krejt i pavrejtshëm. Sidoqoftë ne kemi një rol në rajonin tonë, dhe kryesisht një rol në fushën e sigurisë rajonale, për shkak të problemeve të pazgjidhura me Serbinë. Për më tej një kemi po ashtu një rol në rajon edhe si pjesë e faktorit shqiptar i cili për rajonin është i rëndësishëm. Fatkeqësisht kryeministri Kurti ka ndikuar që edhe në këtë të fundit të rrënojë goxha shumë pozitën e Kosovës. Në këtë kontekst do të duhej ta maksimizonim këtë pozicion rajonal, pa jetuar në iluzione për ndonjë rol e aq më pak ndikim global. E në këtë kontekst ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie pune e partneriteti me ato që i konsiderojmë shtete aleate, në radhë të parë SHBA-në dhe vendet evropiane. Fatkeqësisht viteve të fundit pozicioni i Kosovës nuk është i favorshëm dhe atë për fajin e politikës sonë. Për të qenë i qartë nuk rrezikohet pavarësia e vendit, por domosdo rrezikohet cilësia dhe shpejtësia e ecjes përpara të vendit tonë dhe shumë sektorëve të rëndësishëm të shoqërisë. Dhe krejt ky është rezultat i moszgjidhjes së problemeve me Serbinë. Zgjidhja e këtyre problemeve është kyçi për të ecur përpara. Sigurisht moszgjidhja e këtyre problemeve përkthehet në mos konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, por edhe të mos stabilitetit të brendshëm, e sidomos në veriun e vendit e rrjedhimisht shumë më pak energji pastaj në sektorët e tjerë prej ekonomisë në çështjet sociale, e prej arsimit në shëndetësi. Politika jonë, përfshirë edhe qeveritë e kaluara, nuk është treguar serioze në qasjen e zgjidhjes së këtyre problemeve. Në një mënyrë ose mënyrën tjetër, dy zgjidhjet që janë ofruar në tavolinë, atë të asociacionit të cilin e kanë pranuar të gjithë, përfshirë kryeministrin aktual, por kanë refuzuar ta zbatojnë, dhe atë të ripërcaktimit të kufijve (që u shty nga ish presidenti Thaçi) janë refuzuar dhe refuzohen nga politika jonë. Dhe këto refuzohen pa ofruar ndonjë alternativë tjetër, gjë që irriton ndërkombëtarët. Ne në vitet 2018, 2019 e lëshuam mundësinë për ta zgjidhur problemin përmes ripërcaktimit të kufijve me Serbinë, e cila jo vetëm se për herë të parë i bënte shqiptarët e Kosovës Lindore pjesë të zgjidhjes, por hapte pastaj mundësinë për rënien e kufizimeve që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit, funksionalizmin dhe konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës me mundësi edhe për realizimin e projektit madhor të shqiptarëve të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një entitet shtetëror. Duke e refuzuar dhe demonizuar këtë projekt, duke i refuzuar të tjerat projekte dhe duke mos pasur ne oferta të tjera, rrezikojmë që ose të harrohemi siç e thashë më lartë, ose nëse ndodh ndonjë riaranzhim i rendit ndërkombëtar sidomos për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, të bëhemi pjesë e ndonjë pakoje të zgjidhjes globale. E atëherë askush nuk mund të garantojë se çfarë fitojmë dhe humbim. Mund të vajtohet projekti i ripërcaktimit të kufijve, sepse mund të përfundojmë me humbjen e veriut pa fituar asgjë në Kosovën Lindore, ose mund të detyrohemi të ofrojmë asociacionin i cili do të përmbante të tilla kompetenca që më tej do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës.

4. Sigurisht, nuk kam se si ta shmangu temën e zgjedhjeve te 9 shkurtit te vitit 2025. Lëvizja për Bashkim, të cilën e drejtoni, nuk do të jetë pjesëmarrëse. Pse?

Murati: Duke qenë se nuk ishim të përgatitur për të dal vetë, edhe si pasojë e dobësive e mangësive tonat, në mes të dy këqijave: hyrja në koalicione me subjekte me të cilat nuk kemi përputhje programore, sidomos sa i përket zgjidhjes së problemeve me Serbinë, dhe mos daljes në zgjedhje, ne zgjodhëm të keqen më të vogël. Atë të mos pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

5. Skena politike kosovare eshte e polarizuar, ndoshta më shumë se kurrë më parë. Gjuha denigruese politike është prezente shpesh e fuqishëm. Si profesor universitar, por edhe si politikan, si e shihni skenën politike sot?

