“Moment dhe zhvillim i ri”: Si u pa prezenca e SHBA-së dhe BE-së në Kuvendin e Kosovës - NACIONALE

“Moment dhe zhvillim i ri”: Si u pa prezenca e SHBA-së dhe BE-së në Kuvendin e Kosovës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar të jenë prezente në sallën e Kuvendit si shenjë revolte dhe thirrje ndaj kryesuesit Avni Dehari dhe subjektit politike Lëvizjës Vetëvendosje që ka dalë e para në zgjedhje që ta thërrasë vazhdimin e seancës plenare, por që as Dehari dhe as Kurti nuk po e bëjnë një gjë të tillë, të cilët po vazhdojnë ta mbajnë peng Kuvendin edhe institucionet e tjera të vendit.

Por ajo që ka ngjallur reagime ka qenë prezenca në Kuvend e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, si dhe e atyre të Bashkimit Evropian.

Kjo do të duhej të ishte këmbanë alarmi për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje dhe liderin e saj, kryeministrin në detyrë dhe deputetin e betuar, Albin Kurtin, i cili, përtej çdo afati kushtetues, po e mban peng Kuvendin duke mos e thirrur seancën për konstituimin e tij, edhe pse i ka numrat.

Prania e dy përfaqësuesve kryesorë ndërkombëtarë në vend, atyre të SHBA-së dhe BE-së, është cilësuar si një moment i ri në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar prezencën e sotme në Kuvend të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së.

Sot ishte një moment i ri në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e Kuvendit, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Kjo prani nuk duhet parë thjesht si një detaj protokollar. Në rrethanat e krijuara, ajo ka një domethënie të veçantë politike dhe përçon një mesazh të qartë: partnerët tanë ndërkombëtarë janë kundër çdo përmbysjeje të rendit kushtetues. Funksionimi i Kuvendit, respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve të shtetit nuk mund të varen nga vullneti politik i një partie apo i një individi”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Gjithashtu edhe komentatori politik, Shenoll Muharremi, ka folur për prezencën e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në sallën e Kuvendit. E ka vlerësuar si veprim interesant.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ky është një zhvillim me peshë.

“Hmmmmm... zhvillim i ri dhe me shumë peshë”, ka shkruar Muharremi.

Ndërsa, pavarësisht mungesës së deputetëve të VV-së dhe LDK-së, ata të PDK-së dhe Aleancës i kanë mbajtur adresimet e tyre të zakonshme nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për sfidat e qytetarëve të Kosovës.

Sot dua të flas për qytetarët që presin zhvillim të politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor. Për prindërit që mezi e dalin muajin. Për të riun që kërkon një vend pune me meritokraci. Për bujkun, për punëtorin, për biznesmenin që lufton çdo ditë për ta mbajtur biznesin gjallë dhe me të drejtë pyesin: Çfarë po ndodh me vendin tonë? Dhe përgjigjja është e thjeshtë dhe shumë e qartë. Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet. Kosova është marrë peng nga një parti e cila veç mirëqenien e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje të tjera.

“Dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione. Kjo parti po luan me besimin tuaj, qytetarë të dashur, dhe po luan me durimin e një populli që ka duruar më shumë se ç’duhet. Por çdo durim e ka edhe një fund. Kosova nuk mund të presë më. Nuk mund të presë që politikanë të papërgjegjshëm të qëndrojnë mbi ligj e Kushtetutë, ndërkohë që jeta e qytetarëve po shënon regres në çdo ditë dhe në çdo sferë”, është shprehur ajo.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik. Gjendja në vend është ka agravon dhe është ka vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe me aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe që e mban gjallë shtetin, dhe mbi të gjitha, një krizë politike e cila nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë të vendit tonë”, ka thënë ai.

Për mosvazhdimin e seancës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe të BE-së në sallën e Kuvendit vjen në një moment kur kriza institucionale po thellohet dhe kur, edhe 20 ditë pas kalimit të afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar.

Lajme të ngjashme