Ambasadori amerikan dënon sulmet në veri, thotë se nuk ka kushte për zgjedhje - NACIONALE

Ambasadori amerikan dënon sulmet në veri, thotë se nuk ka kushte për zgjedhje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka bërë një postim në profilin e tij në Twitter me një porosi për Qeverinë e Kosovës në lidhje me situatën në veri dhe e cila pritet të ketë implikime politike.

Ambasadori fillimisht dënoi dhunën e shkaktuara gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës, ku u dëgjuan shumë shpërthime pas përpjekjeve të autoriteteve kosovare për të organizuar procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit.

“Dhuna dhe intimidimi, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është asnjëherë metodë e duhur e protestës,”- u shpreh ai.

Hovenier më tej ka thënë se ShBA-të janë të shqetësuara se kushtet “nuk janë të duhurat që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë."

Konteksti

Këto fjalë të ambasadorit Hovenier janë veçanërisht të rëndësishme pas deklaratave të kryeministrit Kurti për një gazetar gjerman për krizën me targa. Kryeministri Kurti ishte shprehur se "ambasadori amerikan kishte më shumë informacione se unë", gjë që e bën edhe më të rëndësishëm vlerësimin e ambasadorit të ShBA-ve.

Madje, Kurti edhe e kishte mbrojtur qëndrimin e tij nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ishte normale që ambasadori amerikan të kishte më shumë informacione për situatën në veri se ai.

Situata aktuale duket përsëri e tensionuar, me grupe apo qytetarë të panjohur që kanë shkaktuar shumë shpërthime pas punës që po kryenin zyrtarët lokalë të KQZ-së të shoqëruar nga policia e Kosovës për zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Zgjedhjet e 18 dhjetorit ishin shpallur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Deri më tash, pushteti nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqej nga data e përcaktuar për zgjedhje lokale, e në të cilat nuk po marrin pjesë kandidatët e Listës Serbe. Kryeministri i Kosovës është pyetur vazhdimisht nga opozita vendore se cila ishte strategjia për t'i ri-integruar serbët e vendit në institucionet tona pas dorëheqjeve masive të tyre.

Ai nuk kishte pasur ndonjë përgjigje konkrete.

Në anën tjetër, më 'konkret' ishte treguar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq që kishte thënë se si kusht për kthimin e zyrtarëve serbë në vendet e tyre të punës ishte nisja e punës për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ambasadori amerikan Hovenier e ka konsideruar po ashtu si nevojë urgjente formimin e këtij Asociacioni, e të cilën fillimisht e kishte lidhur edhe me kërkecën specifike për shtyrjen e afatit për targa.

Gazeta Nacionale gjatë ditës së djeshme ka raportuar përmes burimesh se Nënsekretari amerikan Derek Chollet do të vinte për një vizitë në Kosovë gjatë javës tjetër. Kjo vizitë vjen mes zhvillimesh dramatike, dhe është vizita më e rëndësishme e një zyrtari të administratës amerikane që prej ardhjes së Asistent-Sekretares Karen Donfried në muajin prill.

Lajme të ngjashme