Murati: Nuk është kjo gjuhë produkt vetëm i kontekstit aktual, por një gjuhë e tillë dhe diskurs publik agresiv, me ndarjen të tilla deri në “patriot” dhe “tradhtar”, “të ndershëm” dhe “hajna”, etj, është imponuar tash e më shumë se një dekadë, dhe mbi të gjitha nga pushteti aktual sa ishte në opozitë por edhe eksponentë të tjerë politikë, medial, dhe të shoqërisë civile. Ne sapo e kishim shëruar sipërfaqësisht me shumë mund plagën e thellë në mes të “krahut të luftës” dhe “krahut pacifist”, u gjetëm në vorbullën e re, e ndikuar edhe nga ajo ndarje e mëhershme, e që është shfrytëzuar maksimalisht nga ky pushtet. Sigurisht krejt kjo që po e jetojmë në botën e sotme, me rrjetet sociale, portalet, inteligjencën artificiale, pra me botën virtuale (ku ne jemi të mirët, pa marrë parasysh si jemi në jetën reale, dhe tjerët janë të këqijtë), po i thellon ndarjet shoqërore dhe kudo në botë po përdoret nga politikanët dhe politikat populiste. Kjo situatë po trondit themelet edhe të shoqërive shumë më të konsoliduara politikisht, ekonomikisht dhe me vlerat e demokracisë, e le më një shoqëri të brishtë si ne. Kam bindjen se kemi qenë krejt të papërgatitur si shoqëri për këtë kontekst të ri që po krijon bota virtuale, lehtë e manipulueshme, e sidomos lehtë e manipulueshme në raport me pakënaqësitë e shumta që të gjithë kemi në jetën reale. Zërat e arsyeshëm sot nuk dëgjohen. Nuk janë atraktivë, nuk janë të votueshëm. Qëndrimet ekstreme qoftë për politikën, qoftë për ideologjitë, qoftë për fenë, qoftë për çështjet identitare, ekonominë etj., kanë kapluar shoqërinë dhe rrjedhimisht, kanë bërë shumicën e heshtur dhe zërat e arsyes të vazhdojnë heshtjen. E nëse ka që flasin dhe artikulohen, ata shpesh duken oportunistë, sepse nuk po marrin anë në njërën ndër qëndrimet ekstreme. E në shumicën e rasteve për debatet tona të brendshme dhe ato globalet e vërteta është diku në mes. Kjo është situatë e trishtueshme, nga e cila do të gjendet rrugëdalja, por duhet kohë.

6. Gjatë katër viteve, Qeveria Kurti është kritikuar për shumë çështje, përfshirë keqqeverisjen e aferat e dyshuara korruptive. Në botëkuptimin tuaj, a duhet të ketë Kurti dhe VV-ja edhe një mandat?

Murati: Se a do të ketë Kurti edhe një mandat për qeverisjen e vendit kjo nuk është në dorën time por të qytetarëve të Kosovës. Është evidente se e proklamuar si qeveri shprese, e me një shumicë absolute në kuvend, kjo vetëm një qeveri shprese nuk ishte. Për më tepër, me një mandat të tillë popullor, nuk kishte guximin vizionar për të na hequr Serbinë nga tavolina e jetës sonë të përditshme me ndonjë vendim të guximshëm. I ardhur duke nënçmuar bisedimet me Serbinë, për krejt çka mbahet mend kjo qeveri do të jenë bisedimet me Serbinë, situata në veri dhe diskursi i vazhdueshëm mbi kërcënimin e vazhdueshëm nga Serbia. Më shumë është folur për luftën në vitet e fundit, se në periudhën e pas luftës në Kosovë, kur nuk ishim shtet dhe ishim nën administrimin ndërkombëtar. Po, veprimet në veri, raporti me ndërkombëtarët, qasja ndaj Serbisë duken të guximshëm në raport me marrjen e votave dhe në planin afatshkurtër, por në planin afatgjatë, Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk i zgjidhet asnjë problem. Ajo që vërehet është se fryma e ndryshimit që ka ekzistuar viteve të kaluara, e sidomos para katër vitesh, tani nuk është prezente. Pra nuk ka frymë për qeverinë Kurti. Por frymë nuk ka as për opozitën. Në këtë situatë, nuk është çudi kryeministri Kurti të na “befasojë” me ndonjë veprim në veri për të krijuar një frymë tjetër afatshkurtër në prag të zgjedhjeve (si p.sh. hapja e urës për makina në Ibër, etj.).

Lajme të ngjashme