“Pjesëmarrës në protesta të dhunshme dhe të zellshëm ndaj partisë”: Si i dha pushteti i Kurtit shtetësinë Abazit e Mihalit, njëri i cilësuar si rrezik kombëtar - NACIONALE

“Pjesëmarrës në protesta të dhunshme dhe të zellshëm ndaj partisë”: Si i dha pushteti i Kurtit shtetësinë Abazit e Mihalit, njëri i cilësuar si rrezik kombëtar

2 orë më parë

nga NACIONALE

Boiken Abazi dhe Dejona Mihali janë dy emra të njohur mirë për publikun e Kosovës, pasi kanë qenë motori i protestave të dhunshme në Kosovë, të drejtuara nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Të dy këta janë paisur me shtetësi të Kosovës nga Qeveria Kurti, si "shpërblim" për shërbimin e zëllshëm ndaj partisë.

Dhënia e shtetësisë nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu për Boiken Abazin, një emër problematik në Kosovë, i cili vite më parë ishte dëbuar nga Kosova për cenim të sigurisë kombëtare, ka shkaktuar jo pak reagime.

Dosja e tij përfshinte raste të regjistruara për "sulm ndaj personit zyrtar", "prishje të rendit publik", si dhe dëbimin e tij nga Kosova në vitin 2016 si person që cenonte sigurinë kombëtare

Komentatori politik, Halil Matoshi, tha se ata të cilët ishin cilësuar si rrezik kombëtar, tani janë në pushtet në Kosovë.

“E që âsht cilësu rrezik për sigurinë kombëtare, të tillët tashma janë në pushtet në Kosovën tonë!”, ka shkruar Matoshi.

Ndërsa, ia ka kujtuar Haxhiut një deklaratë të Abazit për Kosovën.

“Zonja Haxhiu, Boiken Abazi ka thënë me gojë t’vet ‘kush e konsideron nânë Kosovën - babë e ka Serbinë’, simas kësaj logjike dmth ti me letra ja paske bâ përhajr babën e ri, Serbinë!!!”, ka shkruar Matoshi.

Reagim ka pasur edhe nga i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai e ka kritikuar vendimin dhe ka rikujtuar se Abazi ishte dëbuar nga Kosova në vitin 2016, pasi ishte konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare.

“URIME, KOSOVË! Boiken Abazi, i dëbuar nga Republika e Kosovës në vitin 2016 sepse përbënte rrezik për ‘sigurinë kombëtare’ [...] qenka pajisur me shtetësi të Kosovës.”

Ai më pas ka ngritur pyetje për aspektin ligjor dhe moral të këtij vendimi, pasi Haxhiu tashmë është betuar edhe si deputete, dhe këtë e ka theksuar Rama.

“Ligjërisht, si e pajis një deputete dikë me shtetësi? Moralisht, pse duhet ta marrë shtetësinë e një shteti dikush që ka rrezikuar sigurinë e atij shteti?”

Gjithashtu, kritika rreth këtij vendimi ka pasur edhe nga subjekte politike.

Ndërsa, duhet theksuar se Abazi, i cili kishte bërë kërkesë edhe gjatë presidencës së Vjosa Osmanit, por ajo nuk kishte miratuar dhënien e shtetësisë për të, ndonëse e kishte aprovuar atë të Dejona Mihalit, e cila në vitin 2016 ishte dëbuar nga Kosova bashkë me Abazin.

Mirëpo, përgjigjja e Ministrisë së Punëve të Brendshme kishte ndikuar që Osmani të mos ia jepte shtetësinë.

MPB-ja, në përgjigjen drejtuar Presidencës, kishte njoftuar se ai ishte regjistruar më herët si i dyshuar për “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, “Prishje e rendit publik”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “Largimi me forcë nga Republika e Kosovës në vitin 2016”.

Boiken Abazi është i njohur për deklarime problematike, si dhe i njëjti ishte cilësuar si rrezik kombëtar, mirëpo kjo nuk e ka penguar bashkëpartiaken e Abazit, e cila tash ushtron postin e Presidentes, Albulena Haxhiun, që t’ia japë shtetësinë e Kosovës.

Një nga deklarimet problematike të Boiken Abazi, ishte edhe ajo e vitin 2016, I cili kishte deklaruar "kush mendon se nënë ka Kosovën, duhet ta ketë të qartë se e ka babë Serbinë".

Ndërsa edhe Mihali, në vazhdimësi, ka bërë deklarime që nxitnin përçarje dhe urrejtje në shoqërinë kosovare.

Lajme të ngjashme