Gjërat më interesante që bënë kryetarët e zgjedhur në komunat veriore
Kryetarët e zgjedhur të komunave në veri bënë gjëra mjaft interesante – hajt s’po themi të përçudshme – prej që rrëmbyen vëmendjen e publikut kosovar pas tensioneve. Cilat janë disa prej gjërave interesante më mbresëlënëse?
Politika ditore në Prishtinë është lodhur nga politikanë të kujdesshëm e super-korrektë. Aq super-korrektë sa shpesh paraqitjet e tyre publike duken të pasinqerta e false. Në këtë drejtim, kryetarët në veri dukeshin si një ajrosje me ajër të pastër.
Lulzimi
Lulzim Hetemi aktualisht ka rrëmbyer vëmendjen më të madhe. Jo për shkak të komentit të tij “Rrespekt Bukuroshe”, aq sa për shkak të qëndrimit një-javor i ngujuar në zyren e tij në ndërtesën komunale në Leposaviq.
Atij dje i erdhi një mbështetje e madhe – dhe e çuditshme – nga vetë kryeministri Albin Kurti.
Përshtypje të madhe lanë këto fjalë:
“Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.”
Kurti nuk tregoi se kush e merrte me të mirë, e kush jo. Por, statusi ishte shumë paternalist në qasje.
Lulzimi la përshtypje edhe me një koment dhënë në medie, ku fliste për mirëqenien e tij.
“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin... Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë” – siguroi ai gazetarët e shqetësuar për mirëqenien e tij.
Nuk dihet saktë pse po qëndron z. Hetemi i ngujuar në zyrë. Nuk dihet se çka po provon të tregojë kryeministri Kurti përmes këtij veprimi. Por, dihet se flamurin e vendosur në zyrë, Hetemi e shfrytëzoi për ta bërë një koment që më pas do t’i bëhej viral:
“Rrespekt për Bukuroshen”.

Pra, me flamur të Kosovës të bësh flirt? Kjo s’është parë deri tash!
Obama
Izmir Zeqiri fillimisht kishte marrë vëmendje me ngjashmërinë e tij me ish-presidentin amerikan Barack Obaman. Më pas, kur u betua, ai e krahasoi veten pikërisht me Obaman.

Por, dje ai doli edhe në gazetën britanike The Guardian, ku tha se “s’e kishte pasur qëllim të bëhej i famshëm”.
E fatkeqësisht, po gjatë ditës së djeshme atij i doli një ‘pëlqim’ në rrjetet sociale.
Kreu i Zubin Potokut kishte thënë që nuk kishte ndonjë element që tregonte pse duhej të shtyheshin zgjedhjet. E në mbështetje atij i kishte ardhur edhe një komentues, që fatkeqësisht do të përdorte fjalë eksplicite.
“Këta VV-ja janë sikur k*rva, edhe po ma ka... edhe po m’dh...” – shkruante ai. Këtë koment do ta pëlqente vetë z. Zeqiri, ndoshta duke mos e ditur që edhe pëlqimet shfaqen dhe janë publike.
Më herët, edhe një gjë tjetër do të linte përshtypje në profilin e Facebook-ut të z. Zeqiri. Ai kishte fotografi profili një pozë ku dukej prapa një harte të Shqipërisë së Madhe. E ndërkohë... po përfaqësonte një komunë me shumicë serbe!
Iliri
Ilir Peci i Zveçanit la përshtypje konkretisht me sinqeritetin e tij në deklarata. Të krijohej përshtypja sikur edhe po ta pyesja se çfarë ëndrra kishe parë, ai të tregonte.
Gazetarja e Nacionales e pyeti Pecin para takimit me ambasadorin Hovenier të hënën e kaluar nëse do të jepte dorëheqje nëse i kërkohej. Përgjigja e tij ishte... fascinuese:
“Për besë nuk mundem me të thanë diçka të tillë. Nuk e di të shohim, krejt varet nga takimi.” - kishte thënë ai.
Një tjetër deklaratë shumë e sinqertë ishte edhe ajo kur tregonte se as nuk e kishte ditur që Policia po i çonte drejt zyre komunale të premten e kaluar, më 26 maj.
“...vetëm pasi jemi hyp në vetura të policisë, atëherë gjithçka ata zyrtarët e ministrisë na kanë njoftu do të shkojmë në objektet të komunave, dhe ne ashtu vepruam,” – i tha ai gazetës Nacionale.
Pa dyshim, gjë edhe më interesante se gjithë këto të bëra bashkë është se në rast të arritjes së një zgjidhjeje politike për zgjedhje të reja, të gjithë këta kryetarë do të duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Çka do të shkruajnë në ato letra? Ajo e Ilir Pecit, pa dyshim, do të ishte shumë interesante për t’u lexuar.
P.S. Erden Atiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, nuk ka pasur vëmendje mediale aq sa të futej në këtë listë.

