Intervistë | Çitaku: Kurti duhet t`i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe të mësojë nga ta
Intervista e parë e Hashim Thaçit nga Haga ka prekur bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Ajo po konsiderohet si frymëzuese nga ta. Vlora Çitaku ka thënë se fjalët e matura dhe unifikuese të ish-presidentit duhet të rezonojnë drejtë tek secili.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur e emocionuar me intervistën e parë nga Haga të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ajo ka thënë se për të gjithë bashkëpunëtorët e tij ishte frymëzuese të dëgjohet intervista e parë e Thaçit pas tri vitesh.
Çitaku ka vlerësuar se në intervistën për gazetën Nacionale, Thaçi ka folur si burrështetasi i munguar i Republikës së Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se fjalët e matura, unifikuese dhe frymëzuese të ish-presidentit duhet të rezonojnë drejtë tek secili politikan.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çitaku ka deklaruar se edhe gjatë vizitave që i bëhen në Hagë, ish-kryeministri i Kosovës është i tillë.
Ajo ka treguar se në asnjë vizitë nuk ka vërejtur dozë mërzije, inati apo mllefi të Thaçit.
Nder të tjera, ish-ambasadorja e Kosovës ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk po bëjnë sa duhet për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë,
Sipas saj, kryeministrit Albn Kurti duhet t`i vizitojë ata.
Nacionale: Znj. Çitaku, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë intervistën e parë nga Haga. Cili është komenti i juaj për këtë intervistë?
Çitaku: Sigurisht, edhe për ne që e takojmë shpesh, ishte frymëzuese dhe emocionuese ta dëgjojmë dhe ta lexojmë intervistën e parë publike të Presidentit Thaçi pas gati tre vitesh. Mund vetëm ta imagjinoj përjetimin që e kanë ndjerë qindra mijëra mbështetës dhe dashamirë të Presidentit Thaçi anë e kënd Kosovës. Që të jem plotësisht e sinqertë, ndonëse vizitat e mija në Hagë janë të shpeshta, ne rrallë e pak flasim për politikë. E kësaj radhe, Presidenti Thaçi foli si burrështetasi i munguar i Kosovës. Fjalët e tij të matura, unifikuese dhe frymëzuese shpresoj të rezonojnë drejtë, tek secili prej nesh. Asnjëherë, në asnjë vizitë në atë qeli ku po mbahet peng, unë nuk kam vërejtur asnjë dozë mërzije, inati, mllefi. Presidenti Thaçi e ka pranuar këtë proces në Hagë si betejën e tij të radhës, për Kosovën.
Nacionale: Cila pjesë e intervistës ka qenë më emocionuese për ju?
Çitaku: Presidentin Thaçi nuk e kam pasur vetëm epror. E kam pasur dhe e kam edhe shok. E di sa shtrenjtë e ka paguar ai dhe familja e tij angazhimin publik. Presidenti Thaci nuk ka qenë pranë Lumes, bashkëshortes së tij, kur ka lindur Endriti, sepse ka qenë në
luftë. E për fat të keq, nuk ka qenë as në ceremoninë e diplomimit të Endritit, për shkak të mbajtjes në paraburgim në Hagë. Prindërit i ka në moshë të shtyer. Ju ka munguar gjithë jetën. Ju mungon edhe sot. Ndjejë dhimbje për Hashim Thaçin si njeri. Si djalë, babë, bashkëshort, vëlla, mik. Si politikan, Hashim Thaçi është i realizuar dhe i përmbushur. I patejkalueshëm. Po ai asnjëherë nuk e ka përjetuar këtë dramë as si mallkim, as si dënim. Vazhdimisht më ka thënë, kjo është vetëm sfida e radhës. Vetëm beteja e radhës. Vetëm çmimi i
lirisë.
Nacionale:
Përmes intervistës, z. Thaçi ka dhënë edhe disa mesazhe këshilluese për unitet. Çka flasin për ju këto porosi?
Çitaku: Presidenti Thaçi është i ndërtuar e i kalitur për beteja të mëdha. Nuk sfidohet me banalitete e thashetheme të përditshmërisë. Kjo sigurisht, si rezultat i rrugëtimit të tij jetësor. E ky rrugëtim e ka mësuar atë se në beteja të mëdha, ne duhet të jemi të bashkuar drejt qëllimit, dhe nuk guxojmë të fundosemi në vorbullën e betejave të vogla e të pakuptimta me njëri tjetrin. Por, për vendime të tilla duhet guxim. Dhe duhen prijës që ndërtojnë konsensus. Që arrijnë me e tejkalu vetveten. Ne e kemi për obligim, si gjeneratë, që ta përmbyllim dialogun me Serbinë. Me një marrëveshje gjithpërfshirësë, me njohjen reciproke në qendër. Dhe në këtë proces, duhet të sillemi si fitues, jo si humbës. Ne, bashkë me aleatët e kemi fituar luftën. Ne jemi fitimtarë dhe duhet të sillemi si të tillë.
