Flasin nga Këshilli i Evropës për Nacionalen: Aplikimi i Kosovës i është dorëzuar Komitetit të Ministrave - NACIONALE

Flasin nga Këshilli i Evropës për Nacionalen: Aplikimi i Kosovës i është dorëzuar Komitetit të Ministrave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është lajmi më i rëndësishëm i javëve të fundit. Tashmë, Nacionale mund të konfirmojë se aplikimi është dorëzuar te trupi vendimmarrës i cili do të mblidhet më 20 maj në Itali.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës para disa ditësh duke shkaktuar gëzim të madh e ndoshta paksa të parakohshëm në vend. Por, po ashtu, ky lajm solli edhe konfuzion pasi që ambasadat e Francës në Beograd dhe Prishtinë u shprehën mospërkahëse të këtij vendimi. E në ndërkohë që aplikimi është dorëzuar, pranimi si shtet anëtar është lajmi që pritet të dëgjohet.

Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja jonë e Punëve të Jashtme, e dorëzoi personalisht aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ajo ishte e pranishme në Strasburg, dhe me një optimizëm të madh renditi argumentet pse Kosova e meritonte pranimin.

Procesi i aplikimit nuk dukej aq i vështirë marrë parasysh që kërkoheshin 2/3 për pranim, ndërkohë që shumica dërmuese e shteteve e kishin njohur Pavarësinë e Kosovës. Veçanërisht, pas përjashtimit të Rusisë pas invazionit që bëri në Ukrainë.

Pyetja kryesore në lidhje me këtë aplikim është nëse Kosova është koordinuar me miqtë e saj më të mëdhenj në Këshillin e Evropës. Kjo pyetje u përforcua veçanërisht pas deklarimeve nga Ambasadat e Francës në Kosovë dhe Serbi që kërkonin prej vendit tonë të “përmbahej nga veprime të njëanshme”.

Më 20 maj, Komiteti i Ministrave do të mblidhet në Torino të Italisë, dhe Nacionalja dërgoi një numër pyetjesh në Këshillin e Evropës.

Zëdhënësi Dushan Vojnoviq e konfirmoi se KE-ja ka marrë aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare dhe se i njëjti është dorëzuar te Komiteti i Ministrave.

“Deri në këtë pikë, mund të konfirmojmë që aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe është dorëzuar te Komiteti i Ministrave në vijë me statutin e Këshillit të Evropës”, tha z. Vojnoviq.

Ai më tej shtoi se nuk ishte dhënë asnjë datë për diskutimin e aplikimit të Kosovës në KE.

Një gjë e tillë nuk përjashton mundësinë që këto diskutime të ndodhin edhe më 20 maj, të paktën në mënyrë joformale.

Për të kuptuar më shumë në lidhje me procedurat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ju ftojmë të klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme