7 ditë i mbyllur në zyrë: Pse po rri i mbyllur ende kryetari i Leposaviqit dhe kush “po e merr me të mirë”?
“Çka s’i thonë,” – tha kryeministri Kurti. “Disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.” – vazhdoi ai, duke e falenderuar kryetarin e Leposaviqit që po qëndronte ende i mbyllur në zyren e tij në ndërtesën komunale. Çka na thonë këto fjalë dhe i gjithë ky rast tragji-komik?
Kryeministri i Kosovës u shpreh sot se Lulzim Hetemi, kreu i Leposaviqit që vinte nga partia e tij, i merrte “për çdo ditë mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve” që të dilte nga zyra. Nuk pati kurrfarë sqarimi se kush i bënte ato kërkesa, se kush e merrte me të mirë e se kush ia dha – në fund të fundit – ato informacione.
28 maj
Ishte 28 maj, e diele, kur në mbrëmje ishte mbledhur kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk dihet se çfarë vendime ishin marrë, por dihet se çka kishte pasuar.
Kryetari i Leposaviqit ishte nisur për në zyren e tij në ndërtesën e komunës. Që nga hyrja e tij në komunë, që besohet të ketë ndodhur në ora 6 të mëngjesit, ai nuk ka dalë më.
Po atë ditë, Hetemi ishte ftuar për në një takim të rëndësishëm. Ambasadori Hovenier e kishte thirrur që të takohej e të fliste – bashkë me dy kryetarët e tjerë shqiptarë të zgjedhur në Zubin Potok e Zveçan – në Prishtinë.
Hetemi nuk kishte shkuar.
“Kanë qenë në orar të punës...ata duhet të jenë aty...mirë që s’kanë shkuar,” – kishte thënë Kurti.
Kurti kishte thënë se ai ishte në orar të punës, dhe nuk mund të shkonte. Por në fakt, ai në zyrë qëndroi për çdo ditë edhe jashtë orarit të punës.
Salih Zyba
Bashkë me Hetemin u raportua se në zyrë të komunës kishte hyrë edhe Salih Zyba, deputeti i VV-së. Nuk dihet saktë se sa qëndroi Zyba brenda me kryetarin Hetemi.
Vetëvendosje ende nuk ka dhënë një sqarim për praninë e Zybës në atë zyrë.
Protestat
Protesat në Leposaviq kishin qenë ndjeshëm më të shtensionuara se sa në Zveçan. Edhe në Leposaviq, kishin shkuar trupat e KFOR-it, gjë që e bënte Hetemin më të sigurtë.
Pa ankesa
Hetemi nuk kishte shfaqur ankesa në publik.
Ai kishte thënë se “po hante bukë si në hotel” dhe se kurrë më mirë nuk kishte qenë.
“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin... Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë,” - kishte thënë Hetemi.
Respekt bukuroshe
Një koment i tij i bërë për një vajzë që raportohet të jetë shpallur Miss i diçkaje bëri bujë.
“Respekt bukuroshe” – i kishte thënë Hetemi, duke ia treguar edhe flamurin e Kosovës në katin e dytë të ndërtesës komunale.

Kush po e merr me të mirë?
Kurti nuk dha kurrfarë sqarimi për këto fjalë të tij. Sidoqoftë, dihet se tashmë është propozuar nga Franca e Gjermania – dhe ku duket se ka pajtim edhe nga presidentja Vjosa Osmani – që të mbahen zgjedhje të reja.
Sidoqoftë, për t’u shpallur zgjedhje të reja do të duhet që kryetarët e zgjedhur të japin dorëheqje. Deri tash, nuk ka indikacione se ata kanë vullnet për ta bërë një gjë të tillë.
Nga PSD-ja e kanë cilësuar si “peng” të Kurtit Hetemin.
Pse po rri në komunë?
VV vazhdon të insistojë që puna e kryetarëve të zgjedhur në komunat me shumicë serbe në veri në zyret e tyre është çështje e rendit dhe ligjit.
Në mënyrë eksplicite, ShBA-ja ka kërkuar që kryetarët të punojnë edhe në zyre administrative, ashtu siç janë betuar. Dy kryetarë tashmë e kanë dëgjuar këtë këshillë.
Por, sa i përket çështjeve logjistike, nuk dihet nëse z. Hetemi vlerësohet se mund të kishte telashe nëse do të largohej nga komuna për t’u futur sërish. Deri tash, partia në pushtet nuk ka shpjegime se pse po ndodh një gjë e tillë.


