Hekuran Murati, me hobi jurist dhe anëtar i një komisioni që nuk ekziston, e merr në dorë tregimin e VV-së
Me zanat të ekonomistit por me merak të juristit, Hekuran Murati, e ka marrë në dorë narrativin e Vetëvendosjes.
Si anëtar i i vetëm i komisionit për votim të fshehtë që nuk ekziston Murati tashmë e ka marrë mbi supe për punë me orar të plotë interpretimin kushtetues të vendit.
Juristë të tjerë – ta zëmë të PDK’së apo LDK’së, kontestimet e të cilëve i kanë rrëzuar Vetëvendosjes dhjetëra ligje si antikushtetues gjatë legjislaturës të kaluarës – për Muratin “nuk kanë njohuri” dhe janë “të papërvojë”.
E vërteta, na fton të besojmë ai, është në shqiptimet e tij.
Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese i ndaloi Avni Dehahrit, kryesues thjesht ceremonial dhe nga virtyti i moshës për të futur mocion – dmth rend të ri të ditës – për “komision për votim të fshehtë”.
Por, aq më keq për Gjykatën Kushtetuese.
Votimi i hapur është larguar nga VV me arsyetimin se dështoi tetë herë por i ashtuquajturi komision për votim të fshehtë “mbetet” anipse ka dështuar mbi tridhjetë herë.
Aristoteli do të ishte kurioz për logjikën e Hekuran Muratit.
Çfarë po pretendon ai?
“Gjykata e rikonfirmoi Aktgjykimin e vitit 2014, dhe atë që kemi thënë edhe ne në vazhdimësi - që votimi i fshehtë është njëra nga mënyrat e votimit të lejuar për pozitën e Kryetarit të Kuvendit”, shkroi Murati në Facebook.
E vërteta – në rrafshin teknik e përkufizuar si “korrespodencë me faktet” – thotë, kushtetuetshmërisht, se deputetët mund të votojnë “si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë”.
Në të hapur është votuar, dhe votuar kundër – Vetëvendosja nuk i ka numrat për të zgjedhur kandidaten nga e cila nuk heq dorë dhe të cilën s’mund ta zgjedhë pa votat e të tjerëve. Në të fshehtën, nuk kanë vota për ta proceduralizuar, ndonëse as nuk parashihet për seanca konstitutive, por në seanca plenare, ose që në mbledhjen e parë para seancës konstitutive.
Por, vijon Murati: “Rendi i ditës vazhdon të jetë i njëjti, dhe kemi ngecur në pikën 3. Votimi për pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Menyra e votimit, e fshehtë apo e hapur, nuk e ndryshon rendin e ditës dhe këtë e din secili deputet që sadopak u ka kushtuar vëmendje proceseve të votimit të fshehtë në të kaluarën”.
Murati, ekonomist, ka gjetur pajtim edhe të të supozuave jurist të Vetëvendosjes si Albulena Haxhiu. Kjo e fundit, juriste, së paku në letër, ia shpërndan interpretimet Hekuran Muratit.
“Në fakt, shkelësit e vetëm në këtë rast janë partitë opozitare që po shkelin Kushtetutën duke mos marrë fare pjesë në votim”, vijon Murati.