Çka përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshill të Evropës? - NACIONALE

Çka përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshill të Evropës?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova zyrtarisht ka aplikuar sot për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pranimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës dhe qytetarëve të saj përfitime në disa fusha. Anëtarësimi në KE do t’u mundësonte kosovarëve t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Republika e Kosovës zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka dorëzuar aplikacionin në selinë e Këshillit të Evropës, e cila është prej organizatave ndërqeveritare më të vjetra politike në Evropë.

Përjashtimi i Rusisë nga kjo organizatë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundim e ligjit në Evropë, ka rritur gjasat për anëtarësimin e Kosovës.

Me anëtarësimin në këtë organizatë me seli në Strasburg, Kosova dhe qytetarët e saj pritet të përfitojnë në disa fusha.

Përfitimet e anëtarësimit pritet të jenë politike, sociale dhe juridike.

Njohësit e proceseve politike në vend kanë deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në KE rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (CoE) do të ishte hapi më i madh i Kosovës në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar në vitet e fundit. Përmes anëtarësimit në KE, Kosova si shtet dhe qytetarët e saj, do të kishin Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si instancë shtesë, e mbase më efektiven të mundshme, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre themelore në rast të shkeljeve nga shtetet anëtare. Pra, përpos që Kosova mund të ngrisë çështje për shkelje të kryera nga shtetet tjera, edhe vetë qytetarët mund të ngrisin çështje kundër shteteve anëtare”, ka shkruar analsiti politik Eugen Cakolli në profilin e tij në "Facebook".

Ai ka treguar se këto janë arsyet kryesore pse Serbia kundërshton fuqishëm pranimin e Kosovës në KE.

“KE ka mbi 200 traktate e konventa ndërkombëtare që janë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, miratimi dhe respektimi i së cilave është obligativ për shtetet anëtare. Madje, edhe legjislacioni i vendeve anëtare duhet të rishikohet vazhdimisht në mënyrë që të jetë në përputhje me konventat dhe traktatet e KE-së”, ka treguar për përfitimet tjera.

“Pas anëtarësimit, Kosova po ashtu do të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO (lidhur me korrupsionin), MONEYVAL (lidhur me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit), ECSR (lidhur me të drejtat sociale), CEPEJ (lidhur me efiçiencën dhe kualitetin e drejtësisë), CPT (lidhur me trajtimin e të burgosurve), GRETA (lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore), si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare”, ka shkruar Cakolli.

Kosova optimiste për anëtarësim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës.

Pas dorëzimit të aplikacionit, ajo ka thënë se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon, dhe më optimist në rajon. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Dhe kjo procedurë do të përfundojë me anëtarësim në KE dhe me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje në instanca evropiane”, ka thënë ajo.

Aplikimin e kanë përshëndetur edhe udhëheqësit politik të Kosovës dhe liderët opozitarë.

Sipas tyre, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës e ka pritur me shqetësim Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se me këtë veprim Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

Por, njohësit e rrethanave politike në vend kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë.

Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka treguar se pika e asaj marrëveshje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë për një vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator të vitit të kaluar.

“Me aplikim në Këshillin e Evropës, Kosova nuk e shkel Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020. Pika e kësaj marrëveshjeje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë 1 vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator 2021”, ka shkruar Haxholli në profilin e saj në "Facebook".

Këshilli i Evropës, i cili është themeluar në vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës ndaj Ukrainës.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Lajme të ngjashme