Vendi në gjendje jashtëkushtetuese: Kurti sytë te krejt pushtetet, paqartësi e madhe për ditët në vijim - NACIONALE

Vendi në gjendje jashtëkushtetuese: Kurti sytë te krejt pushtetet, paqartësi e madhe për ditët në vijim

42 minuta më parë

nga NACIONALE

“Lirisht le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.”

Kështu tha zyrtarja e Vetëvendosjes e betuar deputete, Albulena Haxhiu, pasi me t’u shterruar afati tridhjetë ditor kushtetues për konstituim të Kuvendit të Kososovës, thirrën seancë vijuese konstitutive.

Albin Kurti ndërpreu në ditën e parafundit seancën konstitutive, tejkaloi afatet, ndërsa edhe në afat të tejkaluar kërkoi “kohë shtesë.”

Krejt kjo duke arsyetuar se nuk ka marrëveshje politike për presidentin e vendit, afati për zgjedhjen e të cilës nis me konstituimin e kuvendit, dhe të cilin afat e suspendoi.

Kësisoji vendi kaloi në gjendje jashtëkushtetuese, ku dilemat mbeten se çka tani.

Gjykata Kushtetuese këtë çështje veçse e ka të trajtuar para një viti, kur konstatoi me gjuhë të kulluar se 30 ditëshe është afati brenda të cilit “duhet të kryhet” konstituimi e jo vetëm të niset.

Aktgjykimi KO124/25:

“Duke marrë për bazë elaborimet e mësipërme, Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Por, ky Aktgjykim s’i ka bërë përshtypje Vetëvendosjes. Ata pretendojnë se gjendja është “tërësisht kushtetuese,” siç tha Hekuran Murati, i cili shërben edhe si interpretues juridik i Vetëvendosjes.

Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës, edhe profesor i të drejtës kushtetuese, pyeti se “çfarë ka këtu për t’u interpretuar?”

“Pse duhet ta dërgojmë përsëri këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese? A ka ndokush që nuk e kupton këtë?,” shkroi ai.

Enver Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtuese, ditë më parë tha se me betimin e deputetëve, tashmë vendi nuk ka as ushtrues të detyrës së Presidentit, ngase Avni Dehari si kryesues thjesht nga virtyti i moshës për seancën konstitutive “nuk mund të jetë u.d President.”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka konsideruar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se afati detyrues 30-ditor ka përfunduar pa u konstituuar Kuvendi.

Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale”, shkruhet në reagimin e KDI-së.

KDI-ja ka theksuar se skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese sa i përket vlefshmërisë së procedurës së mëtejshme.

“Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme. Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit.

Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë njëanshëm këto pasoja apo të përpiqet t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer. Kjo kompetencë i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.

Lajme të ngjashme