Reagimi i republikanëve ndaj bastisjes së shtëpisë së Trumpit, shqetësues dhe i rrezikshëm - NACIONALE

Reagimi i republikanëve ndaj bastisjes së shtëpisë së Trumpit, shqetësues dhe i rrezikshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Burgoseni, burgoseni”. Përkrahësit e Donald Trumpit brohorisnin kështu për Hillary Clintonin më 2016, me shpresë për burgosjen e një kundërshtareje politike nën dyshimin se nuk i ka trajtuar si duhet materialet e klasifikuara. Tash, megjithatë, disa nga njerëzit e njëjtë duket se besojnë që edhe një hetim i sundimit të ligjit ndaj Trumpit për shkelje të mundshme të grupit të njëjtë të rregullave është jashtë rendit.

Editorial, The Washington Post

FBI-ja ekzekutoi një urdhër bastisjeje në rezidencën “Mar-a-Lago” të Trumpit në Florida këtë javë si pjesë e atij që gazeta raporton se është një hetim për trajtimin jo të duhur të mundshëm të dokumenteve të Shtëpisë së Bardhë. Arkivat Kombëtare zbuluan para rreth shtatë muajve se ish-presidenti kishte marrë më shumë se gjashtë kuti me dosje me vete, kur ishte larguar nga zyra, disa prej tyre me shenjën “top sekret” – dhe, si duket, dyshoi se dokumentet që ai ua dorëzoi hetuesve këtë pranverë përfaqësonin vetëm një pjesë të grumbullit. Republikanët e kanë shpallur zemërimin ndaj bastisjes, duke argumentuar se asnjë president nuk ka qenë ndonjëherë subjekt i një procedure të tillë. Ata mund të kenë të drejtë. Por pastaj, asnjë president i periudhës moderne nuk ka qenë subjekt i kaq shumë hetimeve të ndryshme si z. Trump – i cili e përdori mbrojtjen kundër vetinkriminimit të Amendamentit të Pestë në njërin prej tyre të mërkurën.

Natyrisht, hetimet kriminale të presidentëve nuk duhet të merren lehtas. Urdhri i bastisjes nuk është publik në këtë rast. Edhe nëse do të ishte, vetëm një dëshmi nën betim do të mund ta tregonte rrëfimin e plotë për bazën e dëshmive për bastisje. Mbajtja jo e duhur e dokumenteve është një shkelje serioze që nuk duhet të hidhet poshtë, por deri më tash është e paqartë nëse mbajtja e këtyre dokumenteve nga z. Trump përbënte shkelje të sigurisë kombëtare, kërcënim për demokracinë ose ndonjë abuzim tjetër të rëndë. Prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, atëherë, e gjen veten në një pozicion të ndërlikuar: ai mund të thirret në raportim para komisioneve të Kongresit, të kontrolluara nga republikanët, dhe të urdhërohet që të sqarohet për lejimin e veprimeve të FBI-së – detyrë që do të dëshmohet më e vështirë, nëse hetimet nuk çojnë te akuzat kriminale ose dëshmitë për shkelje të konsiderueshme.

Tash për tash, reagim i matur ndaj bastisjes do të ishte që të priteshin rezultatet e saj të prekshme. Në vend të kësaj, republikanët po sillen me papërgjegjësi trashanike: nga thirrja e drejtuesve të emisioneve televizive për dhunë, që duket aq e mundshme pas ngjarjeve të 6 janarit të vitit 2021, deri te krahasimi i FBI-së me Gestapo-n nga senatori Rick Scott e ish-strategu i Trumpit, Stehphen K. Bannon e shpallja e Departamentit të Drejtësisë “në gjendje të patolerueshme të politizimit të shndërruar në armë” nga udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy. Kjo retorikë është shqetësuese dhe e rrezikshme – për të mos e përmendur hipokrizinë. Në të vërtetë, janë administrata dhe ndihmësit e Trumpit që janë munduar ta përdorin si armë Departamentin e Drejtësisë dhe janë ata që sot po përpiqen që ta shndërrojnë në cirk politik atë që, sipas të gjitha dukjeve, është një hetim legjitim.

Lajme të ngjashme