"I shkeli parimet, pranoi Zajednicën": A ka legjitimitet Kurti për të negociuar për Asociacionin? - NACIONALE

"I shkeli parimet, pranoi Zajednicën": A ka legjitimitet Kurti për të negociuar për Asociacionin?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Që nga dje, shumë kritika kanë shkuar në adresë të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, pasi e pranoi se ka Asociacion të komunave me shumicë serbe në marrëveshjen evropiane. Njeriu që e kundërshtoi për 10 vite, në një mbrëmje të 22 marsit në RTK e pranoi që edhe ka propozuar një statut, ndonëse vazhdoi ta përdorte termin vetëmenaxhim.

Për shkak të së kaluarës së tij, Kurti është nën kritika të ashpra, pasi dikur ai, si deputet e kryetar i VV-sës hodhi edhe gaz kundër Asociacionit, që dikur Kurti e quante “Zajednicë”. Një nga kritikat më të mëdha ndaj Kurtit ishte ajo e shkeljeve të premtimeve, duke theksuar se Kurti nuk ka legjitimitet për të zbatuar Asociacionin.

Durim Berisha, ish-këshilltar i Kurtit gjatë qeverisjes së tij të parë, i tha Nacionales se që nga dje Kurti e ka vrarë mitin mbi veten si njëri i shpresës e guximit për të mbrojtur rendin kushtetues të Kosovës.

“Nëse flasim për legjitimitetin moral, atëherë duhet theksuar se Kryeministri ka shkelur çdo premtim të bërë dhe çdo parim të proklamuar. Ai vrau mitin për Albin Kurtin si njeri i shpresës, ligjshmërisë dhe guximit për të mbrojtur rendin kushtetues të Kosovës.” – deklaroi z. Berisha.

Pak a shumë, në të njëjtën linjë është edhe Jusuf Thaçi, që ishte zëvendësministër në Qeverinë Kurti I. Dje, pak orë pasi Kurti e pranoi se ka Asociacion, Thaçi vlerësoi se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për të diskutuar për “Zajednicën”.

“Bazuar në atë që deklaroi sonte kryeministri Kurti në RTK në lidhje me Zajdenicën/Asociacionin, që prej sonte kjo qeveri më nuk ka legjitimitet të qeverisë me vendin, sepse nuk përfaqëson më atë që e ka proklamuar në zgjedhje (edhe para zgjedhjeve) në lidhje me Zajdenicën, bile tashmë përfaqëson të kundërtën e asaj që ka premtuar në zgjedhje. Relativizimet janë të kota, Zajdenica është Zajdenicë, nuk mund të bëhet kurrë as e mirë e as e pranueshme. Shpresat për të bërë eskivazha gjatë zbatimit të Zajdenicës janë të kota.” – shkroi dej z. Thaçi.

Megjithatë, në kontekstin juridik, z. Berisha theksoi se si kryeministër i Kosovës, e ka të drejtën të negociojë marrëveshje ndërkombëtare. Madje, Berisha thekson se cilado marrëveshje që prek rendin kushtetues e çështjet politike, territoriale apo të drejtat e njeriut, duhet të ratifikohet në Kuvend.

“Kryeministri gëzon autorizime kushtetuese për të negociuar një marrëveshje ndërkombëtare dhe për ta nënshkruar atë. Mirëpo ajo kthehet në akt juridik, pasi të jetë ratifikuar nga kuvendet e të dy shteteve nëshkruese, përndryshe nuk kemi të bëjmë me marrëveshje ndërshtetërore, por me ndonjë improvizim sikurse kemi parë në dialog që sa vite. Duhet theksuar se askush nuk mund të implementojë diçka që prek rendin kushtetues, çështje politike, territoriale apo të drejtat e njeriut pa miratimin formal, pra ratifikimin në Kuvend të një marrëveshje ndërkombëtare.” – theksoi Berisha.

Çka tha Kurti dje në RTK?

Dje Kurti dha një intervistë relativisht të gjatë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), që është mediumi i vetëm publik i vendit. Në fakt, kjo ishte hera e parë që Kurti e pranoi në mënyrë eksplicite që Asociacioni parashihet në marrëveshjen evropiane. Edhe moderatorja e emisionit ishte e qartë në pyetjen e saj, që duket se e ka predispozuar edhe përgjigjën e Kurtit.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme. Pra 39 marrëveshje janë, prej 2 korrikut të vitit 2011 deri më 25 gusht të 2015, për diç më shumë se 4 vite, janë 39 marrëveshje.” – deklaroi Kurti.

Tutje, Kurti tentoi mbrëmë të bënte dallimin mes Asociacionit dhe vetëmenaxhimit, term që gjendet në marrëveshjen e Ohrit.

“Pra edhe një herë, duhet ta bëjmë dallimin midis le të themi strukturave dhe shërbimeve. Në letrën e tyre që e kanë bërë publike si qëndrim zyrtar të Qeverisë së ShBA-së, të datës 30 janar të këtij vitit, zyrtarët e lartë, Dereck Chollet dhe Gabriel Escobar, e vënë në spikamë jo struktura, por shërbime të cilat ofrohen nga komunat, sepse në fokus është qytetari. Në këtë kuptim, unë besoj që edhe kjo niveli i përshtatshëm i vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, do të mund të zgjedhet për të mirën e të gjithë serbëve, pa rrezikuar rendin kushtetues e juridik të Kosovës, duke i shërbyer demokracisë, por edhe natyrisht duke i pranuar edhe ofertat që i bëj unë” – deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme