Siguria në 2 vjet të qeverisë Kurti: Çfarë ndodhi me Policinë, FSK-në e AKI-në? - NACIONALE

Siguria në 2 vjet të qeverisë Kurti: Çfarë ndodhi me Policinë, FSK-në e AKI-në?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Siguria ka qenë një nga temat kryesore që kishte zënë vend në programin qeverisës të kryeministrit e qeverisë Kurti për periudhën 2021-2025. Kur kanë kaluar saktësisht dy vjet që nga koha kur qeveria Kurti II u votua në Kuvend, shumëçka ndodhi në aspektin e sigurisë, sidomos në dy institucionet kryesore si Policia e Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gazeta Nacionale ka përgatitur një përmbledhje të zhvillimeve kryesore gjatë këtyre dy viteve në apsketin e sigurisë, sidomos për Policinë, FSK-në e AKI-në.

Pakënaqësitë me Ligjin e Pagave

Për të nisur nga zhvillimet më të fundit, ishte Ligji i Pagave që ishte pritur për kohë të gjatë nga qindra policë e ushtarë. Me miratimin e këtij ligji nga qeveria Kurti dhe pasi u bë e ditur se koeficienti ishte 105, pati edhe shumë zhgënjim.

Në fakt, Sindikata e Policisë së Kosovës e dërgoi kërkesën te Avokati i Popullit që Ligjin e Pagave ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Një gjë e tillë ende është duke u diskutuar brenda institucionit të Avokatit të Popullit.

Pagat e Policëve me Ligjin e ri: Drejtori i policisë 1522.5 euro, Koloneli 1071 euro, Polic i lartë 619.5 euro, Polici 525 euro, Polic i ri 472.5 euro, Kadet 210 euro.

Pagat e ushtarëve me Ligjin e ri: Sipas kësaj vlere, Komandanti i FSK-së do të paguhet 1 mijë e 575 euro, gjenerallejtënanti i bie të ketë pagën mujore 1522,5 euro, ndërsa gjeneralmajori pritet që të paguhet 1 mijë e 470 euro. Një gjeneral brigade do të paguhet me 1 mijë e 365 euro, ndërsa koloneli i Forcës së Sigurisë, do ta ketë pagën mujore 1 mijë e 260 euro. Majori i FSK-së do të marr pagë prej 1 mijë e 50 euro në muaj. Ushtari i klasit të parë do të paguhet 609 euro, ushtari do të paguhet 588 euro ndërsa rekruti apo kadeti i FSK-së do të paguhet vetëm 210 euro në muaj.

Te Avokati i Popullit janë bërë më shumë se 30 ankesa, dhe pritet vendimi nëse Ligji i Pagave do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Dorëheqje, emërime...

Qeveria Kurti është përballur me një situatë të rrallë sidomos në aspektin e sigurisë në pjesën veriore. Për shkak të problemeve politike, të gjithë policët serbë në stacionet e veriut dhanë dorëheqje dhe dorëzuan uniformat.

Policia e Kosovës shpalli konkursin e ri, dhe tashmë janë në finalizim e sipër të gjitha procedurat për përzgjedhjen e policëve të rinjë serbë. Bazuar në të dhënat që kishte raportuar Nacionale, ishin mbi 100 aplikues.

Ngjashëm si në Policinë e Kosovës, edhe në FSK aktualisht janë duke u zhvilluar procedura në një tjetër konkurs. Kjo për të pranuar ushtarët e rinjë. Konkursi ishte shpallur në dhjetor dhe synimi është të pranohen mbi 600 ushtarë të rinjë aktivë.

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë si një nga rastet më të tmerrshme, kishte nxitur shumë reagime. Si rezultat, kishte dhënë dorëheqje drejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Për disa muaj me radhë ai u zëendësua nga Fehmi Hoti si ushtrues detyre, dhe para pak ditësh Qeveria e zgjodhi Gazmend Hoxhën drejtor të ri të Policisë.

Ndryshime ka pasur edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Qysh pas marrjes së mandatit, Petrit Ajeti ishte zgjedhur drejtor i AKI-së në prill të vitit 2021. Kurse, disa muaj më parë nga pozita e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së, ishte larguar Burim Ramadani.

Statistikat e aksioneve të Policisë

Shumë aksione kundër kontrabandës, krimit të organizuar e dukurive tjera ilegale janë ndërmarrë gjatë këtyre dy viteve nga institucionet e sigurisë. Për këtë ishte krenuar në përmbyllje të vitit 2022 edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti në një postim në facebook kishte treguar të dhënat e aksioneve në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit në vitin që lamë pas.

