Çka është Këshilli i Evropës?
Pas Luftës së Dytë Botërore, vendet fituese dëshironin t’i jepnin fund armiqësive në mes të shteteve të kontinentit. Këto përpjekje mundësuan formimin e Këshillit të Evropës, organizatës së parë evropiane, që kishte për synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë. E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.
Qëllimi i themelimit të kësaj organizate ishte dhënia fund e armiqësive në mes të shteteve të Evropës, pas dy luftërave të tmerrshme botërore në shekullin XX.
Deri më tani KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 28 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian. Organizata mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë. Këshilli i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme në fushën e rendit dhe ligjit. Nën ombrellën e saj qëndron Komisioni i Venecias, një grup i ekspertëve kushtetues që ofron këshilla rreth kësaj fushe për shtetet e gjithë botës.
Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime nëpërmjet organeve të pavarura të ekspertëve për monitorimin. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojmë me dënimin me vdekje.
Anëtarë të kësaj organizate janë Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa, anëtare vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.
Struktura institucionale
Këshilli i Evropës ka edhe strukturën e vet institucionale, përmes së cilës realizon misionin që ka. Dy institucionet kryesore janë Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Komiteti i Ministrave është organ vendimmarrës, i përbërë nga ministrat e punëve të jashtme të shteteve anëtare ose përfaqësuesit e tyre të përhershëm diplomatikë në Strasburg. Ai përcakton politikën e organizatës, miraton buxhetin e saj, si dhe përcakton programin e veprimtarive. Si organ vendimmarrës është edhe Asambleja Parlamentare, e cila konsiderohet si motori i Këshillit të Evropës. Ajo ka prodhuar traktate të shumta ndërkombëtare që kontribuojnë për të krijuar një hapësirë legjislative panevropiane. Përfaqësuesit e saj emërohen nga parlamentet kombëtare të çdo shteti anëtar.
Institucion tjetër i rëndësishëm është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata është organ gjyqësor i përhershëm që u garanton të gjithë evropianëve të drejtat e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykatës mund t’i drejtohen shtetet ose individët, pavarësisht nga kombësia e tyre. Të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës janë palë në Konventë.
KE-ja ka edhe Sekretaren e Përgjithshme, e cila zgjidhet nga Asambleja Parlamentare me mandat pesë-vjeçar. Sekretarja e Përgjithshme përgjigjet për planifikimin strategjik, orientimin e programit të aktiviteteve, buxhetin dhe mbikëqyrjen e përditshme të drejtimit të organizatës.
Gjithashtu, Këshilli ka edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, i cili është përgjegjës për forcimin e demokracisë lokale dhe rajonale në 46 shtetet anëtare, si dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, që është organ i pavarur, përgjegjës për të promovuar edukimin dhe sensibilizimin për të drejtat e njeriut dhe respektimin e tyre në shtetet anëtare.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim
Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj të vitit 2022. Kjo është bërë e mundur pasi më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky këshill, për shkak të agresioni në Ukrainë. Në këtë mënyrë gjasat për anëtarësimin e Kosovës po shihen si reale.
Me përjashtimin e Rusisë , dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.
Meqenëse vendimet në këtë organizatë merren me shumicë votash, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.
Për pranimin e shteteve të reja në KE, neni 3 i Statutit të KE-së tregon se çdo shtet evropian duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit ligjor. Çdo shtet evropian i cili plotëson parimet e nenit 3 të statutit të KE-së, mund të ftohet që t’i bashkohet KE-së. Rregullorja e punës e Këshillit të Ministrave, respektivisht neni 25, thotë se për t’u marrë në konsideratë anëtarësimi i një shteti të ri në KE, iniciativa duhet të vijë nga një shtet anëtar i KE-së dhe propozimi për këtë duhet të futet me kohë në agjendë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Më pas Këshilli i Ministrave i kërkon opinion apo rekomandim Asamblesë Parlamentare. Kjo e fundit formon një komision, i cili mbikëqyr nga afër përputhjen e legjislacionit vendor me parimet ligjore të KE-së. Ky komision pastaj paraqet një raport para asamblesë dhe në bazë të tij asambleja me 2/3 e votave të anëtarëve merr vendim për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KE. Duke u bazuar në shtetet që e kanë njohur Kosovën, me përjashtimin e Rusisë, institucionet e Kosovës pretendojnë se kanë votat e nevojshme për këtë anëtarësim.
Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në KE
Anëtarësimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës përfitime në disa fusha, duke përfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.
Fillimisht, bërja pjesë e këshillit do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Më pas, anëtarësimi rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Gjithashtu, shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre nga ndonjë institucion shtetëror i Kosovës, apo cilido shtet anëtar i KE-së.
Po ashtu, anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO, MONEYVAL, ECSR, CEPEJ, CPT, GRETA si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.