Kur dhe qysh mund të shtyhen zgjedhjet në veri: detaje nga praktikat e deritashme dhe ligji
Pas dorëheqjes së kryetarëve e asamblistëve të katër komunave veriore, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna, duke e caktuar 18 dhjetorin si datë, kur zgjedhjet duhet të mbahen.
Situata e sigurisë në veri të Kosovës është cenuar rëndë kohëve të fundit. Atje, grupe të organizuara po i sulmojnë zyrat e KQZ-së, me bomba shoku, një polic është plagosur dhe dy gazetarë janë sulmuar. Qyetarët ndihen të pasigurt e punëtorët e KQZ-së raportohet se po refuzojnë të qëndrojnë në zyrat e tyre.

Në krejt këtë situatë, është vënë në pikëpyetje, nëse zgjedhjet e parapara për datën 18 dhjetor duhet të mbahen apo të shtyhen.
Në lidhje me këtë situatë, problematike po del të jetë forma ligjore, meqenëse shtyrja e zgjedhjeve nuk parashihet në mënyrë të saktësuar në ligjet e Kosovës.
Çka thotë ligji?
Ligji për zgjedhjet lokale si dhe ai për Presidentin e Republikës nuk janë krejt të qartë për një situatë të tillë. Aty, askund nuk parashihet, decidivisht, shtyrja e zgjedhjeve.
Megjithatë, ekziston një hapësirë ligjore, pikërisht në këto dy ligje.
Neni 4 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale, në pikën 4 të tij, e parasheh ndryshimin e afateve kohore, në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
“Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë (5) ditësh tek Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.” thuhet në ligj.
Ndërsa neni 6 i Ligjit për Presidentin flet për kompetencat e presidentit, të cilat parashihen me kushtetutë. Me kushtetutë, ndër kompetencat e presidentit janë edhe shpallja e zgjedhjeve dhe caktimi i datës.
Duke i parë rrethanat aktuale, duke pasur parasysh që shtyrja nuk parashihet shprehimisht, mbase këto janë nenet që mund të përdoren për shtyerjen e zgjedhjeve.
Pikërisht këto nene i kishte përdorur ish-presidenti Hashim Thaçi, kur i kishte shtyrë zgjedhjet në Komunën e Podujevës për shkak të pandemisë.
“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës”- thuhej në vendimin e atëhershëm të presidentit Thaçi.
Ka apo s’ka kushte për zgjedhje?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para medieve ka thënë se për zgjedhjet në veri do të vendoset këto dy apo tri ditëve në vijim dhe se, sipas saj, duhet një vlerësim edhe i organeve të sigurisë, por sidomos edhe i vetë partive politike, për të vendosur nëse do të shyhen apo do të mbahen zgjedhjet.
“Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë dhe, në momentin që do ta marr raportin e plotë, do të kemi një pasqyrë më të qartë të çështjes së zgjedhjeve në veri”- tha ajo.
Si rregull, ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast, duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ e, më pastaj, propozimi i KQZ-së vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër t'i konsultojë partitë politike.

Tutje, Osmani e ka theksuar faktin se në Kosovë nuk rregullohet shprehimisht me ligj shtyrja e zgjedhjeve, por, sipas saj, duhet të veprohet sipas standardeve të vendosura nga Komisioni i Venecias për këto raste.
“Dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet që me partitë politike të ketë koncensus.
Nëse një kërkesë e tillë vjen, natyrisht që unë do ta bëjë vlerësimin tim”- tha ajo.
“Kështu është procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet. Kjo është një shtytje e Vuçiqit që vazhdon t'i financojë e mbështesë strukturat e bandat kriminale që po i terrorizojnë qytetarët në veri dhe, në të njëjtën kohë, po tentojnë që t’i sfidojnë institucionet e sigurisë"- ka thënë Osmani.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë ditë më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar nga presidentja.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.
The United States is concerned that conditions are not in place at this time for elections to be held later this month in northern Kosovo. The safety and security of all Kosovan citizens should be the highest priority. We look for all involved to exercise restraint. 2/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 7, 2022
Nuk dihet nëse zgjedhjet do të shtyhen ose jo, por ajo që dihet është se, ligjërisht, Kosova është mjaft e kufizuar në këtë aspekt.



