Intervistë | Krasniqi: Asociacioni nuk do ta kalojë testin, Kurti po fshihet pas Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur rezerva të mëdha për draftin-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka bërë me dije se problemet kryesore të këtij dokumenti janë përfshirja e rezolutës 12 44 dhe krijimi i komisionit të arbitrazhit.
Kjo e fundit, sipas Krasniqit, Asociacionin e nxjerr jashtë rregullimit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk do ta kalojë testin në Gjykatës Kushtetuese.
“Është një tekst që vërtetë lenë hapësirë të shumtë për shqetësim. Sepse ne këtu po flasin për një dokument, i cili nëse do të miratohej do ta ndryshonte rregullimin shtetëror të Kosovës. Që nga dita e parë, unë kam thënë se janë dy probleme themelore me draftin, pa dashtë me marrin rolin e ekspertit të drejtës kushtetueses. Përfshirja e Rezolutës 12 44 në preambulë dhe krijimin i një komisioni të arbitrazhit, i cili realisht e nxjerr Asociacionin jashtë rregullimit juridik kushtetues të Kosovës. Nuk besoj se këto do ta kalojnë testin kushtetues”, ka thënë Krasniqi.
I pari i PDK-së ka akuzuar kryeministrin Kurti se për këtë çështje fshihet pas Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka kërkuar që kryeministri Kurti paraprakisht ta jap një përgjigje politike për situatën në të cilën ndodhet Kosova.
Sipas tij, i pari i qeverisë, e ka për obligim të tregojë pse Kosova ka ardhur në këtë pikë.
“Para se të fshihet kryeministri dhe qeveria mbrapa një përgjigje juridike, e kanë obligim që të japin një përgjigje politike. Sepse përgjigjen juridike dhe interpretimin e dokumentit të vërtetë duhet ta bëj Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se çka do të thotë. Por, përgjigjen politike duhet ta jep kryeministri, sepse është përgjegjësi e tij. Pse kemi ardhur deri këtu? Pse na imponohet një tekst i tillë sikurse na u imponua marrëveshja bazë, të cilën kryeministri e mbështet dhe e mbron?”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se kryeministri ka ndryshuar qëndrimet e tij rreth Asociacionit.
“Të gjithë jemi pajtuar për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje të ndërsjellë. Por, nën qeverisjen e Kurtit ne morën një marrëveshje të përkohshme, të pjesshme, dhe të përqendruar në Asociacion. Këtu unë besoj se fillimisht duhet të kërkohet përgjegjësi politike”, është shprehur Krasniqi.
I pari i PDK-së ka vlerësuar se partia e tij ka pasur qëndrim konsistent gjatë gjithë kohës për këtë çështje.
“Ne kemi rezerva sa i përket tekstit, ne besojmë që se paku në këto dy elemente që i përmenda nuk e kalojnë testin kushtetues. Por, këto janë përgjigje juridike, për neve është me rëndësi përgjigjja politike. Pse kemi ardhur deri këtu? Pse z. Kurti e ka sjell Kosovën në një situatë ku dy herë brenda vitit na vjen një dokument “merre ose lere”, i cili ka të bëj me karakterin e shtetit për të cilin kemi punuar, sakrifikuar dhe jemi flijuar si popull me dekada”, është shprehur Krasniqi.
Kosova po e përmbyll një vit të degradimit
Kreu i PDK-së ka folur edhe për zhvillimet tjera gjatë vitit 2023.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti Kosova ka pësuar degradim në çdo sektor të jetës.
“Për fat të keq, këtë vit po e përmbyllim me një degradim të skajshëm në pothuajse secilin sektor të jetës. Kemi një ekonomi në rënie. Është hera e parë që pas shumë viteve, përveç vitit pandemik, që kemi një ekonomi që nuk e kalon rritjen brutoprodhimit mbi 3.5 për qind, me eksporte në rënie prej 8 për qind, me investime të reja të zvogëluar dhe me migrim të theksuar. Pra, me rritje të numrit të njerëzve që kanë humbur shpresën në perspektiven që ofron vendi”, ka thënë ai.
Më tej, Krasniqi ka përmendur degradimet në sektorin e shëndetësisë.
“Pastaj, me një degradim të skajshëm të sektorit të shëndetësisë, me mungesë të barnave pothuajse në secilin prej spitaleve, në mënyrë të veçantë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me lista të pritjes për intervenime, që para disa vitesh nuk kishte pritje fare”, është shprehur ai, duk folur edhe për dështimet në arsim dhe fushat tjera.
“Po ashtu, edhe me ngecje totale në diplomaci. Pa asnjë njohje të re, pa asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pa asnjë avancim në fuqizimin e shtetit të Kosovës. Dhe, po ashtu, me sanksione, me masa ndëshkuese nga BE-ja. Pa perspektivë zhvillimore të përgjithshme dhe pa perspektivë të integrimit euroatlantik, pa asnjë hap në procesin integrues. Fatkeqësisht, Kosova po mbetet si vrimë e zezë në Evropë”, ka vlerësuar Krasniqi.
Megjithatë, i pari i PDK-së ka përmendur edhe fushën ku ka pasur suksese Kosova gjatë këtij viti.
“Ndoshta të arritura e vetme, për të mos u dukur nihilist, janë në fushën e sportit, të kulturës dhe në disa prej fushave të cilat vërtetë edhe pa e pasur mbështetjen e institucioneve kanë arritur të na japin mundësi të krenarisë”, ka thënë Krasniqi.
Refuzimi i ftesës së presidentes
Kreu i PDK-së ka treguar se pse ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për të diskutuar rreth çështjes së Asociacionit.
Ai ka thënë se ky takim nuk kishte ndonjë vlerë, prandaj ka refuzuar të marrë pjesë.
“Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, takim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun, nuk kam shkuar jo për arsye të tjera, por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit”, ka thënë Krasniqi.
Takimet e tilla, sipas Krasniqit, janë takime për analiza politike.
“Pra, takimet që mund t’i mbajmë e që quhen konsultative janë veç takime të analizave. Unë nuk mund të lëshohem në rolin e një analisti për t’u takuar bashkë me presidenten për të dhënë mendime të caktuara të cilat nuk prodhojnë asgjë, sepse prej këtij takimi përtej një kortezie dhe një diskutimi të hapur që mund ta kishim, nuk do të kishte efekt ligjor e as politik, asgjë. Kjo është arsyeja që thjesht nuk kam menduar që duhet të shkojmë. Përtej kësaj, PDK-ja në korrik ka marrë vendim që ne jemi të hapur për takime ku diskutohet për zgjedhje të reja”, është shprehur Krasniqi.