Intervistë | Dërguti: Kryeministri e shkaktoi krizën në veri, zgjedhjet mund të konsiderohen si provokim
Gjendjen e krijuar në veri të vendit e ka vlerësuar si të rëndë dhe jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Për këtë situatë, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, e ka bërë fajtor kryeministrin Albin Kurti. Ajo është shprehur e bindur se kriza në veri do të bëhet pjesë e dialogut të Brukselit.
Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për krizën në veri të vendit.
Ajo ka thënë se përgjegjësi për situatën e krijuar ka edhe ekipi i kryeministrit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Dërguti ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në atë pjesë të vendit përjashtojnë çfarëdo mundësie të kthimit të serbëve në institucione.
Ajo ka bërë me dije se kriza aktuale dhe çështja e kthimit të serbëve në institucione të Kosovës do të bëhen pjesë e dialogut Kosovë - Serbi.
Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave veriore, Dërguti ka theksuar se nuk ekzistojnë as parakushtet minimale të sigurisë për mbajtje të zgjedhjeve të lira në veri.
Sipas saj, mbajtja e zgjedhjeve mund të konsiderohet si provokim dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejmë të gjendjes.
Nacionale: Znj. Dërguti, ka disa ditë që veriu i vendit po terrorizohet nga shpërthimet e bombave, ndërsa qeveria nuk po tregon ndonjë strategji se si t`i qaset kësaj situate atje. Si e keni parë gjithë këtë situatë?
Dërguti: Nuk është e qartë strategjia e kësaj qeverie dhe cili është qëllimi: ruajtja e status quo-së aktuale, sabotimi i heshtur i dialogut apo degradimi i qëllimshëm. Ndonëse është shumë e vështirë të bëhet një analizë e mirëfilltë, për shkak të mungesës së transparencës përgjatë dialogut, zhvillimeve të fundit u kanë paraprirë një varg veprimesh joserioze e të papërgjegjshme: moskoordinimi me partnerët strategjikë, posaçërisht kryeneçësia karshi kërkesës së ShBA-së për zgjatjen e afatit të dialogut, përpjekja për të siguruar disa fitore të vogla në sytë e elektoratit, duke problematizuar me çështje teknike, prodhuan padëgjueshmëri qytetare. Situata e krijuar, më shumë se largim i serbëve dhe mospërfaqësimi i tyre, është minim i pranisë së institucioneve të Kosovës në pjesën veriore.
Nacionale: Nga dhjetëra shpërthime që kanë ndodhur, nuk ka asnjë të dyshuar dhe as të arrestuar. Qeveria dhe policia vetëm kanë konstatuar se këto sulme po bëhen nga individë me maska. Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për ta pasur nën kontroll atë pjesë?
Dërguti: Tashmë situata është jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës, me ç’rast është cenuar rëndë siguria e qytetarëve. Shtrirja e sovranitetit të pjesërishëm e të brishtë, të ndërtuar për një dekadë, u rrënua brenda natës. Policia e Kosovës nuk ka shtrirje e përfaqësim në komunitet, por sigurohet me përforcime nga pjesët e tjera të vendit. Sigurimi i pranisë së policisë në këtë mënyrë është vetëm improvizim i përkohshëm. Situata e krijuar në mënyrë të pashmangshme do të shtrohet në Bruksel.
Nacionale: Pavarësisht situatës së tensionuar, institucionet ende nuk kanë ndonjë qëndrim të qartë nëse duhet të mbahen apo do të shtyhet zgjedhje në veri. Si duhet të veprohet, sipas jush?
Dërguti: Aktualisht kemi padëgjueshmëri qytetare në atë pjesë dhe situatë të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve. Pra nuk ekzistojnë as parakushtet minimale të sigurisë për zgjedhje të lira, demokratike e me pjesëmarrje masive, që do të prodhonin përfaqësim me legjitimitet të plotë. Provokimi me zgjedhje mund të çojë në përshkallëzim të mëtejmë dhe përgjegjësia u bie krerëve të institucioneve të Kosovës.
Nacionale: Pikërisht në këtë kohë, kur veriu u përfshi nga shpërthime të shumta, kryeministri Kurti zgjodhi të udhëtonte për në Austri për të marrë pjesë në një forum. A ishte një veprim i duhur ky?
Dërguti: Nuk është hera e parë që ik nga përgjegjësia. Kryeministri aktual është ekspert për hedhjen e përgjegjësisë te të tjerët në situata të vështira dhe përvetësim meritash, sa herë i jepet rasti. Strategjia opozitare e provokimit të situatave me qëllim viktimizimi më vonë, nuk është e duhura në kohën kur është në pushtet me një mbështetje mbi 50 për qind dhe me duar të lira për të zgjidhur probleme të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve. Mos të harrojmë se kriza aktuale në pjesën veriore u shkaktua nga vetë ky kryeministër dhe ekipi i tij.
Nacionale: Ndonëse ujdia për targat u arrit në Bruksel, serbët nuk u kthyen në institucione. A ekziston rreziku që kthimi i serbëve në institucione të bëhet pjesë e dialogut Kosovë - Serbi?
Dërguti: Zhvillimet e fundit përjashtojnë çfarëdo mundësie për zgjidhje të brendshme lidhur me kthimin e serbëve në institucione dhe automatikisht vendoset në agjendën e dialogut. Gabimet në hapa do të kenë kosto, duke i rritur kërkesat për serbët në atë pjesë të territorit.
Nacionale: Sa mund të ndikojnë zhvillimet e fundit në veri në procesin e dialogut në Bruksel?
Dërguti: Patjetër që do të ndikojnë në procesin e dialogut dhe shkalla e ndikimit në proces do të kuptohet pas takimit të radhës që do të mbahet në Bruksel.
Nacionale: Ju e njihni për kohë të gjatë z. Kurti, i cili fuqishëm e ka kundërshtuar procesin e dialogut me Serbinë. Tani, ai i ka ndryshuar qëndrimet e tij ndaj këtij procesi. Sa besoni se ai do të mund ta arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?
Dërguti: Çështja e dialogut ka qenë kauzë identitare e kryeministrit aktual, përmes të cilës e ka polarizuar opinionin dhe është rritur në përkrahje. Para pak kohësh, ka ripërsëritur se nuk do të ketë as Zajednicë e as shkëmbim. Është e paqartë për opinionin se cila është rruga e tretë për arritjen e marrëveshjes finale.
Nacionale: Në dakordimin për targat, sipas BE-së, qeveria është pajtuar për themelimin e asociacionit, por kryeministri vazhdimisht po thotë se nuk do ta lejojë themelimin e këtij asociacioni. A pritni që z. Kurti do ta ndryshojë qëndrimin edhe për këtë çështje?
Dërguti: Kjo qeveri shquhet për mungesë të transparencës dhe ndryshim veprimesh, pa i ndryshuar publikisht edhe qëndrimet. Çfarëdo dakordimi në Bruksel është bërë në emër të Qeverisë dhe përpjekja e këtij kryeministri për ta hedhur fajin te zëvendësi i tij nuk do të pijë ujë në opinion.


