Kryetari Zeqiri i Zubin Potokut për The Guardian: "S'e kisha qëllim të bëhesha i famshëm"
“Nuk e kisha qëllim të bëhesha i famshëm,” – ka thënë kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, gazetës prestigjioze britanike The Guardian, në një artikull të kësaj të fundit të botuar së fundi. Çka flitet aty?
Fama e Zeqirit – i njohur edhe si Obama nga miqtë e tij për shkak të ngjashmërisë me presidentin e 44 të ShBA-ve – mund të thuhet se tashmë ka kaluar edhe kufijtë e Kosovës.
Ai i tha kësaj gazete në artikullin e titulluar "Kurrë s’jemi ndjerë të lirë nga Serbia”: Shqiptarët e Kosovës fajësojnë Beogradin për dhunën" se “kishin menduar që më shumë njerëz do të garonin (për pozitën e kryetarit të komunës) dhe s’mund ta imagjinonim se do të fitonim.”
“Kjo nuk është modesti false,” – është komenti në këtë artikull bërë nga dy gazetarë që kanë punuar në Kosovë, si Xhemajl Rexha dhe Jack Butcher.
Çka thotë tjetër Zeqiri?
Ai përshkruhet si një aktivist politik që kishte refuzuar urdhërin e Kurtit për t’u futur në zyren e ndërtesës së komunës në Zubin Potok, por edhe si dikush që beson se disa protestues kanë lidhje me krimin e organizuar.
“Ne jemi ende në fazën e krijimit të kabinetit tonë të ri, prandaj ishte gabim që pamë revoltën që u shkaktua nga ato banda kriminale... vprimet e tyre shkojnë kundër rendit tonë kushtetues,” – citohet z. Zeqiri.
Në atë artikull përshkruhen ngjarjet kryesore gjatë periudhës së tensioneve, ndëshkimi që i erdhi Kosovës nga ShBA-ja por edhe reagimet pas atij ndëshkimi.
Qysh kishte shkuar dita e betimit?
Gazetari Vullnet Krasniqi kishte përcjellur ceremoninë e betimit të z. Zeqiri më 25 maj. Ai kishte thënë se do të punonte për të gjithë qytetarët e Zubin Potokut, pavarësisht dallimeve etnike. Edhe në atë ceremoni, z. Zeqiri e kishte krahasuar veten me ish-presidentin Obama, duke thënë që edhe ky i fundit kishte qenë "pakicë" në ShBA por që ishte mirëpritur nga të gjithë amerikanët.
Kujtojmë se z. Zeqiri pardje ka dhënë intervistë edhe për gazetën italiane "La Repubblica".

