"Politika ekstremiste", "Narrativa mashtruese”: Raporti 'kompleks' i komandantit të KFOR-it me Kurtin - NACIONALE

"Politika ekstremiste", "Narrativa mashtruese”: Raporti 'kompleks' i komandantit të KFOR-it me Kurtin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe KFOR-i duket se – përkundër mandatit – po shpreh vështrime politike pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës. Çka thanë së fundi dhe çka na zbulon raporti i tyre ‘kompleks’ me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin?

Kosova u dënua ashpër për nxitjen e tensioneve në veri të vendit nga partnerët e saj më të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë ShBA-të.

Por, një denoncues paksa më ‘periferik’ e megjithatë shumë agresiv del të jetë edhe KFOR-i, përmes komandantit të saj Angelo Michele Ristuccias.

Çka tha së fundi?

Në një intervistë të dhënë të shtunën, më 3 qershor, z. Ristuccia do të tregohej shumë i ashpër.

“Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR-i) nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet si një çadër ku duhet të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë balancet e pasigurta,” – u shpreh komandanti për Corrieren.

Por, jo vetëm kaq!

“Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të eksploatuara nga të gjitha palët në emër të politikave ekstremiste, që kanë minuar stabilitetin mes dy grupeve etnike.”

Që Vuçiq ka politika ekstremiste, natyrisht se mund të thuhet. Por, se Kurti ka politika ekstremiste një gjë të tillë po e thotë komandanti i KFOR-it. Ai ishte marrë edhe më herët me vlerësime politike.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, gjatë tensioneve të parafundit, z. Ristuccia do t’i thoshte edhe këto fjalë:

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të mos ndikojnë në procesin e dialogut.”

Politika ekstremiste, narrativa mashtruese? Çka tjetër?

KFOR-i ishte bërë shënjestër goditjesh nga deputetë e përkrahës të Vetëvendosjes edhe në atë fundvit.

Kurti kishte deklaruar në një intervistë për The Guardian në atë kohë se ishte pajtuar “t’i jepte trupave të NATO-s (KFOR-it) kohë që t’i bindte ata që po i mbanin barrikadat të tërhiqeshin por se kjo nuk mund të lejohej të shkonte shumë larg.”

Por, kishte shkuar shumë larg. Barrikadat nuk ishin hequr për kohë të gjatë, gjë që kishte nxitur kritika të ashpra nga deputetë të VV-së.

“KFOR-i kërkoi pak ditë, ndërkohë sot u bënë 12 ditë. Asnjë reagim.”shkruante Mefail Bajqinovci.

“KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë. Sot si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë veëtm pse nuk pati mundësi të marrë tretman mjekësor. Liria e lëvizjes dhe e drejta për të marrë shërbimet shëndetësore janë të patjetërsueshme.”kishte shkruar deputeti Artan Abrashi.

Megjithë fërkimet e asaj kohe dhe kohën e madhe që iu desh KFOR-it, kryeministri Kurti kishte kërkuar trupa shtesë të KFOR-it në Kosovë.

“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – kishte thënë ai.

Pikëpamjet e mëhershme

Vetëvendosje ishte mjaft krititike ndaj rolit të KFOR-it në të kaluarën. Në komunikatën tashmë të fshirë “KFOR-i, nga shpëtimtarë në mercenarë” thuheshin fjalë mjaft të rënda për trupat paqeruajtëse.

“Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit. Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.” – shkruhej në një paragraf.

Por, ka edhe më rëndë:

“Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar.”

E edhe më rëndë:

“Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zmbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.”

Lajme të ngjashme