Nacionale: Në këtë kohë Kosova po përballet me një përçarje të thellë mes pozitës dhe opozitës. Sa do të duhej të merren parasysh mesazhet e Thaçit nga skena politike?
Çitaku: Hashim Thaçi ka qenë një djalë i ri, shumë i ri, kur ka guxuar ta ëndërroj të pamundurën. Kur ka guxuar të marrë pushkën dhe të luftojë për lirinë e popullit të tij. Përvoja e tij jetësore e ka mësuar që për të arritur rezultate të qëndrueshme, përtej guximit duhet edhe konsensus. Përtej dëshirës duhet edhe maturi. Përtej të drejtës duhen edhe miq e aleat. Por, mbi të gjitha, për suksese të mëdha, na duhet bashkrëndim me Uashingtonin. Urtësi.
Fatkeqësisht, sot kemi një kastë qeverisëse arrogante dhe paranoike. Shohin armiq dhe kundërshtarë kudo. E edhe kur nuk kanë artificialisht i krijojnë ato.
Nacionale: Po ashtu, ai shpreh edhe disa shqetësime për raportet e Kosovës me aleatët dhe me Shqipërinë. Si i keni parë këto pjesë të intervistës?
Çitaku: Shqipëria nuk është një fqinj i rëndomtë i Kosovës. Nuk kemi as arsye e as nevojë ta fshehim lidhjen e thellë, organike që e kemi me njëri tjetrin. Shumë gjëra janë ende të klasifikuara, por do të vijë dita kur faktet do ta dëshmojnë që asnjë hap i madh dhe i rëndësishëm i Kosovës nuk do të ishte i suksesshëm pa Shqipërinë. Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës e kanë për obligim kombëtar që ta ruajnë, mirëmbajnë, dhe fuqizojnë këtë relacion. Për më tepër, kur Shqipëria ka një Kryeministër kaq të suksesshëm e karizmatik si Edi Rama. Nuk duhet as të ketë hapësirë për xhelozi. Kur flet Edi, e dëgjojnë me admirim krejt aleatët tanë. Bëjmë mirë ta dëgjojmë edhe ne, ndonjëherë. Ndërkohë që, është për keqardhje se si një klasë qeverisëse sot në Kosovë, përkundër mbamendjes historike, koordinimin me SHBA dhe BE e sheh si nënshtrim.
Ne kemi pasur të drejtë edhe para 100 vitesh. Edhe Isa Boletini ka pasur të drejtë. Edhe Azem Galica. Edhe Shaban Polluzha. Por, synimet i kemi arritur plotësisht vetëm kur i kemi pasur aleatët me vete.
Nacionale: A kanë bërë sa duhet institucionet e Kosovës për z. Thaçi dhe të tjerët që gjenden në Hagë?
Çitaku: Fatkeqësisht, jo aq sa do të duhej. Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, në Hagë nuk janë emra të përveçëm. Atje, në atë Gjykatë, ata përfaqësojnë një epokë. Një luftë për liri. Një ëndërr të përmbushur me shumë sakrificë. Përtej mbështetjes së cunguar financiare, këtu në Kosovë, nga eksponent të qeverisë, po synohet retushimi i historisë. Kjo është e pafalshme.
Nacionale: Në një pjesë të intervistës ish-presidenti flet në detaje për vizitën e kryeministrit Rama në Hagë. A do të duhej që edhe z. Kurti ta vizitonte Thaçin në Hagë?
Çitaku: Presidenti Thaçi në intervistën e tij, kur flet për Kosovën dhe aleatët, e thotë që falënderimi më i madh për mbështetësit e Kosovës është suksesi ynë. Edi Rama e ka bërë Shqipërinë pikë referente në turizëm, kulturë, art. Përtej kësaj, Edi ka vendosur ta marrë mbi supe një betejë jo të lehtë e me shumë kokëçarje për të, mbrojtjen publike dhe diplomatike të luftës së UÇK-së. Kryeministri Kurti jo vetëm që nuk i ka vizituar, po në videot e VV vazhdon ta përgojojë Presidentin Thaçi, ndonëse ai nuk është këtu për t’i dhënë përgjigje. Kryeministri duhet të shkojë në Hagë, t’i takojë, e që besa edhe të mësojë nga ata.

