Grenell shpërthen në Twitter ndaj Prokurorit Jack Smith: Turp nga Bideni, e kishte lavdëruar Thaçin
Ish emisari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë një mori postimesh në lidhje me veprimet që po bën Prokurori Special Jack Smith.
Smith ka lëshuar fletëthirrje në gjashtë shtete amerikane në lidhje me hetimet që po kryen për trazirat e 6 janarit.
Por, ai ka sulmuar z. Smith edhe në lidhje me hetimet që i ka kryer ndaj ish presidentit Thaçi në Hagë.
“Veprimet e Jack Smithit për ta akuzuar dhe burgosur për një akuzë 20 vjeçare thjesht sepse presidenti Thaçi po negocionte një marrëveshje të madhe që do t’i jepte fund punës që ai po bënte është skandal. S’mund ta quash veten gazetar dhe të injorosh sjelljen imorale të Jackut për përfitime personale.” – ka thënë z. Grenell në postimin e tij në Twitter.
“Turp t’i vijë edhe Joe Bidenit. Ai e quajti Thaçin “Xhorxh Washington të Kosovës” – dhe Jack Smithi e akuzoi Thaçin që bëri paqe e përparim përmes dikujt që ai e urrente – Trumpit. Lexojeni aktakuzën për vete. Çdo avokat i të drejtave të njeriut që e njoh thotë se është tepër e dobët.” – ka thënë në një postim tjetër.
Por, z. Grenell bëri edhe një tjetër postim duke iu referuar një deklarate nga ana e Josep Borrellit që tha se policët e EULEX-it e kishin arrestuar Thaçin.
“Whoa! Shtypi kosovar po raporton se Josep Borrell tashmë po merr merita për akuzat politike të Jack Smithit ndaj presidentit të Kosovës. Liderët evropianë duhet të përballen me realitetin – ishin tepër të zellshëm që ta ndalnin Trumpin dhe e lanë Hagën të bëhej krejt politike.”