Çka po bën Salih Zyba prej orës 6 të mëngjesit në zyren e kryetarit të Leposaviqit? - NACIONALE

Çka po bën Salih Zyba prej orës 6 të mëngjesit në zyren e kryetarit të Leposaviqit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në kuadër të shumë ngjarjeve të rëndësishme në veri të Kosovës – siç ishte, për shembull edhe hyrja e KFOR-it në tri objektet komunale – një minIngjarje duket se nuk është analizuar aq sa duhet: Salih Zyba është brenda zyres së kryetarit të Leposaviqit. Çka dimë për këtë çështje?

E para e punës, e dimë që Salih Zyba është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ndodhet në zyren e kryetarit të Leposaviqit që është Lulzim Hetemi, po nga kjo parti.

Po ashtu, e dimë që z. Hetemi e kishte një ftesë të rëndësishme për të marrë rrugë që të nisej për në Prishtinë. Ai ishte thirrur nga ambasadori i ShBA-ve, Jeff Hovenier. As Hetemi por as Erden Atiqi (kryetar i Mitrovicës së Veriut, aktivist i VV-së) nuk morën pjesë. Dy kryetarët që vinë nga radhët e PDK-së, në anën tjetër, PO.

Takimi në fjalë nisi në orën 9 të mëngjesit. Por, siç raporton Klan Kosova, Zyba ishte në zyrë të Hetemit prej orës 6 të mëngjesit, dhe besohet që është ende (ora 13:21). Nacionale e ka thirrur disa herë z. Zyba në telefon, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Çka ndodhi mbrëmë?

Mbrëmë raportoi Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Alim Rama, se ishte mbledhur kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rama njoftoi se në këtë mbledhje ishte diskutuar “edhe për procesin zgjedhor për komunat në veri të vendit” derisa u shpreh se i ishte uruar punë e mbarë kryetarëve të këtyre komunave.

Nuk dihet nëse aty është marrë ndonjë vendim që z. Zyba të shkonte drejt Leposaviqit.

Por, megjithatë z. Rama e kishte ndërruar postimin duke njoftuar opinionin se në mbledhje ishte miratuar edhe një kalendar i aktiviteteve për “Javën e Lëvizjes” që niste më 10 dhe mbaronte më 17 qershor.

Zyba

Salih Zyba është një nga aktivistët më të vjetër të Vetëvendosjes, dhe ka qenë prej më të zëshmëve për çështjen e veriut të vendit. Ai postimin e tij të fundit në Facebook e ka bërë pardje, më 27 maj, duke sulmuar analistin Baton Haxhiu i cili kishte deklaruar si vijon:

“Sot kanë shku ata. Ma nuk shkojnë.”

Zyba kishte deklaruar si vijon:

“Jo vetëm të hënën, por edhe të shtunën. As 24 orë nuk u zgjati parashikimi. Huqja e radhës. Edhe sa tjera...?”

Edhe postimi i parafundit i tij është po ashtu për veriun, duke sulmuar kryetarin e PDK-së se si po i motivonte kryetarët e PDK-së që të merrnin detyrën.

Ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, e kishte akuzuar Salih Zybën se kishte vepruar si "truproje" gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se në Leposaviq aktualisht situata është më e qetë se sa në komunën e Zveçanit.

Lajme të ngjashme