Intervistë | Deputetja suedeze me origjinë shqiptare: Shpresoj ta frymëzoj rininë që të merret me politikë
Thuhet shpesh se shqiptarët e Kosovës mbiprodhojnë politikë. Megjithatë, ka mungesë politikanësh të përgjegjshëm për ta ekzekutuar atë politikë. Një politikane të përgjegjshme me origjinë kosovare duket se do ta ketë, për fat, Suedia. Ajo së fundi u zgjodh deputete në shtetin mik të Kosovës. Kush është ajo dhe cilat janë mesazhet e saj?
Deputetja suedeze me origjinë kosovare, Aida Birinxhiku, është shprehur krenare me popullin suedez që ia ka dhënë besimin për herë të parë.
Ajo ka bërë me dije se nga pozita e deputetes do ta mbështesë në mënyrë të parezervë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Birinxhiku i ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen që ia kanë dhënë.
Ajo ka treguar se ka vendosur që të merret me politikë për ta ndryshuar shoqërinë për të mirë.
Nën petkun e Partinë Social-Demokrate, ka thënë ajo, do të luftojë për një shoqëri ku të gjithë njerëzit mund t'i ndiejnë lirinë, sigurinë dhe besimin në të ardhmen.
Në këtë intervistë, ajo ka folur edhe për vizitat në Kosovë.
Ajo është shprehur optimiste që fitorja e saj të jetë një frymëzim për rininë kosovare për t'u marrë me politikë.
Nacionale: Birinxhiku, ju jeni zgjedhur për herë të parë deputete në Parlamentin e Suedisë. Çka do të thotë kjo për ju?
Birinxhiku: Jam shumë krenare dhe e nderuar që fitoj këtë mbështetje dhe besim nga populli suedez.
Nacionale: Nga ajo që është raportuar, kemi parë se ju jeni deputetja më e re në parlamentin suedez. Çfarë ju shtyri që t`i hyni politikës?
Birinxhiku: Fillova të merrem me politikë, sepse dua ta ndryshoj shoqërinë për të mirë. Ndërsa e zgjodha Partinë Socialdemokrate, sepse dua të luftoj për një shoqëri ku të gjithë njerëzit mund t'i ndiejnë lirinë, sigurinë dhe besimin në të ardhmen.
Nacionale: Sa sfiduese ishin gara, fushata zgjedhore dhe zgjedhja në këtë post?
Birinxhiku: Mënyra e zgjedhjes këtu është e komplikuar. Këtu është sistem elektoral i mbyllur, ku shumica e votuesve në Suedi e votojnë partinë, jo një kandidat. Pra nuk votohen si në Kosovë, ku votohen nga pesë kandidatë. Unë jam mirënjohëse që e kam pasur përkrahjen në parti dhe në elektorat.
Nacionale: Cilat do të jenë objektivat tuaja si deputete në këtë mandat?
Birinxhiku: Edukimi për mua është shumë i rëndësishëm. Unë do të angazhohem që të gjithë fëmijët, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, të kenë kushte të njëjta shkollimi. Është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë sukses në shkollë, e veçanërisht fëmijët që vijnë nga shtete të tjera në Suedi. Edukimi është një rrugëdalje nga kriminaliteti, tjetërsimi dhe varfëria.
Nacionale: Zgjedhja juaj dhe e z. Dibrani është komentuar shumë edhe në Kosovë, vendi ku ju e keni origjinën. Si i keni parë këto reagime?
Birinxhiku: Unë jam shumë mirënjohëse për mbështetjen dhe ngrohtësinë e popullit në Kosovë. E di që kjo do të thotë shumë për shoqërinë shqiptare.
Nacionale: Tani në parlamentin suedez do të jeni dy kosovarë. Çka mund të presë nga ju vendi i origjinës, Kosova?
Birinxhiku: Kosova është shtet i pavarur dhe udhëhiqet nga qeveria e shumicës parlamentare, që rezulton nga vota e lirë. Ajo do ta ketë mbështetjen time të parezervë në rrugën e saj drejt avancimit të demokracisë dhe integrimit euroatlantik. Si deputete në Suedi, dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian. Si deputete në Suedi, dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Nacionale: Sa shpesh e vizitoni Kosovën?
Birinxhiku: Përpiqem ta vizitoj Kosovën çdo verë.
Nacionale: Cili është mesazhi juaj për rininë kosovare, e cila i është gëzuar shumë zgjedhjes suaj si deputete?
Birinxhiku: Shpresoj se mund t'i frymëzoj ata që të angazhohen në politikë dhe të përpiqen ta bëjnë shoqërinë një vend më të mirë. Është e rëndësishme për demokracinë tonë.


