Intervistë | Rama: Qeveria Kurti po i ndëshkon qytetarët vetëm pse nuk e kanë votuar VV-në, Kosova po rrëshqet drejt diktaturës - NACIONALE

Intervistë | Rama: Qeveria Kurti po i ndëshkon qytetarët vetëm pse nuk e kanë votuar VV-në, Kosova po rrëshqet drejt diktaturës

2 orë më parë

nga Muhamet Koci

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po ndëshkon qytetarët e vetëm pse nuk e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.

Ai ka bërë me dije se kjo qeveri në mënyrë të qëllimshme po i bllokon komunat e Kosovës.

Në një intervistë për gaztën Nacionale, Rama ka thënë se me këtë qasje Kosova po rrëshqet drejt diktaturës.

“Kërkojmë mbrojtjen e demokracisë, të Republikës dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kompetencat e komunave duhet të respektohen njësoj si ato të nivelit qendror. Pikërisht për këtë arsye qytetarët i zgjedhin kryetarët e komunave, që ata t’i çojnë proceset përpara. Por çfarë ndodh nëse centralizohet e gjithë Kosova dhe me gjithçka merret vetëm një njeri? Ky sistem njihet: është sistem komunist dhe diktatorial”, ka thënë Rama në emisionin “Intervista Nacionale”, në gazetën Nacionale.

Ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nesër të jenë pjesë e protestës.

“Në anën tjetër, nga buxhetet e komunave kërkohet që të kryhen këto pagesa. Si rezultat, një numër i madh i fondeve u janë marrë komunave në mënyrë të padrejtë. Diku ndërmjet 320 dhe 324 milionë euro u janë marrë komunave. Disa prej komunave janë sjellë edhe pranë kolapsit. Ky është një problem i madh, sepse buxheti që u merret komunave është i destinuar për qytetarët. Për fat të keq, kjo qeveri jo vetëm që nuk po i ndihmon komunat, por po ua shton ngarkesën. Nëpërmjet përmbaruesve, një numër i madh i këtyre fondeve u është marrë komunave në mënyrë të padrejtë. Si rezultat, shumë komuna, përfshirë edhe kryeqytetin, po përballen me probleme të mëdha. Miliona e miliona euro i janë marrë kryeqytetit dhe komunave të tjera”, ka “Fondet që i merren kryeqytetit dhe komunave të tjera janë të destinuara për të mirën e qytetarëve: për shkolla, rrugë, çerdhe, zona të gjelbra dhe rekreative, për fëmijët, për të moshuarit, për investime në shëndetësi e të tjera. Këto fonde janë për qytetarët. Tani qeveria, qëllimshëm, po ua merr këto fonde komunave dhe po i sjell ato pranë kolapsit të plotë”, është shprehur ai.'

Ai ka vlerësuar se kjo qasje e Qeverisë është e palogjikshme.

Unë këtë nuk e kuptoj. Është jashtë çdo logjike. Në fund të fundit, qeveritarët dhe politikanët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë në qeveri janë votuar nga qytetarët. Mirëpo këta qeveritarë po punojnë drejtpërdrejt kundër interesave të qytetarëve që i kanë votuar. Ky është problemi. Taksat dhe të hyrat që qeveria i mbledh nga qytetarët duhet t’u kthehen atyre në formën e ndihmës dhe përmirësimit të jetës, nëpërmjet komunave dhe projekteve të tjera qeveritare. Qeveria po e bën të kundërtën: po i bllokon dhe po i saboton komunat”, ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës ka folur edhe për kryetarët e komunave që qeverisen nga VV-ja, të cilët kanë refuzuar të përkrahin këtë protestë.

Ai ka bërë me dije se kjo është bërë me urdhër të partisë.

“Po, unë e ceka që, për fat të keq, nuk besoj që ekziston demokraci në këtë parti. Për këtë arsye, i përngjan më shumë një sekti sesa një partie, ku zërin e askujt nuk guxojnë me e dëgju, por vetëm të njërit apo të dy-tre vetave aty, të cilët i marrin vendimet. Kështu që, nëse e kanë informatën që të mos bëjnë zë, atëherë nuk bëjnë zë”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë protestë është dashur të marrin pjesë edhe kryetarët e komunave të VV-së.

“Po, normal që po. Për fat të keq, sepse unë besoj në sistemet demokratike, ku votat e qytetarëve duhet të reflektohen automatikisht në vendimmarrje nëpërmjet njerëzve të cilët i kanë votuar. Duhet të dëgjohet zëri i tyre i vërtetë, jo të jetë i dirigjuar vertikalisht prej një autokrati”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme