Veriu: Mbledhje e Këshillit të Sigurisë në Kosovë e raportimet për kthim në kazermë të obusëve serbë
Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar. Deri më tani, fillimisht është raportuar për vendosjen e gjashtë obusëve, apo armëve të gjata, pranë kufirit në Jarinjë nga ana e ushtrisë serbe, më pas heqjen e tyre. Në Kosovë, ndërkaq, është mbledhur Këshilli i Sigurisë.
Mediumi serb pro-regjimit të presidentit Alekandër Vuçiq, “N1”, pasditen e së hënës ka publikuar një video, përmes së cilës pretendohet se ushtria serbe kishte vendosur gjashtë obusë 2 kilometra pranë Jarinjës, më konkretisht në Rudnicë.
Po ashtu, i njëjti medium ka raportuar se në atë pjesë ndodhet një numër i caktuar i policisë ushtarake. Raportimi, është cituar edhe nga mediume opozitare si “Danas”.
Megjithatë, mediumi N1, përmes një artikulli të pak kohëve më parë, ka raportuar se obusët që ishin vendosur në Jarinjë, janë kthyer në kazermë.
Mblidhet Këshilli i Sigurisë
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se sot është mbledhur Këshilli i Sigurisë, pas situatës së krijuar në komunat veriore me shumicë serbe.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.” – thuhej në komunikatë.
Po ashtu, u fol edhe për KFOR-in me komandantin e të cilës Kurti pati një takim gjatë ditës së sotme.
Megjithatë, aty është thënë se sa i përket barrikadave do të vazhdohet të priten veprimet e KFOR-it.
Ndërkohë, gjatë ditës, policia e Kosovës ka konfirmuar se “persona të maskuar”, kanë sulmuar një ekip të televizionit “Klan Kosova”, ku si pasojë, dy gazetarë kanë marrë trajtim mjekësor.
Hetimet për këtë rast, janë duke vazhduar.
“Urdhëri” i Vuçiqit
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, përmes një video të publikuar në rrjetin social Instagram, ka thënë se kanë marrë urdhër nga Aleksandër Vuçiq që ta rrisin numrin e njësive speciale nga 1.500 në 5000 deri në fund të viti 2023.
Sipas tij, ky është një mesazh për opinion e Serbisë, “por jo vetëm të Serbisë”.
“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiq], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, ka thënë Vuçeviq.
Vuçeviq ka thënë se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të cilët sipas tij “do të mbrojnë atdheun, do të kryejnë çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit”.
Mbrëmjen e së dielës mediat serbe raportuan se ka pasur një takim mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqi për situatën në Kosovë.
Veç kësaj, mediat serbe propaganduan edhe se ka ndodhur një gjuajtje me armë nga Policia e Kosovës ndaj qytetarëve serbë, gjë e cila është demantuar nga ky institucion.
Ndërkohë, gjuajtje me armë zjarri pati pranë një patrulle të misionit të KFOR-it, ku siç konfirmuan vetë këta, janë duke u kryer hetime rreth rastit dhe se nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale.

