Përgatitja për zgjedhje, revolta e serbëve e shpërthimet e forta - çka ndodhi dje në veri?
Dje gjatë ditës ishte e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunalë së bashku me zyrtarë të KQZ-së, Ministrisë së Pushtetit Lokal të vendosen në komunat me shumicë serbe të cilat janë duke funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se të njëjtit kanë dhënë dorëheqje.
Fillimisht, mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online, raportoi se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut, të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.

Në anën tjetër, Kallxo.com raportoi se alarmi u lëshua në pjesën veriore të Kosovës gjatë tentativës për zëvendësimin e zyrtarëve të lartë.
Si pasojë u dëgjuan dy shpërthime, ndërsa nga ndërtesa kanë dalë anëtarët e komisionit në fjalë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës bëri të ditur se ka pasur dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë të Veriut nga grupe të dyshuara të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.
Në ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një komunikate për publik, tha se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze.
Sipas këtij sqarimi nga Policia e Kosovës, deklarimet nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Pas shpërthimeve, situata në veri gjatë ditës së martë ka qenë e tensionuar, ku kohë pas kohe, janë dëgjuar shpërthime, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna armësh.
KFOR-i, Policia e Kosovës dhe pjestarë të EULEX-it po ashtu janë parë pranë zyreve të KKZ-së në veri të vendit.
Gazetarët e Nacionales, Halim Kafexholli e Miranda Shala raportonin vazhdimisht nga vendi i ngjarjes, ku treguan për disa shpërthime tjera, teksa qëndronin në veri të vendit.
Sipas informatave të përcjellura nga gazetarët, KFOR-i duket ta ketë deminuar e më pas edhe larguar mjetin e pashpërthyer që dyshohet të ketë qenë brenda zyreve të KKZ-së në veri.
KQZ
Komisioni Qendror Zgjedhor ndërkaq, dje në orët e mbrëmjes mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën ka folur edhe kreu i saj, Kreshnik Radoniqi.
Radoniqi ka thënë se zgjedhjet nuk mund të mbahen me zor, duke iu referuar situatës së fundit në veri të vendit.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar një vendim zyrtar, pritet që një i tillë të merret pas raportimit të plotë të policisë.
I pari i Komisionit Zgjedhor Zgjedhor deklaroi se nëse është e nevojshme që të shkohet në veri me gjithë aparatin policor, atëherë për çfarë zgjedhje po flasim.
“Qasja në këto vende është shumë e vështirësuar. Me dasht me shku, siç tha zotëri Kurteshi, me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje jemi duke dashur të organizojmë. Mbetet pa edhe një herë raportin e sigurisë të policisë, për të pasur një raport të tërësishëm për procesin zgjedhor, jo vetëm për sot. Atëherë na duhet ose të bëjmë ndonjë rekomandim, pasi me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala. Nuk mund të rrezikojmë askënd”, tha ai.

MPB
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar pas shpërthimeve që ndodhën dje në veri të vendit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se të martën e 6 dhjetorit Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.
Ai ka treguar gjithashtu se këta zyrtarë dhe policia janë sulmuar nga grupe të organizuara me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.
Kurse, kryeministri Kurti tha se bandat kriminale të vetëdijshme se po i vjen fundi dhe se bombat që hedhin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore.
Ajo që duhet përmendur gjithsesi, është fakti se një banor i Mitrovicës së Veriut, i cili nuk ka dashur t'i përmendet emri, tha për Nacionalen se për disa netë me radhë, njerëz nga komuniteti serb janë mbledhur në rrugë.
“Qe 3-4 netë, nëpër rrugica qëndrojnë njerëz të komunitetit serbë, kah 3-4 persona minimum (mbrëmë ose parmbrëmë keni mujt me e pa videon e tre rrokaqiejve). Sot ku KQZ vendosi me polici me shku nëpër zyrës e tyre dhe me ushtru detyrën, nuk ka pasë gjasa me u afru afër zyrës, për shk kqë tërë kohën, në një distancë jo të largët prej zyrës, kanë qendruar persona të komunitetit serbë, të gatshëm mos me leju kërkon me hy.” – ka thënë qytetari.
“Ka pasur edhe të shtëna të kohë pas kohshme të armëve, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë moment. Siguri nuk ka. Polici pothuajse hiç. Sidomos në pjesën e tre rrokaqiejve, përveç një veture të Carabinierve që patrollojnë, tjerë nuk ka. Sa për Eulex, në rast eskalimi të situatës, janë të parët që ikin.” – tha ai.