Hudhet poshtë aktakuza ndaj pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares - NACIONALE

Hudhet poshtë aktakuza ndaj pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Departamenti për të Mitur i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, rast ky i ndodhur në muajin gusht të vitit 2022.

Betimi për Drejtësi ka siguruar Aktvendimin e marrë nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i pa plotë.

Në këtë vendim, thuhet se Gjykata me rastin e shqyrtimit të aktakuzës është e kufizuar që të mos paragjykoj epilogun e çështjes penale në meritum dhe në vlerësimin e plotë dhe përfundimtar të kualifikimit të veprës penale.

“Derisa gjykimi ende nuk ka filluar, Gjykata nuk e ka gjithashtu të mundur të vlerësoj nëse gjendja faktike është e provuar në mënyrë të plotë dhe përtej çdo dyshimi në bazë të provave sepse kjo do të ishte krejtësisht paragjykuese për epilogun e gjykimit”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Në të njëjtin vendim thuhet se ngritja e aktakuzës në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të hetohet rasti apo që të përmirësimet të lihen në fazë të tjera të procedurës është i papranueshëm.

“Gjykata nuk ka kërkuar sqarime se kë akuzon organi i ndjekjes dhe as nuk ka theksuar që organi i ndjekjes nuk duhet të ngarkon dikë për ndonjë vepër. Ajo që ka kërkuar gjykata është thjesht ndarja e dispozitivëve për veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar veç e veç dhe përshkrimin e saktë të veprimeve individuale inkriminuese që materializohen në dispozita materiale të Kodit Penal”, shkruan tutje.

27 gusht 2022

Rasti i dhunimit seksual të një vajze 11 vjeçare kishte tronditur opinionin publik kosovar. Por, tronditja u bë edhe më e madhe kur u kuptua se mes pesë të dyshuarve për dhunim seksual ishin edhe tre fëmijë.

Në rastin që ndodhi më 27 gusht, e shtunë, ishin të përfshirë katër qytetarë të mitur – përfshirë viktima. Tre nga pesë të dyshuarit për dhunim seksual ishin të moshës 16, dhe respektivisht 15.

Çka parasheh Kodi Penal i Kosovës për dhunuesit e rastit të 11-vjeçares në Prishtinë?

Për këtë rast ka folur edhe avokati, Arianit Koci i cili ka treguar se çka parasheh Kodi Penal i Kosovës.

Ai u shpreh se në rrethana të tilla siç dihen deri më tani, dënimi minimal është 15 vjet, ndërsa ai maksimal burgimi i përjetshëm.

“Monstrumëve në trajtë njerëzore iu del hakësh Kodi Penal i Kosovës. Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm. Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale. Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit.E sa për rehabilitimin e kryerësve – poashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg”, ka shkruar Koci në Facebook.

ÇDO PERSON ËSHTË I PAFAJSHËM PËRDERISA MOS TË DËSHMOHET E KUNDËRTA ME VENDIM TË PLOTFUQISHËM TË ORGANEVE TË DREJTËSISË

Lajme të ngjashme