Gjobitet me 1.6 milionë dollarë Organizata Trump
Një gjykatës i Nju Jorkut, ka gjobitur Organizatën Trump me 1.6 milionë dollarë - dënimi maksimal i mundshëm - për drejtimin e një skeme të mashtrimit fiskal për një dekadë.
Dy entitete Trump, The Trump Corp. dhe Trump Payroll Corp., janë dënuar muajin e kaluar për 17 vepra penale, përfshirë mashtrimin tatimor dhe falsifikim të të dhënave të biznesit.
Sipas ligjit të Nju Jorkut, gjoba më e madhe që kompanitë mund të gjobiten është rreth 1.6 milionë dollarë, një gjobë që Organizata Trump mund ta përballojë lehtësisht.
Kjo organizatë akuzohet për mashtrim tatimor kriminal, falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe paraqitjen e deklaratave të rreme tatimore në një skemë për të mashtruar shtetin.
Ndërkohë, ish-CFO Allen Weisselberg, është deklaruar fajtor për 15 akuza penale dhe është dërnuar me pesë muaj burg, ndërsa si pjesë e hetimit pritet të dëshmojë kundër ish-punëdhënësit të tij.
Organizatës Trump i janë dhënë 14 ditë kohë për të paguar gjobën, ndërsa bëhet e ditur se vetë Trump dhe familja e tij nuk janë akuzuar në këtë rast.
Megjithatë, sipas CNN, ish-presidenti është përmendur në mënyrë të përsëritur gjatë gjyqit nga prokurorët për lidhjen e tij me përfitimet, duke përfshirë apartamente të financuara nga kompania, makina me qera dhe shpenzime personale.

