Sulmohet me armë Policia e Kosovës në veri, "një pjesëtar lëndohet lehtë"
Është sulmuar me arma të gjata Policia e Kosovës. Këtë e konfirmoi para pak çastesh institucioni në fjalë.
Për pasojë një polic ka pësuar lëndime të lehta.
Policia po ashtu ka shtuar se personat që kanë sulmuar veturën e Policisë së Kosovës kishin qenë me armë të gjata, derisa kjo veturë siç thonë "kishte pësuar dëme të konsiderueshme".
Më poshtë edhe njoftimi i policisë, teksa kujtojmë se lajmi është në përditësim.
NJOFTIM PËR MEDIA
Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.
Si pasoj e incidentit, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore.
Kujtojmë se pas vendosjes së policëve në Lagjen e Boshnjakëve, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.
Petkoviq ka deklaruar se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë, dhe sipas tij ky veprim se do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Petkoviq propagandoi se 300 deri në 350 Policë të Kosovës - përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU - "kanë okupuar dhe bllokuar" Mitrovicën e Veriut, ka raportuar Kosovo-Online.
Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme ndërkaq, Xhelal Sveçla sonte në orët e vona ka regjistruar një paraqitje televizive, ku ka folur rreth numrit në rritje të policëve në Mitrovicë të Veriut.
Siç ka thënë ai ndër të tjerash, ky numër është rritur në disa lokacione të Mitrovicës së Veriut, ndërsa synim të vetëm ka rritjen e sigurisë për të gjithë banorët e asaj ane pa dallim.
"Është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë, është rritur numri i policisë në disa lokacione, e kjo ka ndodhur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar, të dyshuar, pra kanë prishur rendin dhe qetësinë. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t'u garantohet qytetarëve siguri në vendbanimet e tyre, është marrë vendim që të rritet numri i policëve në atë pjesë.
Për shkak të ndodhive të netëve të fundit siç edhe e ceka më herët. Policia bën vlerësimet e sigurisë, në bazë të këtyre vlerësimeve e ka parë të arsyeshme. Krejt kjo është të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Pa qëllim të tjera. Veç siguri për banorët. Sipas informatave nga menaxhmenti, ka të bëjë me disa lokacione në Mitrovicën e Veriut. Ajo që dua të them është se situata është relativisht e qetë.", tha fillimisht Sveçla.
Drejtësi
Veç kësaj, ai pohoi se Policia e Kosovës është në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë e tjera shtetërore, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale, teksa shtoi se po punojnë maksimalisht që ata që shkaktuan probleme në veri të dalin para gjyqit.
"Policia e Kosovës në bashkëpunim me agjencitë tjera dhe Prokurorinë Speciale është duke vazhduar hetimet ndaj këtyre shqetësimeve të këtyre banorëve të kësaj pjese të Kosovës. Jam optimist se do të dalin me konkluza dhe do të propozojnë masat e duhura në drejtim të vënies para drejtësisë të atyre që me akte terroriste të dalin para organeve".
Në anën tjetër, ai hodhi kritika ndaj Beogradit për mbështetjen si financiare, ashtu edhe koordinuese për këta të dyshuar.
"E dimë që këto raste nuk janë spontane. Janë të organizuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequra nga Beogradi, si në financa ashtu edhe në koordinim. Por, unë jam i bindur në kapacitetet e Policisë së Kosovës. Situata relativisht e qetë, qytetarët mos të brengosën. Ne jemi shtet i së drejtës dhe përmes instrumenteve demokratike-kushtetuese do të punojmë".
