Intervistë | Dibrani: Do të angazhohem për anëtarësimin e Kosovës në KE - NACIONALE

Intervistë | Dibrani: Do të angazhohem për anëtarësimin e Kosovës në KE

2 javë më parë

nga Muhamet Koci

Adnan Dibrani ka fituar për herë të katërt mandatin e deputetit në Parlamentin e Suedisë. Ai është shprehur i lumtur që një mandat të parë e ka fituar edhe Aida Birinxhiku, një vajzë e re me orgjinë nga Kosova.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Dibrani, i cili është me orgjinë nga Mitrovica, ka thënë se do të vazhdojë punën për Kosovën aty ku e ka lënë mandatin e kaluar.

Ai ka bërë me dije se synimi i tij do të jetë puna për Kosovën drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Deputeti suedez me origjinal shqiptare ka thënë se shanset e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë janë të mira.

Dibrani ka vlerësuar se fitorja e tij dhe e Aidës në këto zgjedhje do të thotë shumë edhe për shqiptarët që jetojnë në Suedi.

Sipas tij, fitorja e tyre tregon se shqiptarët e Kosovës janë të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës.

Nacionale: Z. Dibrani, jeni zgjedhur deputet për herë të katër në Suedi. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Dibrani: Fillimisht i falënderoj të gjithë votuesit që edhe një herë me besuan që t`i përfaqësojë në Parlamentin e Suedisë. Kjo do të thotë shumë për mua dhe shqiptarët e Suedisë. Është hera e katër që po zgjidhem, përveç privilegjit kjo është edhe përgjegjësi për mua. Tani deputete është zgjedhur edhe Aida, dhe po bëhemi dy shqiptarë në parlamentin suedez, për herë të për. Nuk e di se a ka në ndonjë vend tjetër të Evropës që janë zgjedhur dy shqiptarë deputetë në kuvendet nacionale. Me sa di unë nuk ka. Kështu që, kjo do të jetë shumë mirë edhe për shqiptarët e Suedisë.

Nacionale: Po për Kosovën çfarë do të thotë zgjedhja e juaj dhe e Aidës?
Dibrani: Edhe për Kosovën do të thotë shumë, sepse origjina e jonë është nga atje. E mira është se Kosova po ecë mirë, por edhe shqiptarët këtu. Këtu në Suedi shqiptarët po vazhdojnë të tregohen të suksesshëm në të gjitha fushat. Kemi shqiptarë të suksesshëm në profesione të ndryshme, në biznes, në mjekësi, në sport, tash edhe në politikë. Kështu që, zgjedhja jonë si deputetë është lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët.

Nacionale: Sa sfidues ka qenë për ty zgjedhja për mandat të katërt?
Dibrani: Nuk ka qenë lehtë. Mënyra e zgjedhjes këtu është më komplikuar. Këtu është sistem elektoral i mbyllur, ku 90 për qind e votuesve në Suedi e votojnë partinë, jo një kandidat. Pra, nuk votohen si në Kosovë që votojnë ka pesë kandidatë. Këtu është tradita që të votohet më shumë partia. Jam kanë i bindur 99 për qind që unë dhe Aida do të zgjidhem deputetë. Por, është një mundësi se nëse një kandidat i merr më shumë se 5 për qind të votave të krejt rajonit, atëherë mund të kaloj. Unë vazhdimisht kam pasur më së shumti vota, pra kam pas përkrahjen në parti dhe në elektorat dhe jam kanë i bindur se do t`i fitojmë mandatet.

Nacionale: Cilat janë premtimet që i kë dhënë gjatë fushatës?
Dibrani: Ne këtu nuk bëjmë premtime personale, sepse nuk është traditë. Ne kemi prezantuar programin e partisë dhe atyre do të iu përmbahem. Me profesion jam ekonomist dhe do të angazhohem në këtë fushë. Pra, në këtë fushë do të mundohem të ua lehtësojmë jetën qytetarëve, sepse kriza ka prekur njerëzit edhe këtu. Lufta në Ukrainë ka sjell pasoja edhe këtu.

Nacionale: Zgjedhja e juaj dhe e Aidës a mund të ndikojë diçka në jetën e shqiptarëve atje?
Dibrani: Shqiptarët në Suedi në përgjithësi i kanë punët mirë dhe nuk varet diçka nga zgjedhja e jonë si deputetë. Tjetër gjë është se unë dhe Aida mund të tregohemi në politikë të suksesshëm dhe kjo do të jetë mirë edhe për ta, sepse tregon se shqiptarët janë të zot në të gjitha fushat. Shqiptarët këtu nuk kanë diçka që mund të varen prej meje, Aidës apo dikujt tjetër në politikë.

Nacionale: Po Kosovën, do të mund ta ndihmoni në ndonjë proces?
Dibrani: Unë kam qenë në Komitetin për Këshill të Evropës, ku jam përpjekur për ta ndihmuar Kosovën në procesin e anëtarësimit në këshill të Evropës. Synoj serish që të jem pjesë e këtij komiteti dhe të vazhdojë punën për ta ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim. Nëse do të jem sërish në këtë komision do të punoj shumë për Kosovën.

Nacionale:
Meqenëse keni qenë i kyçur në këtë proces, sa janë gjasat që Kosova të anëtarësohet në Këshill të Evropës?
Dibrani: Pasi kemi larguar Rusinë nga Këshilli i Evropës, iu ka humbur fuqia shumë atyre që e kanë kundërshtuar Kosovën. Tani janë kushtet më të mira. Megjithatë janë disa procedura që duhet të kryhen. Gjithashtu, edhe Kosova duhet t’i përfundojnë detyrat që i takojnë dhe të lobojë të shumë vende. Duke u bazua në këto rrethane, Kosova nuk ka pasur asnjëherë shanse më të mira për anëtarësim.

Nacionale: Sa janë gjasat që partia e juaj, Partia Socialdemokrate ta formojë qeverinë në Suedi?
Dibrani: Mund të jemi në qeveri, por tani janë bërë bashkë katër partitë dhe të shohim se a do të mund ta formojnë qeverinë. Nëse ata nuk mund të merren vesh, atëherë ne do ta formojnë qeverinë

Nacionale: A jeni të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve?
Dibrani: Në përgjithësi si parti kemi dalë mirë dhe jemi të kënaqur me rezultatin. Tani problemi është vetëm se janë bërë bashkë ata. Unë besoj se do ta kenë vështirë ta formojnë qeverinë këto parti. Po meqenëse ata janë bashkuar, ne ua kemi leshu rrugën.

Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për raportet Kosovë-Suedi?
Dibrani: Raportet mes Suedisë dhe Kosovës gjithë kanë qenë të mira. Në këtë drejtim kam kontribuuar edhe unë. Sepse gjatë këtyre 12 viteve sa jam deputet kush ka ardhur prej Kosovës e kam pritur dhe jam munduar ta orientojë. Mendoj se këto raportet do të vazhdojmë të jenë të mira edhe më tutje.

Nacionale: A ka bërë sa duhet shteti suedez për liberalizimin e vizave?
Dibrani: Suedia është angazhuar për liberalizim të vizave. Besoj se do të vazhdojë edhe me tutje angazhimin. Por, siç dihet ky proces nuk varet vetëm nga Suedia. Këtu edhe Kosova duhet t’i përfundojë punët që i takojnë që të lobojë edhe tek vende tjera.

Lajme të ngjashme