Anëtarësimi në KE e bën Kosovën të barabartë në dialog me Serbinë
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk duhet të ndërlidhet me procesin e dialogut me Serbinë. Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë vetëm sa do të ndihmonte dialogun e Brukselit. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të vendosej një barazi në mes të palëve.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka trazuar ujërat e disa vendeve anëtare të kësaj organizate. Gjermania dhe disa vende të tjera, në mënyrë të menjëhershme deklaruan mbështetjen për Kosovën në këtë rrugëtim, derisa Franca u shfaq më hezituese.
Madje, vendi në të cilin gjendet selia e kësaj organizate, aplikimin e ndërlidhi me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Por, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë vlerësuar si të padrejtë mundësinë e ndërlidhjes se këtyre dy proceseve.
Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se anëtarësimi i Kosovës në KE do të krijonte një balancë në këtë proces. Sipas tyre, kjo do ta vendoste në një presion mbi Serbinë që në procesin e Brukselit të bëhet më konstruktive.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, nuk beson që çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE do të mund të kushtëzohet me procesin e dialogut me Serbinë.
“Anëtarësimi i Kosovës në KE duhet parë në këndvështrime të ndryshme, sepse ky proces nuk ka ndodhur në mënyrë unilaterale, por besoj se ka ndodhur në mënyrë të koordinuar me shumicën e vendeve, partnerëve që i ka Kosova që janë pjesë e Këshillit të Evropës. Ky proces nuk besoj se do të kushtëzohet me dialogun specifikisht, sepse në njëfarë mënyre disa vende të BE-së, specifikisht Gjermania, po dëshiron ta krijojë një balancë në dialog duke e avancuar Kosovën. Avancimi i Kosovës në disa organizata mund t’i bëjë edhe presion Serbisë që të lëvizë në proces, sepse nëse nuk lëviz, atëherë lëvizim ne”, ka thënë Arifi.
“Këtë e shoh më shumë si pjesë të presionit për të gjitha palët në këtë rast. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ishte në favor të demokracisë dhe në favor të vetë vendeve të BE-së, sepse ky do të ishte hapi i parë i avancimit të Kosovës në skenën e institucioneve ndërkombëtare. Prandaj, mendoj se ka kohë që të analizohet se a do të bëhet ndonjë kushtëzim. Por nuk besoj se do të ndikojë shumë në procesin e dialogut, sepse nëse e shikojmë në dimensionin e gjerë, dialogu vetëm është kah fundi, prandaj nëse ne jemi më të përgatitur dhe me të zhdërvjelltë në diplomaci dhe në hartimin e ndonjë strategjie, dialogut shumë shpejt mund t`i vijë fundi, të paktën nga këndvështrimi jonë që t’i ofrojmë alternativat vendeve mike të botës perëndimore”, ka thënë Arifi.
Edhe profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Edward P. Joseph, beson se anëtarësimi i Kosovës në KE do ta ndihmonte procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE është shumë i rëndësishëm.
“Ne argumentojmë që çelësi deri te progresi në dialog është pikërisht heqja e këtij kontrolli për Serbinë – në mënyrë që palët më në fund të negociojnë një marrëveshje të dinjitetshme që mbron serbët e Kosovës brenda një Kosove plotësisht sovrane e funksionale në kufijtë e saj ekzistues. Ne avokojmë për Partneritetin për Paqe të NATO-s si formë për të barazuar marrëdhënien dhe për arritjen e progresit. Tash që Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, kjo rrugë është hapur po ashtu. Bashkimi në Këshillin e Evropës ka përfitime të rëndësishme për krejt qytetarët e Kosovës, përfshirë serbët e Kosovës. Dhe, ashtu siç kemi argumentuar në raportin tonë, anëtarësimi ndihmon në barazinë në dialog, dhe në përmirësimin e mundësisë për marrëveshje”, ka thënë Joseph, i cili është ligjërues në shkollën "John Hopkins", për Studime Ndërkombëtare të Avancuara (SAIS).
Sipas tij, është i pakuptueshëm anëtarësimi i Kosovës në KE.
“Kësisoj, unë nuk e kuptoj këtë kundërshti ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Këshilli – dhe NATO-ja – duhet të ecin përpara, pikërisht për të avancuar marrëveshjen e stërzgjatur për çështjen e Kosovës”, është shprehur ai.
Kushtëzimet e Kosovës në rrugën drejt BE-së
Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës përmes proceseve integruese vazhdimisht është kushtëzuar me procesin e dialogut me Serbinë. Ky kushtëzim ka ardhur në shprehje sidomos në procesin e avancimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane. Pothuajse në të gjitha raportet e progresit, që prej fillimit të dialogut politik, theksohet qartë se progresi në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mbetet thelbësor për avancim në rrugën e tyre evropiane, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën.
Vetëm pas arritjes së marrëveshjes së parë të parimeve për normalizim të marrëdhënieve, në prill të viti 2013, Kosovës i ishte mundësuar nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim me BE-në.
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 2 tetor 2015, ndërsa kishte hyrë në fuqi më 1 prill 2016.
Madje, drejtori ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, ka treguar për gazetën Nacionale se tashmë Kosova është kushtëzuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku Kosova prej vitesh ka plotësuar kriteret.
“Përderisa para dy vitesh kjo është parë si rrezik, sot mund themi lirshëm se këto dy procese janë të ndërlidhura. Së paku joformalisht. Nuk ka asnjë zyrtar të lartë të SHBA-ve apo BE-së që nuk përsërit togfjalëshin e famshëm: Avancimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është kyç për të ardhmen Evropiane të Kosovës”, ka thënë Shasha.
Javën e kaluar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në KE.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky aplikim është bërë në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës.
Pas aplikimit, Gjermania i ka dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës në këtë rrugëtim. Ndërsa Franca ka shfaqur hezitimin e saj. Përmes një reagimi, Ambasada e Francës në Kosovë ka vlerësuar se vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran, duke e cilësuar aplikimin si veprim të njëanshëm.
“Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre europian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të investojnë plotësisht në këtë dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensionet”, është thënë në reagimin e Ambasadës Franceze.