“U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë; Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit; Shkatërruam 69 grupe kriminale; U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike; Shkatërruam 5 laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri; Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave; Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore”, kishte shkruar Kurti në rrjete sociale.

Policia e Kosovës pati punë të madhe gjatë gjithë kohës në veri. Situatat politike me vendime të ndryshme, bënë që serbët disa herë të bllokonin rrugët në pjesën veriore. Policia e Kosovës në shumë raste edhe u sulmua nga struktura ilegale serbe në atë zonë.

Shpesh në pjesën veriore ka shkuar edhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, madje i veshur në stilin e Zelenskyt. I shoqërua një herë edhe nga e famshmja e VV-së, Dejona Mihali.

Akuzat për ndikim

Zyrtarë të lartë e deputetë nga partitë opozitare jo rrallë gjatë këtyre dy viteve kanë drejtuar akuza të ashpra në drejtim të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Kjo pasi sipas tyre, Sveçla ndikon me detaje në Policinë e Kosovës. Madje, duke ndërhyrë edhe në zinxhirin komandues, dhe mënyrën se si të ndërmerren aksionet.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për gazetën Nacionale, kishte deklaruar se Sveçla iu përzihet policëve se cilën autoblindë apo cilat pajisje t’i marrin gjatë aksioneve.

Përplasje të ashpra gjatë mbledhjeve të Komisionit për Siguri kishte pasur me Sveçlën edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

“Kriminel nuk po gjendet për ilaç”, i kishte thënë ai me ironi ministrit të Brendshëm.

Dhuna në familje

Një nga kritikat më të mëdha për Policinë e Kosovës ka qenë lidhur me rastet e dhunës në familje. Kritikat u shtuan pas vrasjes së Hamide Magashit para Gjinekologjisë, e cila kishte urdhër mbrojtës nga institucionet dhe që doli se nuk ishte zbatuar.

Numri i rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici është rritur në mënyrë të qëndrueshme, nga 1,915 në 2019-n dhe pak më shumë se 2,000 në 2020 në mbi 2,400 në 2021.

Në 2022, mbi 2,700 raste të dhunës në familje u raportuan në Kosovë ku 2,289 e viktimave ishin gra. Deri në fund të shkurtit 2023, 320 gra ishin viktima të dhunës në familje.

Rritja e numrave tregon nivelin e shkeljes të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe gjithashtu nxjerr në sipërfaqe edhe mungesën e kompetencave institucionale në trajtimin e këtyre rasteve.

Në tetor 2022, qeveria Qeveria e Kosovës mbështeti ndryshimet ligjore për të vendosur dënime më të rrepta për përdhunimin, sulmin seksual dhe dhunën në familje, si dhe mundësinë e publikimit të identiteteve të abuzuesve seksualë të dënuar. Megjithatë, situata aktuale mbetet e rëndë.

Siguria në Programin Qeverisës

Gjendja e sigurisë, reformat në Polici e FSK, rritja e buxhetit, kishin qenë nga premtimet kryesore të Qeverisë e që gjenden edhe në programin qeverisës.

Në programin qeverisës thuhet:

Për parandalimin dhe luftimin e krimit, do të ngrisim kapacitetet njerëzore, analitike dhe hetuese të mekanizmave të rendit dhe sigurisë, do të kompletojmë dhe ndryshojmë kornizën strategjike dhe ligjore, si dhe do të rrisim ndërveprueshmërinë me institucionet tjera. Për këtë qëllim, do të racionalizojmë kornizën strategjike, me qëllim të krijimit të një strategjie të konsoliduar shtetërore kundër krimit, e cila i përgjigjet rreziqeve reale dhe përmirëson koordinimin ndërinstitucional. Po ashtu, do të angazhohemi për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën ndaj krimit ndërkufitar dhe do të rrisim kapacitetet e kontrollit kufitar, duke zbatuar menaxhimin e integruar të kufirit.

Për përmirësimin e integritetit në institucionet e rendit dhe sigurisë, do të zhvillojmë politikat dhe kornizën ligjore për veting. Për këtë qëllim, do të zhvillojmë politikat për inspektimin administrativ dhe do të përmirësojmë planet e integritetit për administratën publike. Për rritjen e besimit qytetar, do të forcojmë dhe ngrisim kapacitetet e Policisë, me theks të veçantë për hetimet e brendshme, Inspektoratit Policor dhe agjencive të tjera. Kjo do të përmirësojë menaxhimin e personelit dhe burimeve tjera në mënyrë efikase, efiçiente dhe të ndershme. Po ashtu, do riorganizojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme, në përputhje me kërkesat ligjore dhe atë mënyrë që të shërbejë për arritjen e qëllimeve të saj.

Lajme të ngjashme