Hetimi i Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit dy zyrtarëve policorë u kushton me shkarkim nga detyra - NACIONALE

Hetimi i Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit dy zyrtarëve policorë u kushton me shkarkim nga detyra

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet në kartën e luftimit të krimit dhe korrupsionit, por në dy vitet e para nuk ka treguar ndonjë rezultat në këtë drejtim, raporton Nacionale.

Në pjesën e parë të mandatit të Qeverisë Kurti, dy rastet më të njohura të dyshimeve për korrupsion kanë pasur të bëjnë me dy ish-zyrtarë të lartë të partisë në pushtet. Ata që janë marrë me luftimin e këtyre dukurive nuk e kanë pasur të lehtë.

Madje, hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj dhe shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, dy zyrtarëve policorë u ka kushtuar me shkarkim nga pozitat që kanë mbajtur. Këta hetues kanë udhëhequr Drejtorinë e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës dhe Task Forcën Kundër Korrupsionit.

Në muajin prill, ish-Drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Musli Salhiu, është shkarkuar vetëm pak ditë pasi kishte drejtuar aksionin hetues ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili kishte qenë zyrtar i lartë në VV.

Në të njëjtën mënyrë e ka pësuar dje edhe Shemsi Haziri, i cili është shkarkuar nga pozita e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve apo e njohur më parë si Task Forca kundër Korrupsionit. Njësia që drejtonte ai, gjithashtu, hetonte Nagip Krasniqin dhe Martin Berishajt.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Shemsi Haziri, ka treguar se ende nuk i di arsyet e shkarkimit.

Ai ka bërë me dije e kanë paralajmëruar se të hënën do ta marrë vendimin dhe arsyen e shkarkimit

Po, po. Jam i shkarkuar. Ma kanë konfirmu. Nuk i di arsyet, nuk mi kanë thënë. Vendimin së bashku me arsyetim, kanë thënë se do të ma dorëzojnë të hënën.” – ka thënë Haziri

I pyetur nëse shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e hetimeve ndaj kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqit dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, Haziri nuk ka pranuar të përgjigjet. “Ju lutem, mos më bëni pyetje më shumë, mbetet të shihet të hënën”, ka thënë Haziri.

Opozita fajëson Qeverinë për këto shkarkime

Partitë politike janë shprehur të bindura se shkarkimi i Musli Salihut dhe Shemsi Hazirit janë bërë për shkak të punës së tyre në rastin e Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit.

Sipas tyre, kjo tregon qasjen e Qeverisë Kurti ndaj luftimit të korrupsionit.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është shprehur i bindur se shkarkimi Musli Salhiu nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, ishte bërë për shkak të hetimeve që departamenti i tij ka bërë në KEK.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Qalaj kishte thënë pikërisht njësitet e krimeve ekonomike kanë qenë ato që kanë hetuar dyshimet për keqpërdorime në KEK nga ish-zyrtari i VV-së, Nagip Krasniqi.

Po, është e vërtetë që kam deklaruar se shkarkimi i Drejtorit të Krimeve Ekonomike është bërë për shkak se sipas informatave që disponoj kanë qenë pikërisht njësitet e krimeve ekonomike ato që kanë hetuar dyshimet për keqpërdorime në Korporatën Elektroenergjtike të Kosovës dhe pastaj për shkak të kompetencave lëndorë të prokurorisë pasi që ky rast është hetuar nga Prokuroria Speciale rasti është bartur nga krimet ekonomike në Task Forcën Antikorrupsion”, ka thënë Qalaj.

Edhe për shkarkimin e djeshëm të Shemsi Hazirit opozita është e bindur se është bërë për shkak punës së tij.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo flet për totalitarizimin e VV-së.

"Qenka raportuar se Shemsi Haziri, udhëheqësi i task forcës që ka hetuar Nagip Krasniqin dhe Martin Berishajn për korrupcion qenka shkarkuar me urdhër nga eprorët politik. Mbyllni sytë për një moment, dhe imagjinojeni sikur diçka të ngjashme të kishin bërë qeveritë e kaluara. “Krejt dhe drejt” totalitarizmit” – ka shkruar Çitaku në profilin e saj në "Facebook".

Edhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, mendon se shkarkimi nuk është i rastësishëm.

Sot u raportua që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda Policisë së Kosovës. Derisa arsyet për këtë s'janë dhënë, ajo që dihet është se po bëhet fjalë për ekipin që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Një gjë e tillë veç rastësi nuk duket. Ky pushtet në krye me Kurtin që nga fillimi i ka mbrojtur me çdo mjet edhe Martin Berishajn edhe Nagip Krasniqin. Tash po përdoren edhe mekanizmat e shtetit për të ua mbuluar dallaverat këtyre dy personave. Ky është tamam definicioni i kapjes së shtetit. Ky është pushteti që iu shërben tregtarëve të energjisë.”- ka shkruar Azemi.

Nagip Krasniqi, ish-kreshef i KEK-ut, i cili gjendet në paraburgim, dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”.

Kurse, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, deri me tani i janë ngritur dy kallëzime penale nga Policia e Kosovës. Paraprakisht, mediat sllovene kishin raportuar për përfshirjen e tij në një skandal të madh financiar.

Lajme të ngjashme