Intervistë | Izet Mexhiti: Ali Ahmetit i dëshiroj ditë të qeta në opozitë
Gara zgjedhore në Maqedoninë e Veriut është në fazën përfundimtare. Pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, tash fushata në kampin shqiptar është e përqendruar vetëm në çështjen e zjedhjeve parlamentare, pasi asnjëri prej dy kanditatëve shqiptarë nuk arriti të futej në balotazh.
Në një intervistë për Nacionalen, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, që është pjesë e koalicionit opozitar shqiptar, VLEN, flet për çështjen e hyrjes në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Mexhitit, me ardhjen në qeveri të VLEN-it do të përfundojë edhe “era e pandëshkueshmërisë për BDI-në”, partisë më të madhe shqiptare të udhëhequr nga Ali Ahmeti, një figurë e njohur edhe në Kosovë.
Tutje, Mexhiti është i bindur që Ahmeti do të përfundojë jashtë pushtetit pas zgjedhjeve të 8 majit dhe të cilit i “dëshiron ditë të qeta në opozitë”. Ndonëse nuk tregoi saktësisht se çfarë posti synon, në qarqe të ndryshme tashmë theksohet se Mexhiti pritet të jetë ministër i Punëve të Brendshme.
Intervistë:
Nacionale: A keni kushte për të hyrë në Qeveri?
Mexhiti: Fillimisht, mendoj se koncepti "kushte për Qeveri" qëllimisht u promovua nga ekspertë të caktuar të marketingut, të cilët janë të angazhuar në fushatën e BDI-së. Për të qenë korrekt, dhe këtë e thotë dikush që e njeh BDI-në në gjenezën e vet, mu kjo BDI, në momentin e parë që do t'i jepej ndonjë mundësi, me vrap do të hynte në qeveri hiç pa kushte. Pse? Sepse ata tani kanë nevojë për imunitet. Është e qartë se era e pandeshkueshmerisë për BDI-në po përfundon dhe se do të ketë përgjegjësi dhe llogaridhënie, edhe politike, edhe penale për aferat e shumta, mes të cilave më skandalozet janë padyshim SORAVIA dhe LLOTARIA.
VLEN-i është koalicion i subjekteve opozitare politike, të cilat angazhohen për ta sjellë ndryshimin e shumëpritur për shqiptarët e Maqedonisë. Koha është që të rrënohet regjimi njëpartiak te shqiptarët e Maqedonisë pas 23 vjetëve.
Dhe ne do ta negociojmë mandatarin për formim të qeverisë me programe, premtime dhe përcaktime, ndërsa qëllimi parësor për ne do të jetë mbrojtja e interesit të votuesit shqiptar në Maqedoni, si dhe orientimi pro-perëndimor i tij.
Nacionale: Cilat ministri i synoni si opozitë dhe personalisht ju?
Mexhiti: Opozita synon që të sjellë ndryshim kualitativ në pjesëmarrjen politike të shqiptarëve në Maqedoni. Pas 24 viteve participimi simbolik, tani është koha për participim kualitativ, përmbajtësor. Në erën e inteligjencës artificiale, shqiptarët e Maqedonisë kënaqeshin me simbolika. Dhe kjo është meritë e klasës politike në ikje – BDI-së – që, duke u dhënë simbole, e siguronte "rehatinë" e vet në pushtet, nuk jepte përgjegjësi e as llogari për dështimet e veta, e shqiptarët sikur mjaftoheshin me kaq.
Dua të them se koha e "kryeministrit teknik", "ministrit të Jashtëm simbolik", "kryetarit të parë të Parlamentit" kanë përfunduar. Sot shqiptarët kanë nevojë që të ndiejnë së përfaqësohen në mënyrë cilësore dhe jo vetëm simbolike. Sepse, ndërkohë që shqiptarët e kishin kryeministrin, maqedonasit i kaluan ligjet për reformën energjetike që i favorizonin kompanitë maqedonase! Shikoni disparitetet në shpërndarjen e bllok-donacioneve, shikoni zhvillimin e (pa)barabartë regjional, shikoni iniciativat në zonat industriale në Shkup dhe krahasoni me shkretëtirën në zonën industriale në Tetovë. Mos të flasim pastaj për gjendjen e shkollave, si ministri i Arsimit është shqiptar me dekada, ndërsa nxënësit shqiptarë nuk mund të pajisen me libra shkollorë, apo se si në fshatin e liderit të BDI-së ende nuk ka kanalizim, apo ujesjellës në shumicën e zonave rurale më popullsi shqiptare.
Këto janë fenomene të cilat kërkojnë një klasë të re politike. Klasë politike e cila folklorin e lartëson si trashëgimi shpirtërore, por nuk e kthen në standard të qeverisjes.
Nacionale: Kë do ta përkrahni në rundin e dytë për president?
Mexhiti: Mua më vjen keq që BDI-ja ndërhyri në procesin e zgjedhjeve presidenciale për ta prishur konkurrencën dhe e nominuan Bujar Osmanin, pasi ne si opozitë e bashkuar e kishim mbajtur konventën presidenciale. Me Arben Taravarin si të vetmin kandidat, sot kjo pyetje nuk do të parashtrohej fare.
Nacionale: Keni ndonjë mesazh për Ali Ahmetin?
Mexhiti: Ali Ahmetit i dëshiroj ditë të qeta në opozitë.