Haziri: Amerika ka vendosur "kufizime" ndaj Kurtit - NACIONALE

Haziri: Amerika ka vendosur "kufizime" ndaj Kurtit

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe jo vetëm, duke mos harruar as raportet me ShBA-në, si pjesë e rëndësishme e diplomacisë sonë.

Sipas tij, asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur që në një konferencë ndërkombëtare ku kanë qenë të pranishëm amerikanët, të mos regjistrohet ndonjë takim i nivelit të lartë.

Veç kësaj, ai thotë se këto janë disa nga "kufizimet" që u janë vënë anëtarëve të partisë në pushtet, përfshirë këtu shefin e ekzekutivit.

Madje, njëri prej përfaqësuesve të Kosovës në negociatat e Vjenës ka shtuar se këto kufizime të ShBA-së ndaj krerëve e zyrtarëve tanë, mund t'i nisë edhe BE-ja, nëse s'e ka bërë një gjë të tillë deri më tani.

“Një numër i madh i zyrtarëve të partisë të shumicës është në kufizime edhe sot. Mund t’i aplikojë edhe BE’ja shumë shpejt, nëse s’kanë fillu me apliku për disa prej tyre. Një lloj kufizimi ka, injorimet në nivelet e larta, si konferenca e Mynihut, që nuk është hera e parë, është hera e dytë, Kurtin nuk e kanë takuar republikanët si administratë për shkak të një marrëveshje të transportit”, tha Haziri në Pressing.

Refuzimi

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nuk u takua as me presidenten Osmani e as me të parin e qeverisë në Konferencën e Mynihut, konferencë në të cilën gjeti kohë për të diskutuar me të parin e serbëve, Vuçiq. ShBA-ja ka pasur kërkesa të qarta ndaj Kosovës tash e disa muaj, qoftë në lidhje me targat ilegale, qoftë në lidhje me Asociacionin.

Në fakt, Blinken ka qenë më i përfshiri në këtë mes, përmes vartësve të tij si nënsekretari Derek Chollet dhe përfaqësuesi Gabriel Escobar.

Fatkeqësisht, kjo duket se ka gëzuar shumë palën serbe që një gjë të tillë po e sheh në favorin e saj.

“Amerika mori rol aktiv në dialog, investoi ndikimin dhe besueshmërinë e saj politike dhe sigurisht që s’e lejon Kurtin që ta shantazhojë – prandaj s’është për t’u habitur që Sekretari i Shtetit Antony Blinken s’e takoi Vjosa Osmanin e as Albin Kurtin në Mynih.” – i tha mediumit serb nga Kosova, ish-diplomati Zoran Millivojeviq.

Për fat të keq, Blinken m'u në ditën e pavarësisë së Kosovës, në vend se ta takonte presidenten apo kryeministrin e Kosovës e takoi presidentin e Serbisë.

Ai këtë takim e quajti “konstruktiv” dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, presidenti i një shoqate serbo-amerikane Vladimir Marinkoviq, u shpreh se kjo “nuk ishte e para herë që Blinkeni nuk dëshironte ta takonte Kurtin”.

Takime e shkëmbime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje përmes rrjeteve sociale ka thënë se dita e dytë dhe e fundit e Konferencës së Sigurisë në Mynih ishte me shumë takime dhe shkëmbime.

"Për avancimin demokratik të Kosovës në dy vitet e fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës, bisedova me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson. Atë e falënderova për përkrahjen ndër vite dhe të pandërprerë të Suedisë ndaj vendit tonë", thuhej ndër tjerash në postimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Duhet përmendur faktin se kryeministri Kurti u takua me kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte, me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch, me kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa si dhe me ish-kongresistin amerikan, tash Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre Theodore Deutch.

Lajme të ngjashme