Veriu i Kosovës nën pushtetin e “njerëzve me maska”
Me dorëheqjen e qindra policëve dhe dhjetëra prokurorëve e gjyqtarëve nga institucionet në veri të vendit, kjo pjesë e Kosovës ka mbetur në duart e bandave kriminale të dirigjuara nga Serbia, të cilat kanë për qëllimin destabilizimin. Kjo është vërtetuar të martën, kur u bë përpjekja e parë për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.
Një tentativë e zyrtarëve të Komisioni Qendror Zgjedhor për të shkuar në zyrat e tyre në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut për të nisur përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre komunave veriore, ka nxitur reagime të ashpra në terren.
Me zbarkimin e këtyre zyrtarëve në veri për të ushtruar mandatin e tyre ligjor, janë lëshuar sirenat nga strukturat paralele dhe më pas kanë filluar sulmet me bomba dhe të shtënat me armë zjarri në ajër, duke dëmtuar zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore(KKZ) në këto dy komuna.
Këto veprime kriminale janë ndërmarr nga individë të maskuar që janë pjesë e grupeve të organizuar në veri.
Kjo rezistencë ka detyruar që të zmbrapsen edhe njësit speciale të policisë, të cilat i shoqëronin zyrtarët e KQZ-së.
Këto sulme kanë bërë të qartë se zgjedhje në këtë pjesë të vendit pa Listën Serbe vështirë se mund të këtë.
Ndonëse gjatë ditës janë hedhur 9 bomba, janë dëgjuar dhjetëra të shtëna me armë dhe janë demoluar zyrat e KKZ-ve, nuk është arrestuar askush dhe nuk ka asnjë të dyshuar.
Ajo që ka bërë Policia e Kosovës, pas këtyre sulmeve ndaj objekteve, ka qenë ekzaminimi i vendit të ngjarjes së bashku me KFOR-in.
Policia e Kosova ka bërë me dije se ka nisur hetimet në identifikimin e këtyre personave dhe grupeve.
"Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav. Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë", ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të njëjtat paralajmërime Policia e Kosovës kishte bërë edhe për djegien e disa veturave që janë konvertuar në targat RKS. Ndonëse kanë kaluar muaj nga këto veprime të këtyre bandave, askush nuk është arrestuar për djegien e atyre veturave.
S`ka siguri as për gazetarët
Ndonëse Policia e Kosova dhe liderët politik vazhdimisht kanë proklamuar se policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit, një gjë të tillë nuk po e bën në vëri.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes në objektet e KKZ-ve në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës nuk ka mundur të ofroi siguri as për gazetarët.
Në orët e vona të së martën, Policia e Kosovës ka larguar nga vendi i ngjarjes të gjitha ekipet e gazetarëve të mediave vendore të cilët raportonin nga terreni.
Një veprim i tillë është bërë me arsyetimin se policia nuk mund të ofron siguri.
“Për sigurinë tuaj.” – kështu u është thënë gazetarëve, kur iu kërkuar që të largohen.
Rritjen e kriminaliteti dhe shtimin e pasigurisë në atë pjesë e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se këtyre bandave po iu vije fundi, por faktet nga terreni flasin se aktivitete e këtyre grupeve janë shtuar..
"Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.
Njerëzit me maska ndjekin shqiptarët
Njerëzit me maska që po përmenden nga Policia e Kosovës, nuk kanë cak vetëm institucionet e Kosovës të cilat përpiqen ta shtrijnë autoritetin në atë pjesë të vendit.
Ata po përndjekin edhe banorët shqiptarë që jetojnë në veri të vendit.
Profesori Alban Zenelaj, ditë më parë, ka postuar një video në profilin e tij në “Facebook”, ku shihet se si disa persona të maskuar ndjekin natën një shqiptar.
“Në prag të vitit 2023, shiheni se si përndiqet një shqiptar në veri, i cili vrapon për ta shpëtuar kokën. Njerëzit që e sulmojnë janë të maskuar, ndërkohë që ka disa netë që sipas banorëve, në veri mbrëmjeve nuk ofron siguri askush. Bile, në Urën e Ibrit disa nga banorët janë udhëzu mos me shku as në shtëpitë e tyre. Videoja është incizuar mbrëme rreth orës 22, në një rruge në mes të lagjes 'Tre rrokaqiejt' dhe Spitalit në veri. Policia e ka deklaruar sigurisht vetëm si kanosje”, ka shkruar Zeneli.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë sqarim për këtë rast.
A do të ketë zgjedhje?
Veprimet e ditës së martë kanë treguar se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore do të jetë shumë e vështirë.
Këtë e ka pranuar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Në një postim në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka thënë se tani nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar ambasadori amerikan, duke dënuar aktet e dhunës.
Një ditë me parë, edhe Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka pranuar se do të jetë shumë e vështir mbajtje e zgjedhjeve në këtë situatë.
“Qasja në këto vende është shumë e vështirësuar. Me dasht me shku, siç tha zotëri Kurteshi, me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje jemi duke dashur të organizojmë. Mbetet pa edhe një herë raportin e sigurisë të policisë, për të pasur një raport të tërësishëm për procesin zgjedhor, jo vetëm për sot. Atëherë na duhet ose të bëjmë ndonjë rekomandim, pasi me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala. Nuk mund të rrezikojmë askënd”, ka thënë ai.
Ndërsa, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se pa ofruar siguri nuk mund të këtë proces zgjedhor. “Një prej parimeve kyçe ndërkombëtare mbi zgjedhjet është votimi i lirë. E votimi s'mund të jetë i lirë kur ka më shumë policë të angazhuar sesa votues nëpër qendra të votimit. KQZ-ja nuk po arrin që t'i dërgojë trupat menaxhuese të zgjedhjeve as nëpër objektet përkatëse të KKZ-ve në komunat veriore. Madje, edhe forcat speciale policore po dështojnë në këtë drejtim. Bazuar në këtë situatë, si mund të presim që KQZ-ja do të arrijë t'i hapë shkollat dhe qendrat tjera të votimit në ditën e zgjedhjeve? Si do të garantohet siguria e komisionerëve, sidomos nëpër zona të largëta në veri? Si do t'u mundësohet qytetarëve votimi pa presione? Si do të garantohet integriteti i rezultateve?”, ka shkruara ai në profilin e tij në “Facebook”.
Pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Gjithashtu, dorëheqje kanë dhënë edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe në këto komuna.
Veprimet e Listës Serbe janë përcjell edhe me dorëheqjen e qindrave policëve dhe dhjetëra prokurorëve e gjyqtarëve. Kjo ka bërë që në atë pjesë të zvogëlohet prania e forcave të rendit, të cilat tani janë të fokusuara me tepër në ruajtjen e objekteve të stacioneve policore dhe të gjykatave.
Largimi i Listës Serbe nga institucionet qendrore dhe lokale ka ardhur pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e targave ilegale. Pas dakordimit në Bruksel, Qeveria e ka pezulluar këtë vendim, por serbët kanë refuzuar të kthehen në institucionet e Kosovës.
Pas konsultimeve me partitë politike, presidentja e Kosovës ka vendosur që zgjedhjet për kryetar të komunave veriore të mbahen më 18 dhjetor.



