Hasani: KFOR-i s'lejon përdorimin e forcës për heqjen e barrikadave, ka për mision moseskalimin e situatës
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.
Theksin e vuri tek heqja e barrikadave me forcë, duke thënë se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Sipas tij, kjo është e pamundur, pasi KFOR-i ka për mision moseskalimin e situatës mes etnive.
Madje, dikur kryetari i institucionit më të lartë juridik në vend, vlerësoi që KFOR-i nuk do të lejojë eliminimin e postblloqeve duke përdorur forcën.
“Është e sigurt që KFOR’i nuk lejon që me i hek dhunshëm barrikadat pa një vendim politik pa një marrëveshje politike. Sepse një prej mandative të KFOR’it është pengimi i eskalimit të situatës në mes etnive”, ka thënë Hasani në T7.
Përveç kësaj, ai pohoi se Serbia nuk është më vend armiqësor me NATO-n, siç ka qenë dikur, kurse në anën tjetër ka thënë se barrikadat mund të hiqen vetëm me marrëveshje politike.
Këshilli i Sigurisë
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ndërkaq, ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka njoftuar që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, mësohet se Kurti mbajti takimin lidhur me situatën e krijuar në komunat veriore me shumicë serbe dhe incidentet e fundit “të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuara dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”.
Në këtë mbledhje u tha se kërcënimi po vinte pas koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe grupeve kriminale.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.” – thuhej në komunikatë.
Takime
KFOR-i në anën tjetër ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle të tyre, mbrëmjen e së dielës. Pas kësaj, siç bëhet e ditur, “janë planifikuar takime mes të gjitha palëve”.
Përmes një komunikate për media, misioni i KFOR-it ka konfirmuar se në incidentin e mbrëmshëm, nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale.
“…ne po punojmë për zbardhjen e të gjitha fakteve.” – thuhej në komunikatë.
KFOR-i në njoftimin e bërë, ka dhënë informacione se është planifikuar takim mes të gjitha palëve, por pa treguar më shumë detaje.
“Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë ata që janë të përfshirë të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.” – u tha mes tjerash.

