A ka vdekur më në fund Trumpi politikisht? - NACIONALE

A ka vdekur më në fund Trumpi politikisht?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Robert Reich

Ky shkrim është botuar në The Guardian, dhe është përkthyer nga gazeta Nacionale.

Pasi Kongresi po e përfundon mandatin e parë pas largimit të Donald Trumpit, pyetja më e madhe politike që i rri varur Amerikës është: Kur do të mbërrijë më në fund partia Republikane në pikën e kthesës për t’i dalë kundër Trumpit – atë pikë ku shumica e ligjbërësve republikanë e refuzojnë ish presidentin?

Vazhdimisht e vazhdimisht, dukej sikur kjo pikë kthese ishte afër por partia mbetet ende nën kontrollin e Trumpit.

Çka të thuhet për darkën e muajit të kaluar në Mar-a-Lago me reperin Ye – i njohur më parë si Kanye West – fama e të cilit si muzikant u la nën hije nga deklaratat antisemite, bashkë me mohuesin famëkeq të Holokaustit Nick Fuentesin?

Nuk erdhi deri te pika e kthesës.

Çka të thuhet për fjalët e Trumpit më 3 dhjetor që thonin se “kishte mastrim masiv” në zgjedhjet e vitit 2020 e të cilat lejonin që t’i jepej fund kushtetutës?

Jo.

Të dyja eventet shkaktuan murmuritje mes ligjvënësve republikanë, por megjithatë nuk arritën ta kritikonin (siç s’e kishin kritikuar as në të kaluarën...) shkak i frikës se do t’ju hakmirrej.

Por, çka ka për t’u frikësuar tash? A s’e zbuluan zgjedhjet e mesmandatit se sa i dobët është?

Në fund të fundit, shumica e kandidatëve që i mbështeti humbën, përfshirë edhe mjekun e famshëm Mehmet Oz në Pensilvani; Tim Michelsin në Wisconsin; Adam Lacaltin në Nevada; Blake Mastersin dhe Kari Lake-un në Arizona; dhe Herschel Walkerin në Georgia. (Nga fushata e Walkerit madje edhe i kërkuan Trumpit të rrinte larg tyre në javët e fundit.)

Shumë mohues të zgjedhjeve të vitit 2020 humbën. Legjislatura e Michiganit kaloi te Demokratët për të parën herë prej vitit 1980.

Demokratët i mundën të gjitha profecitë kiametike e po ashtu e mundën edhe modelin historik për performancat e partive të presidentëve që humbnin në zgjedhje të mesmandatit. Pse? Kryesisht për shkak se shumica e votuesve i frikësohen dhe ndjejnë neveri për ish presidentin.

Shumë njerëz i panë këto zgjedhje si referendum ndaj Trumpit. Siç e shpjegoi Mitch McConnell, votuesit e papërcaktuar “ishin të frikësuar” nga retorika e Donald Trumpit.

Dhe, po bëhet e do të bëhet edhe më keq për Trumpin.

Biznesi i tij është shpallur fajtor për mashtrim kriminal. Hetuesit gjetën edhe më shumë dokumente të klasifikuara në një depo afër Mar-a-Lagos. Një rast kriminal është ende në zhvillim në Georgia. Komiteti i 6 janarit me gjasë do të çojë në Departamentin e Drejtësisë një lëndë kriminale, prokurori special i të cilës tashmë po ndërton rastin kriminal kundër ish presidentit. Shumë liderë të 6 janarit tashmë janë dënuar për konspiracion.

Edhe personat e rëndësishëm të partisë Republikane, përfshirë tajkunin medial Rupert Murdoch, kanë ndërruar anë – te Ron DeSantisi, Ted Cruzi apo të tjera figura Republikane.

Pse atëherë krejt partia nuk ka bërë atë pikë kthese? Pse gati krejt ligjbërësit republikanë nuk po e denoncojnë ish sociopatin-në-detyrë?

Një fjalë: baza.

Senatori Republikan Mitt Romney, që s’është mik i Trumpit, e tha në mënyrë direkte javën e kaluar:

“Mendoj se i kemi nja 12 njerëz që do të donin të bëheshin presidentë, që po mendojnë të garojnë më 2024. Nëse presidenti Trump vazhdon me fushatën e tij, nuk ma merr mendja se dikush prej tyre do t’ia dalë mbanë që ta mposhtë. Ai ka bazë aq të fortë, s’e di, ndoshta 30 për qind ose 40 për qind të votuesve republikanë, ose ndoshta më shumë, sa do të jetë e vështirë që ta heqim mundësinë që ai të jetë i nominuari.”

Ky është problemi me pak fjalë.

Nuk ka të bëjë aq shumë me madhësinë e bazës së Trumpit.

Është intensiteti dhe ngulmimi i mbështetjes së tyre, që u jep atyre konroll efektiv mbi partinë Republikane. Ata nuk lëvizin.

E derisa të lëvizin, shumica e ligjbërësve republikanë po ashtu s’do të lëvizin. Çështja është më prozaike. Ata s’duan t’i humbin punët e tyre.

E vetmja shpresë për partinë Republikane është që Trumpi të ketë vetëm një kundërkandidat në preliminaret – Ron DeSantisin e Floridas – që të bëhet alternativa për shumicën e votuesve Republikanë që s’e duan Trumpin.

Por, nëse DeSantis shpall kandidaturën është e mundshme që edhe të tjerë ta bëjnë – e të cilët do të ndanin votën republikane të kundërshtarëve të Trumpit, duke i lejuar këtij të fundit që të fitonte nominimin.

E kjo nënkupton se partia Republikane do të vazhdojë të kalbet si parti politike, si institucion qeverisës dhe si entitet moral. Kjo mund të jetë gjë e mirë për Demokratët në vitin 2024, por në një kuptim më të gjerë, është keq për të gjithë prej nesh.

*Autori është ish sekretar i Punës në administratën e presidentit Bill Clinton.

Lajme të ngjashme