Sa të mëdha janë problemet ligjore të Donald Trump? - NACIONALE

Sa të mëdha janë problemet ligjore të Donald Trump?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ka qenë jashtë pushtetit për më shumë se një vit e gjysmë, por çështjet ligjore që lidhen me kohën e tij në detyrë ende paraqesin një rrezik për ish-presidentin Donald Trump.

Kontrolli i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në shtëpinë e Trump në Florida, ka përqendruar vëmendjen në trajtimin e dokumenteve zyrtare nga ana e tij kur ishte president.

Tani, janë dy hetime penale duke vazhduar: një për ndërhyrje të mundshme në zgjedhje dhe një tjetër për krime të dyshuara financiare.

Ndërkohë, edhe një hetim politik është duke shqyrtuar rekomandimin e akuzave penale për rolin e Trump-it në sulmin e Kongresit më 6 janar 2021.

E ndërsa, Trump mendon për kandidim presidencial në vitin 2024, më poshtë BBC sjellë rastet ligjore që mund të jenë kërcënim për ambiciet e tij.

Të dhënat e Shtëpisë së Bardhë

Kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai kishte marrë me vete kuti me dokumente në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.

Sipas ligjit të të dhënave presidenciale, marrja e të dhënave zyrtare mund të përbëjë vepër penale.

E sipas vetë Trump, "një grup i madh agjentësh të FBI" kanë kontrolluar rezidencën e tij më 8 gusht.

Edhe në muajin shkurt, Arkivi Kombëtar tha se kishte marrë 15 kuti me dokumente nga Mar-a-Lago, të cilat Trump duhet t'i kishte dorëzuar kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Agjencia më vonë i tha Kongresit se kutitë përfshinin "artikuj të shënuar si informacion i klasifikuar i sigurisë kombëtare".

Por Trump pretendoi se qeveria "nuk "gjeti" asgjë" dhe se demokratët ishin thjesht "në kërkim të mashtrimit të tyre të ardhshëm".

Trazirat e Kapitolit

Trump poashtu akuzohet për nxitjen e një "kryengritjeje", kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit, ndërsa anëtarët e Kongresit certifikuan fitoren zgjedhore të Joe Biden më 6 janar 2021.

Për javë të tëra, ai kishte bërë pretendime të pabaza për mashtrime zgjedhore të cilat i përsëriti edhe në një tubim pak para trazirave.

Menjëherë pas kësaj, Trump u shpall i pafajshëm në një gjyq politik në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe mbështetësit e tij shpallën fitoren. Por ky nuk ishte fundi. Pasi,

në korrik të vitit të kaluar, demokratë dhe disa politikanë republikanë formuan një komitet të 6 janarit, i cili po shqyrton veprimet e Trump-it në detaje.

Deri më tani, seancat dëgjimore publike të komitetit kanë gjeneruar një sërë akuzash, duke përfshirë dëshmi nga ndihmësit dhe këshilltarët e vetë Trump-it, që thonë se ai e dinte se pretendimet për mashtrim zgjedhor ishin të pavërteta - dhe se hapat që ai po ndërmerrte për të përmbysur rezultatet ishin të paligjshme.

Ndërsa komiteti nuk ka kompetenca ligjore për të ndjekur penalisht ish-presidentin, ai mund të zgjedhë t'i referojë akuzat penale kryeavokatit të qeverisë amerikane, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland.

Akuzat e mundshme përfshijnë pengimin e numërimit të votave në Kongres dhe komplotin për të mashtruar ShBA-në duke përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, të cilat të dyja mund të dënohen me gjoba ose me burg.

Megjithatë, deri më tani asnjë ish-president nuk është ndjekur penalisht.

Ndërhyrje në zgjedhje

Disa ditë para sulmit në Kongres, zyrtari më i lartë i zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias mori një telefonatë të pazakontë.

"Unë thjesht dua të gjej 11,780 vota," thuhet se i ka thënë Trump i shqetësuar Sekretarit Republikan të Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Raffensperger.

Këto, votat do t'i kishin dhënë atij fitoren në shtetin kyç.

Çështjet financiare

Trump gjithashtu përballet me një sërë akuzash për mashtrime tatimore dhe bankare në Nju Jork, të cilat janë hetuar si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror.

Ish-presidenti pritet t'u përgjigjet pyetjeve nën betim si pjesë e një hetimi civil mbi praktikat e tij të biznesit që po kryhen nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James.

James ka akuzuar Organizatën Trump për marrjen e lehtësirave tatimore dhe kredive përmes "vlerësimeve mashtruese të aseteve".

Por, Trump dhe Organizata Trump kanë mohuar çdo keqbërje.

Ndërsa, në një hetim të veçantë, Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance dhe ekipi i tij kaluan gjithashtu më shumë se dy vjet duke analizuar financat e tij, në kërkim të krimeve të mundshme.

Për prokurorët, marrja në dorë e deklaratave tatimore të Trump-it dhe akuzimi i shefit financiar të kompanisë së tij për mashtrim tatimor, ishin dy përparime të mëdha.

Sjellje të pahijshme seksuale

“Ajo nuk është tipi im”, tha Trump në përgjigje të akuzave se ai kishte sulmuar seksualisht një kolumniste në vitet 1990. "Kjo nuk ka ndodhur kurrë, në rregull?"

Kjo deklaratë u bë në vitin 2019, disa ditë pasi E Jean Carroll e akuzoi Trump-in se e ka përdhunuar në vitet 19901. Më pas, ajo e paditi Trump-in sepse e quajti atë gënjeshtare.

Kjo çështje ka qenë prej kohësh e zhytur në rërë të gjallë, por tani është caktuar një datë gjyqi për 6 shkurt 2023.

Pra, një listë e gjatë e hetimeve të tjera dhe padive të mundshme përfshin:

• Hetimi penal i Prokurorit të Përgjithshëm të Uashington DC për sulmin e 6 janarit. Vitin e kaluar, ai tha se Trump mund të akuzohet për inkurajimin e dhunës.

• Padi të ndryshme nga oficerët e policisë që kanë akuzuar Trump-in për nxitjen e sulmit të 6 janarit në të cilin ata pësuan lëndime.

• Një padi nga mbesa e Trump, Mary Trump, e cila thotë se xhaxhai i saj dhe vëllezërit e motrat e tij dyshohet se e kanë larguar me mashtrim atë nga trashëgimia. Trump ka kërkuar të hedhë poshtë padinë, e cila u ngrit në një gjykatë shtetërore në qytetin e Nju Jorkut.

• Një padi e ngritur në gjykatën federale të Manhatanit nga ish-avokati personal i Trump, Michael Cohen, i cili pretendon se shefi i tij i vjetër e ka kthyer atë në burg në shenjë hakmarrjeje.

Lajme të ngjashme