BE shpreh "keqardhje të thellë" për vendimin e KGJK-së për gjyqtarët serbë - NACIONALE

BE shpreh "keqardhje të thellë" për vendimin e KGJK-së për gjyqtarët serbë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje të thellë” për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb.

KGJK më pas i ka kërkuar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu që t’i lirojë nga detyra.

Një zëdhënës i bllokut evropian kujtoi se vendim të ngjashëm mori në korrik edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe më pas lirimi nga detyra i prokurorëve serbë – që kishin dhënë dorëheqje vite më parë – u dekretua nga Haxhiu.

“Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha zëdhënësi përmes një deklarate, raporton REL.

Vendimet për mospranimin e tërheqjeve të dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, sipas BE-së, bien ndesh edhe me “parimet e një gjyqësori multietnik”, duke “dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës”.

Sipas BE-së, sistemi gjyqësor i Kosovës duhet të reflektojë diversitetin etnik të vendit.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve përkatës që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e bëra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi.

Lajme të ngjashme